Klodian Zoto mblodhi të dhëna kompromentuese për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj
Emailet e rrjedhura në media sugjerojnë se biznesmeni Klodian Zoto – i shpallur në kërkim nga SPAK për aferën e inceneratorëve, mblodhi dhe ruajti fatura të hoteleve në të cilat përmendet si përfitues ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj.
Nga Vladimir Karaj
Në verë të vitit 2020, Klodian Zoto, biznesmeni i shpallur në kërkim për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave, i shkroi një hoteli ku kishte bërë pagesë me kartën e tij të kreditit vite më parë dhe kërkoi që t’i konfirmonin pagesën e bërë në favor të ish-zëvendës kryeministrit, Arben Ahmetaj.
“I dashur Klodian! Faleminderit për përgjigjen tuaj dhe për kopjen e kartës së kreditit. Ne konfirmojnë që fatura bashkëlidhur për klientin: Arben Ahmetaj u pagua me këtë kartë krediti në vitin 2013,” thuhet në një email të nisur nga stafi i hotelit ‘Starlight Suiten Hotel Renngasse’ në Vienë më 18 qershor 2020.
Emaili tregon interesimin e Zotos, emri i të cilit përmendej në atë kohë si njeriu kryesor pas kompanive që përfituan kontratat e dyshimta të inceneratorëve, për të mbledhur informacion në lidhje me pagesat e tij për llogari të Ahmetajt.
Lista e komunikimeve të Zotos me 6 hotele në Europë rrodhi në media pas kallëzimit në SPAK të bërë nga gazetari Adriatik Doçi. Në emaile zbulohet se i akuzuari për korrupsion aktiv e pastrim parash në aferën e inceneratorëve ka prenotuar ose paguar me kartën e tij të kreditit qëndrimet e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj në disa prej hoteleve.
Në emailet dhe faturat e publikuara rezulton edhe emri i Mirel Mërtirit, i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion aktiv dhe pastrim parash sa i përket ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit.
Ahmetaj, i cili në Komisionin Hetimor Parlamentar për inceneratorët pati mohuar afrimitetin me Zoton dhe Mërtirin, sipas këtyre e-maileve ka pasur udhëtime dhe kontakte me ta të paktën prej vitit 2013.
BIRN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e emaileve; megjithatë, i pyetur rreth tyre, Ahmetaj nuk i përgjigj një kërkese për koment.
Ardian Leka, avokati i Klodian Zotos nuk pranoi gjithashtu të komentonte mbi emailet e publikuara.
Pagesa për dhoma hoteli
Sipas ‘emaileve’ të publikuara në media, Zoto ka paguar 4,544 euro me kartën e tij të kreditit për Ahmetajn dhe për Mërtirin, për hotele në Bukuresht, Vienë dhe Milano. Por kjo mund të mos jetë shuma totale e shpenzuar prej tij, pasi në dy prej email-eve për prenotim, nuk përmendet pagesa e kryer.
“Duam të të konfirmojmë që e morëm dokumentin për kreditim të plotë të dy dhomave nën emrin e zotit Ahmetaj”, thuhet në një prej email-eve.
Më herët, në një telefonatë me BIRN Ahmetaj e mohoi të kishte përfituar nga Zoto.
I pyetur në shkurt gjatë Komisionin Parlamentar Hetimor për inceneratorët nëse i njihte tre emrat që qëndrojnë pas tre kontratave koncensionare të inceneratorëve – Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, Ahmetaj pretendoi se nuk kishte afrimitet me ta.
“Zoton e njoh në distancë”, tha ai, ndërsa shtoi se “nuk kam lidhje biznesi, pune, familjare apo krushqie me asnjërin prej tyre”.
Një udhëtim i Ahmetajt me Mirel Mërtirin u dokumentuan në një investigim të BIRN në gusht 2020.
Emailet tregojnë se këto udhëtime janë prenotur ose paguar nga karta e kreditit e Zotos. Në emailet nga hotelet, një pjesë të të cilave duket se Zoto se i mblodhi në verë të 2020 kur afera ishte denoncuar publikisht, lëvizje të tilla kanë qenë të shpeshta.
Reagimet politike
Publikimi i emaileve të Klodian Zotos është shoqëruar me reagime nga përfaqësues të opozitës. Jorida Tabaku, deputetja e Partisë Demokratike që drejtoi Komisionin Parlamentar për Inceneratorët, në një postim në Facebook rikujtoi dëshminë e Ahmetajt në parlament dhe e akuzoi atë për lidhje të afërta me të akuzuarit.
“Arben Ahmetaj, dëshmitar në atë Komision, kur u pyet prej meje nëse kishte udhëtuar apo kishte njohje të afërta me të dyshuarit Zoto, Mërtiri dhe Gugallja iu përgjigj me mohim. Mirëpo provat e fundit të publikuara në media tregojnë që ai ka njohje të afërt me të gjithë personat që janë shpallur në kërkim”, shkroi Tabaku.
Tabaku i kërkoi SPAK të jepte shpjegime pse nuk kishte ngritur akuza ndaj Ahmetajt dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë aferë.
“Njerëzit e përfshirë në aferën e inceneratorëve, me vlerë 430 mln euro, fshehin sekrete për korrupsionin e ministrave”, tha ajo.
Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Ahmetajn dhe kryeministrin Edi Rama për rol kryesor në aferë.
“Kjo vërteton plotësisht deklaratën e PD dhe opozitës, e cila ka denoncuar me kohë skemën e megavjedhjes. Ahmetaj dhe Rama kanë rolet më kryesore”, tha Berisha.
Në krahun tjetër, qeveria dhe Partia Socialiste, një deputet i të cilës është tashmë i arrestuar dhe nën akuzë për këtë aferë, tha se nuk do të komentojë hetimet.
I pyetur nga BIRN, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se duhej të lihej prokuroria që të hetonte.
“Çdo ndërhyrje nga ana jonë, kushdoqoftë unë si kryetar grupi, deputet apo dikush tjetër si bën mirë pavarësisë. Për ta përmbledhur pyetjet tuaj me vend , duhet të lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet. Nuk do të komentoj çështje që janë në hetim”, tha Balla.
Për abuzimet e dyshuara me fondet për ndërtimin e dy impianteve të incenerimit të mbetjeve në Fier dhe në Tiranë, SPAK ka marrë të pandehur ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili është prej një viti i arrestuar, deputetin Alqi Bllako, administratorët e kompanive të përfshira, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, bashkëjetuesin e Gugalljas Mirel Mërtiri dhe një numër të akuzuarish të tjerë.
Sa i përket inceneratorit të Elbasanit, 10 persona janë të pandehur dhe u dërguan në gjykatë me akuza për korrupsion, pastrim parash e të ngjashme, nga të cilët 4 janë në burg, 3 po hetohen në arrest shtëpie ndërsa 3 janë në kërkim. Për inceneratorin e Fierit janë nën akuzë 21 persona, por një pjesë e të akuzuarve janë të njëjta në të dy hetimet.
Ndërkohë, për projektin e inceneratorit të Tiranës dhe disa projekte të tjera të denoncuara bashkë me të lart përmendurat, Prokuria e Posaçme thotë se vazhdon hetimet. SPAK nuk ka dhënë asnjë masë shtrënguese ndaj personave të dyshuar apo kompanisë Integrated Energy BV Shpk, e cila vazhdon të marrë qindra mijëra euro nga buxheti shtetit çdo muaj, edhe pse nuk bën incenerim të mbetjeve.
Reporter.al