Programe në “prime time” që synojnë të tërheqin sa më shumë audiencë, emisione të ngjashme, lajmet e mbrëmjes në të njëjtin orar, të dy televizionet investojnë shumë për të marrë vëmendjen maksimale të publikut. Sa më shumë audiencë, aq më shumë të ardhura përmes reklamave, që janë burimi kryesor i financimit të televizioneve.
Deri në vitin 2017, Top Channel ishte më i madhi në vend sa u përket të ardhurave, me Klan që e ndiqte në vend të dytë. Por, 2018-a ka sjellë një përmbysje në renditje.
Tv Klan për herë të parë ka raportuar të ardhura totale më të larta sesa Top Channel, duke u bërë kështu televizioni më i madh në vend sa i përket qarkullimit vjetor. Sipas të dhënave të deklaruara në bilancin vjetor, xhiro e TV Klan në 2018-n ishte 1.46 miliardë lekë (rreth 11.7 milionë euro), me një rritje prej gati 12% në raport me vitin e kaluar.
Top Channel, raportoi të ardhura totale prej 1.37 miliardë lekësh (rreth 11 milionë euro), me një rritje prej 0.6% në raport me vitin e kaluar.
Televizioni i tretë më i madh në vend, Vizion Plus kishte një qarkullim vjetor prej rreth 435 milionë lekësh (3.5 milionë euro), me rritje prej 8.7%.
Tv Klan rezulton si televizioni më fitimprurës në vend. Në 2018-n realizoi fitime para taksave prej rreth 1.5 milionë eurosh (në rënie të lehtë në raport me vitin e mëparshëm). Top Channel ka arritur të katërfishojë fitimet në 2018-n, por në nivelin e rreth 180 mijë eurove mbeten shumë më të ulëta se të Klan. (Klan kishte një normë fitimi prej 13.5%, përkundrejt 1.6% të Top).
Fitime minimale ka dhe Vizion Plus prej rreth 20 mijë eurosh (me normë fitimi më pak se 1%).
Sipas publikimeve të mëparshme të Monitor, në total, tregu i reklamave vlerësohet të jetë rritur në 2018-n me rreth 5-7%, duke arritur në nivelin e 39 milionë eurove. Tre televizionet më të mëdha marrin më shumë se 60% të shpenzimeve totale që bëhen nga kompanitë për të reklamuar produktet e tyre.
Tregu i reklamave mbetet i nënzhvilluar në vendet e rajonit, për shkak të vetë nivelit të ekonomisë dhe sofistikimit të bizneseve.
I matur për frymë, sipas vlerësimeve të Institutit të Mediave dhe IREX (organizatë globale zhvillimi dhe edukimi që bën vlerësimin rajonal të të ardhurave vjetore nga publiciteti), tregu i reklamave në Shqipëri gjeneron 13 euro në vit për person, duke u renditur ndër nivelet më të ulëta në rajon, së bashku me Bosnjën. Kryesimin e mban Serbia, me rreth 20 euro/person, e ndjekur nga Maqedonia dhe Mali i Zi, me rreth 17 euro.
Në krahasim me vendet e zhvilluara, rajoni ka të ardhura tepër modeste. Sipas Statista, portalit global të statistikave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tregu më i madh në botë, renditen të parat në botë me të ardhura prej 191 miliardë dollarësh, ose 602 dollarë për person, të ndjekura nga Australia (565 USD/frymë), Mbretëria e Bashkuar (407 USD), Norvegjia, (368) etj. Tregu global në 2016-n u vlerësua në 493 miliardë dollarë.