Politika

Kim: Rritja e mundësive të biznesit mes SHBA dhe Shqipërisë, një nga prioritetet e mia kryesore

“Rritja e mundësive të biznesit mes SHBA dhe Shqipërisë është një nga prioritetet e mia kryesore në kohën që do të shërbejë”.

Kështu u shpreh ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim sot duke folur për aktivitetin e botimit të Indeksit të Dhomës Amerikane të Tregtisë për 2020-n.

Ajo gjithashtu theksoi se, “vërtet më intereson thellësisht ajo që flitet në këtë raport sepse është shumë e rëndësishme për perspektivën e investimeve amerikane në Shqipëri”.

“Besoj nuk ka për ta habitur askënd, madje as në këtë sallë të mësojë që anketimi tregon rënie në klimën e biznesit, ka qenë me të vërtetë një vit shumë i vështirë, pasi përveç dy tërmeteve kemi pasur qartazi situatën e COVID që vërtetë ka vendosur një frenues”, shtoi Kim.

“Dhe në të njëjtën kohë ka gjithashtu problematika strukturore të cilat pengojnë investimet amerikane në Shqipëri, dhe këto janë çështje të cilat janë të parashikueshme, janë të dukshme dhe ka diçka që Shqipëria mund të bëjë për to. Kështu që mendoj që mund të punojmë së bashku për t’i trajtuar këto çështje. Disa prej këtyre sikundër e përmenda, janë klima politike, konkurrenca e padrejtë dhe korrupsioni. Ndikon gjithçka. Në tre prioritetet që unë kam në Shqipëri që është rritja e marrëdhënieve për mbrojtjen, mbështetja e Shqipërisë si një vend demokratik dhe rritja e investimeve amerikane në Shqipëri. Secila prej tyre ndikohet nga korrupsioni”, tha Kim.

“Kështu që në këtë pikë përveç se të caktojmë se kush e ka fajin për këto probleme që ekzistojnë, shpresoj që komuniteti i biznesit së bashku më mbështetjen e Ambasadës amerikane do të shikojë për zgjidhje praktike për të trajtuar këto çështje. Pikëpamjet tuaja dhe veprimet tuaja më të rëndësishme do të jenë vendimtare në këtë përpjekje”, u shpreh Kim

Ndaj, theksoi ajo, “ jam kureshtare të di se cili është vizioni i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri dhe cilat janë rekomandimet tuaja konkrete sesi të lëvizim nga një situatë shumë e vështirë? Si mund të krijohen vende pune? Si do të tërhiqen investimet e huaja dhe si do të rrisim mundësitë për të rinjtë? Të gjitha këto janë pyetje për Dhomën Amerikane të tregtisë. Por më e rëndësishme, le të jemi të sinqertë këto janë gjithashtu pyetje për qeverinë. Dhe ju jeni ata që mbani çelësin për këto pyetje, por edhe përgjigjen ndaj tyre”.

“Të gjitha palët e interesuara në ekonominë shqiptare duhet të bashkohen për të prodhuar zgjidhje, qasje proaktive të orientuara drejt zgjidhjeve”, nënvizoi ajo.

“Fakti që situata politike doli në krye të listës është shqetësim dhe tregon se shqiptarët janë më të lodhur nga politika se zakonisht. Ata duan një zgjidhje, nuk duan thjesht që të vazhdohet me një lojë faji, ku njëra palë fajëson tjetrën. Ajo që shikoj nga njerëzit që kam takuar anë e mbanë vendit është që ata duan të shikojnë që udhëheqësit të punojnë së bashku për të mirën e popullit. Duan që qeveria t’u mundësojë që të kenë një shans, t’u ofrojë një mundësi pa frikë dhe pa korrupsion, një mundësi për të fituar më shumë para, për të arritur një standard të mirë jetesë si dhe një mundësi  të mirë për t’u dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë në Shqipëri”, theksoi ambasadorja e SHBA.

“Siç e ka thënë presidenti John F. Kennedy dikur për politikën e shëndoshë ekonomike amerikane, “batica i ngre të gjitha anijet” dhe ne duam ta shohim këtë të ndodhë në Shqipëri. Ndaj sërish ju sfidoj të gjithëve këtu, qofshi këtu në qeveri ose jo, qofshi nëse jeni në qeverisje apo në biznes  që ta përdorni këtë raport të sotëm për të përfituar njohuri mbi atë që duhet të rregullohet, mbi atë që duhet ndryshuar dhe si të ecim përpara”, u shpreh ambasadorja Kim.

“Populli shqiptar do rezultate nuk do ofendime. Ata duan vizion dhe nuk duan ndarje. Jemi besimplotë që populli dhe udhëheqësit shqiptarë janë të aftë të ngrihen mbi këtë sfidë dhe SHBA si gjithmonë do të jenë të gatshme t’iu mbështesin”, tha Kim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button