Kronika

Klinikat private ‘fshehin’ abortet, zv/ministri i Shëndetësisë e pranon: U nxituam me vendimin për…​

Pas vitit 2014 ka një mungesë totale informacioni në lidhje me të dhënat e sakta për numrin e aborteve, ndërkohë që kjo situatë është krijuar si pasojë e një vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë, i vitit 2013 për të deleguar abortet drejt materniteteve shtetërore”.

Shqetësimi u ngrit nga UNFPA dhe organizata “Infinit Plus”, gjatë një tryeze ku të pranishëm ishin zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe gazetarë të fushës. Gjatë prezantimit theksi u vu te fakti se ky vendim ka sjellë një nënraportim të rasteve të aborteve nga klinikat private. “Evitimi i këtyre klinikave erdhi në atë kohë si pasojë e një sërë ngjarjesh me humbje jete pas abortit.

Por, kjo dukshëm nuk ka ndodhur, pasi sipas raportimeve, vetëm 10% e aborteve janë bërë në sektorin privat. Kjo tregon se ka fshehje të të dhënave nga klinikat private edhe si kërkesë e adoleshentëve apo familjeve të tyre për të ruajtur anonimatin. Ndaj të miturat japin moshë dhe emër të ndryshëm kur regjistrohen në klinika”, – vlerëson UNFPA.

I pyetur në lidhje me këtë situatë, zëvendësministri Rjepaj pranoi se vendimi i atëhershëm ishte një masë e nxituar dhe nuk u mor në bashkërendim me institucionet e tjera, që do të mundësonin zbatimin e tij. “Marrja e këtij vendimi erdhi në të njëjtën kohë me krijimin e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Praktikisht ISHSH është një institucion i ri dhe nuk i ka kapacitetet e nevojshme për të ushtruar kontrolle, por edhe përvojën e njohuritë e duhura për ta bërë këtë”, – shtoi Rjepaj.

Kontraceptivët
Ndërkaq, gjatë takimit theksi u vu edhe te përdorimi i ulët i metodave të kontracepsionit, si një mënyrë për të shmangur shtatzënitë e padëshirueshme, që më pas detyrojnë shumë gra e vajza të shkojnë drejt abortit. “Vetëm 10.6% e grave të martuara kanë përdorur një metodë moderne kontraceptive, kundrejt 58.7% që kanë përdorur një metodë tradicionale. Kjo shifër nënkupton një rritje të vogël të shkallës mbizotëruese të kontraceptivëve modernë me 8% në krahasim me vitin 2002”, – vlerëson UNFPA.

Nga ana tjetër, kjo organizatë thekson se aksesi i adoleshentëve në metoda moderne kontraceptive nga sektori publik paraqet vështirësi, sepse ky grup nuk i frekuenton këto shërbime për arsye se ato ofrohen nga klinika dhe maternitete dhe akoma më pak në qendrat shëndetësore në zonat rurale.

Sa i takon planifikimit familjar rezulton se në rajonin europian nevojat e paplotësuara luhaten nga 5-23%, ndërsa në Shqipëri, 13% e femrave të martuara kanë një nevojë të paplotësuar për planifikim familjar, 3% për distancim të lindjeve dhe 9% për kufizim të lindjeve.

Martesat e hershme
Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë tryezës ishin edhe martesat në moshë të hershme, ku sipas një studimi të realizuar nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në Korçë, Pogradec dhe Vlorë rezulton se ato janë prezente. “Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Pogradec, gjatë periudhës 2011-2016 janë paraqitur 34 kërkesa për ‘lejim lidhje të martesës nën moshë’, nga të cilat 85.3% e kërkesave janë pranuar (29 kërkesa) dhe 14.7% e kërkesave janë pushuar (5 kërkesa)”, -rezultoi nga studimi.

Po ashtu, në 76% të rasteve të pranuara, pretendentët për bashkëshort të ardhshëm jetojnë në Shqipëri. Ndërsa janë 7 raste ose 24% e rasteve të pranuara pranë gjykatave, në të cilat pretendentët për bashkëshort të ardhshëm jetojnë jashtë Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button