Klosi: Rezultati i 2025 me 300 mijë vota më shumë se opozita, mesazh për qeverisje serioze nga Edi Rama
Partia Socialiste ka mbledhur sot Asamblenë e saj në Durrës, ku Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi analizoi me detaje rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2025 dhe vlerësoi lidershipin e Kryeministrit Edi Rama.
Fjalën hapëse po e mban Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, duke theksuar se PS vjen sot si forca me një mandat të plotë qeverisës.
Ai tha se garantimi i 53.3% të votës kombëtare në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk ishte një arritje rastësore. Shtuar këtu, theksoi ai, edhe votëbesimin e diasporës.
Blendi Klosi tha se diferenca prej mbi 327 mijë votash me opozitën është një tregues i qartë se shqiptarët kanë zgjedhur stabilitetin dhe seriozitetin e qeverisjes.
“Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës vjen sot në vitin e saj të 35 më fituese dhe më e organizuar se asnjëherë më parë. Jemi mbledhur sot pas konfirmimit nga vota e shqiptarëve si forca e qeverisë së vendit, ndaj kjo mbledhje nuk është thjesht një analizë rezultati, por një takim vlerësues për një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm politik,” – u shpreh Klosi.
Ai theksoi se fitorja e PS-së nuk është e rastësishme, por një kontratë e ribesuar me shumicën e shqiptarëve.
“Fitorja jonë nuk është një fitore e zakonshme, por një provë besimi e jashtëzakonshme. Është një mesazh i qartë se shumica e shqiptarëve ka zgjedhur stabilitetin, seriozitetin e qeverisjes dhe drejtimin politik të vendit nga Edi Rama dhe Partia Socialiste. Një parti që fiton 4 herë radhazi nuk mund të sillet si një parti që fiton për herë të parë, duhet të jetë më e fortë, më e qartë, më e organizuar dhe më kërkuese ndaj vetes.”
Sekretari i Përgjithshëm solli shifra konkrete për rezultatin e vitit 2025.
“Me 53.3% të votës kombëtare, me mbi 327 mijë vota diferencë ndaj kundërshtarit kryesor, me shumicën e votave të vlefshme të diasporës, me 83 mandate në Kuvend, kjo është një fitore e plotë, jo e ngushtë dhe jo e përkohshme. Rezultati kombëtar i vitit 2025, 855,831 vota për Partinë Socialiste, nuk është vetëm një rezultat matematikor, por një kontratë e rinovuar mes PS-së dhe shumicës së shqiptarëve.”
Klosi vuri në dukje edhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në PS, duke e cilësuar si një energji të re për forcën politike.
“Numri i të rinjve u rrit nga 11,315 gjatë procesit të rienergjizimit në 23,167, pra nga 12% në 25% të anëtarësisë. Kjo tregon se kemi ditur të riorganizohemi dhe të flasim më qartë me qytetarët.”
Ai shtoi se diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë fitore, duke theksuar se, “Fakti që diaspora i jep PS 61.1% të votave të vlefshme jashtë vendit e bën fitoren edhe më të fortë politikisht. Krahasuar me vitin 2021, Partia Socialiste forcohet, ndërsa opozita dobësohet. Ne nuk kemi fituar sepse opozita ka rënë, por sepse kemi ditur të qëndrojmë të bashkuar, të organizohemi dhe të flasim më qartë me qytetarët.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.