KLSH: Institucionet shpërfillën rekomandimet
Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre shqetësimin se institucionet publike nuk zbatojnë masat disiplinore për punonjësit që kapen me shkelje financiare gjatë auditimeve.
Në raportin e vitit 2015, KLSH bën të ditur se gjatë vitit që lamë pas ka rekomanduar 1590 masa disiplinore ndaj nëpunësve publikë, të cilët kanë abuzuar me detyrën ose kanë kryer shkelje financiare. Por sipas organit suprem të autiditimit, nga këta 1590 rekomandimet, institucionet zbatuan vetëm 797 prej tyre ose 50.1 përqind.
“Kjo tregon se drejtuesit e lartë të institucioneve nuk po reagojnë si duhet për të ndëshkuar papërgjegjshmëritë institucionale”, thotë KLSH.
Të dhënat zyrtare tregojnë se niveli i zbatimit të masave disiplinore u përkeqësua vitin e kaluar. Sipas KLSH në vitin 2014 shifra e rekomandimeve të plotësuara ishte 64 përqind, ndërsa vitin që lamë pas ajo ra në 50.1 përqind. Kjo do të thotë se në çdo dy masa displinore të kërkuara nga KLSH, institucionet zbatojnë vetëm një.
Sipas KLSH, e vetmja masë që institucionet zbatojnë në nivel të kënaqshëm është ajo e vërejtjeve për punonjësit, ndërsa masat e tjera për shkeljet më të rrepta zbatohen në nivele shumë të ulëta.
“Mjaft i ulët rezulton niveli i zbatimit të masave “Largim nga shërbimi civil”, rreth 32 përqind të zbatimit të masave të rekomanduara, për më keq akoma më i ulët është ky tregues për zyrtarët e nivelit të lartë”, shprehet Kontrolli.
KLSH thotë se paavarësisht këtyre shifrave do të vazhdojë të kërkojë me këmbëngulje që institucionet të zbatojnë plotësisht masat disiplinore ndaj çdo nëpunësi që ka abuzuar me paratë publike.