Bota

Koment: Mariupoli është edhe Evropë

Ukraina është në zi. Sulmet ndaj qytetit port Mariupol janë një shkallë e re e luftës. Deri tani të gjitha përpjekjet diplomatike kanë dështuar. Evropa duhet të përballet me të vërteta të pakëndshme, mendon Bernd Johann.

Ukraine Gedenken an Opfer in Mariupol in Kiew 25.01.2015

Tmerr në Ukrainë. Në sheshe qendrore në të gjithë vendin njerëzit vendosën qirinj dhe lule. Shenjë e simpatisë së tyre për viktimat e sulmeve masive me raketa ndaj civilëve në qytetin port Mariupol. Është një shenjë e unitetit të ukrainasve kundër dhunës së separatistëve prorusë në Lindje të vendit.

Ky sulm është krim lufte

Në Mariupol ndodhi një krim lufte. Siç ndodhi atëherë në luftën e Bosnjës, kur në tregun e Sarajevës njerëz të pafajshëm u copëtuan nga bombat. Dhe si atëherë, edhe tani duhet të kërkohet që personat përgjegjës për masakrën në një zonë banimi në Mariupol të nxirren para përgjegjësisë. Por ndryshe nga ish-Jugosllavia, këtë herë në Evropë nuk pasoi protesta publike. A është Mariupoli për Evropën shumë larg?

Impresionues është reagimi i matur i Presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko. Ai e dënon me forcë aktin dhe kërkon konsekuenca, por nuk bën thirrje për shpagim, ai kërkon vazhdimin e përpjekjeve diplomatike dhe një zgjidhje paqësore. Megjithatë të duhet të shtrosh pyetjen: çfarë suksesi mund të ketë diplomacia, kur luftënxitësit e Donjeckut dhe Luhanskut duan t’i avancojnë me dhunë ekstreme planet e tyre të “Novorossija”-s?

Paqartësi për synimet e Rusisë

Ofensiva ushtarake e sinjalizuar nga separatistët për në fundjavë nuk ndodhi. Ajo mund të qe drejtuar para së gjithash kundër Mariupolit. Do të kishte qenë hapi për një urë tokësore midis Lindjes së Ukrainës dhe gadishullit të Krimesë në jug, të cilin Rusia mund ta furnizojë tani vetëm me anije ose nga ajri. Po ta mbështeste Kremlini një plan të tillë, atëherë do të kapërcehej kufiri për luftën e hapur me Ukrainën.

Përfundime të pakëndshme për Evropën

Sido që të zhvillohet kjo luftë, Evropa duhet të përballet me përfundime të pakëndshme. Të gjitha përpjekjet e deritashme diplomatike kanë qenë të kota. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov u shpreh në një takim me homologun e tij në Berlin që të tërhiqen armët e rënda. Vetëm dy ditë më vonë në Mariupol shpërthyen raketat. Të shkrehura nga zona që kontrollohen nga separatistët. Këtë e konfirmuan edhe vëzhgues të OSBE-së në rajon.

Në të vërtetat e pakëndshme bën pjesë edhe që një heqje e sanksioneve Rusisë, për shkaqe ekonomike, në këtë situatë politikisht nuk mund të bëhet. Përkundrazi: sanksione të reja janë në diskutim, po të shkallëzohet edhe më tej lufta, siç duken punët.

“Ne jemi Mariupol”, deklarojnë ukrainasit solidaritetin e tyre me viktimat e masakrës. Me “Je suis Charlie”, shtetet evropiane shpallën solidaritetin e tyre me francezët, pas atentateve të Parisit. Ndaj sulmit me raketa kundër njerëzve në Mariupol publiku evropian reagon i përmbajtur. A jemi mësuar shumë me luftën? Shumë ukrainasve u mungon një sinjal i vendosur nga Perëndimi. E qartë është: Mariupoli është në Evropë. Po a është edhe Evropa në Mariupol? Edhe për këtë pyetje duhet të gjejnë përgjigje evropianët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button