Koment: Një shtet dështon presidenti i Jemenit jep dorëheqjen
Lajmet nga Jemeni janë kontradiktore dhe konfuzionuese: Sulmohet pallati presidencial, kreu i shtetit jep dorëheqjen. Por rebelët nuk duan të marrin pushtetin, thonë ata. Anne Allmeling komenton.
Në Jemen pësëri mbizotëron kaosi. Pasi rebelët houthi sulmuan pallatin presidencial, Këshilli i Sigurimit të OKB-së kërkoi që pushteti të kalojë sërish në duart e presidentit Hadi. Por problemi është, se pushteti asnjëherë s’ka qenë në duart e Hadit. Të paktën jo tërësisht. Se kush e ka vërtetë komandën në Jemen, kjo është jashtëzakonisht e vështirë të ndriçohet – e kjo madje ka qenë kështu edhe para fillimit të së ashtuquajturës pranvera arabe.
Për dekada me radhë, Ali Abdullah Saleh e mbante vendin të bashkuar. Këtë ai e bënte tërësisht për interesat e veta: Që nga bashkimi i ish-Jemeit socialist të Jugut me Jemenin Verior në vitin 1990 sundimtari afagjatë kishte mundësi të përfitonte prej burimeve të mbarë vendit. Ai gjithmonë rishpërndarjen e ka bërë sipas leverdisë së vet: gjithmonë atje, ku era frynte në favorin e tij. Kësisoj ish-presidenti ai ia doli që t’i nxiste kundër njeri-tjetrit fiset me interesa të ndryshme dhe t’i mbante nën zap kundërshtarët e vet. Saleh në këtë mënyrë vetëm e ka shtuar varfërinë në vendin më të varfër të botës arabe. E kjo strategji ka funksionuar për aq kohë sa në arkë ka apsur ende edhe pak para. Të paktën në dukje.
Koalicionet në luftën për pushtet në Jemen
Klanit houthi asnjë herë nuk i ka shkuar përshtat politika e presidentit. Që nga lufta civile në vitet 1960, shiitët e ndiejnë veten të margjinalizuar prej shumicës sunite – edhe për arsyen se Saleh për një kohë të gjatë ka qenë në alancë me vëllazërinë myslimane sunite. Që nga viti 2004 luftëtarët houthi nga veriu luftojnë kundër trupave të qeverisë qendrore. Vazhdimisht ata kanë zhvilluar beteja vdekjeprurëse. Por dikur pati një armëpushim. Ndoshta, kështu mendojnë disa vëzhgues, kjo marrëveshje ka qenë asokohe një kalkulim taktik. Sot duket se Ali Abdullah Saleh dhe rebelët huthi kanë një interes të përbashkët: përmbysjen e qeverisë së Jemenit.
Kjo për faktin se pranvera arabe i dha fund edhe sundimit 33-vjeçar të Saleh. Në vitin 2012 shumica e fiseve hyri në aleancë me houthi-t dhe me disa pjesë të ushtrisë, me një sërë islamikësh sunitë dhe të rinj që protestonin kundër Saleh – kjo vetëm përkohësisht. Saleh humbi presidencën. Por ai mbeti në Jemen dhe ishte në gjendje t’i mbajë disa nga përkrahësit e tij në ushtri si dhe në mesin e fiseve. Që ai është ende i fuqishëm e dëshmon fakti, se partia e tij është pjesë e koalicionit qeveritar dhe se ai mundi ta zgjedhë ish-zëvendësin e tij Hadi si pasuesin e vet. Por Saleh nuk mjaftohet me kaq, ndonëse ai nuk e thotë këtë kaq qartë.
Apeli i pafuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare
Ish-presidenti dëshironte të kthehej në pushtet – ose të paktën të ruante influencën e tij. Sepse presidenti Hadi përpiqetjqysh nga virti 2012 që ta spostonte Saleh – si nga qeveria, nga politika ashtu edhe nga ushtria. Edhe huthi-t duan ta forcojnë pushtetin e tyre. Tani ishte rasti i favorshëm, sepse qeveria qendrore në Jemen është dobësuar edhe më shumë se më parë. Edhe gjatë dekadave të fundit ishte e dyshimtë nëse ajo kishte kontrollin ndaj të gjitha zonave të thella të vendit, atje ku nuk ka rrugë e as shkolla apo spitale. Prej kohësh Jemeni konsiderohet si zona e strehimit të rrjetit terrorist të Al-Kaidas. Sipas të dhënave të veta qeveria qendrore u kundërvihet me këmbëngulje terroristëve – duke e bërë këtë me mbështejen financiare të SHBA-së. Në të vërtetë ndër të arrestuarit dhe të vrarët ka pasur edhe prej tyre, por pasur edhe kundërshtarë të regjimit ose jemenitë nga jugu, të cilët kërkojnë pavarësinë e tyre prej veriut. Kjo në fakt nuk e justifikon që t’u lihet tani dorë e lirë rebelëve huthi apo të plotësohet dëshira e Saleh për zgjedhje të reja. Ndaj kërkesa e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta vendosur pushtetin në duart e presidentit Hadi tingëlloi tërësisht e pashpresë. Presidenti Hadi prej vitesh ndodhej në rrugën e një shteti të dështuar. E presidenti Hadi vështirë se do të mund ta ndryshonte këtë.