Koment: Plagë të hapura në Ukrainë
Një vit pas kryengritjes, krimet në Maidan nuk janë sqaruar. Ukrainasit fituan atëherë kundër një regjimi të korruptuar, por dëshira e tyre për një jetë më të mirë deri tani ka mbetur e parealizuar, mendon Bernd Johann.
Para një viti, ukrainasit mundën një regjim autokrat dhe të korruptuar. Ata zgjodhën demokracinë dhe duan një perspektivë evropiane për vendin e tyre. Por lufta e tyre për dinjitet dhe vetëvendosje tani ka një kundërshtar shumë më të fuqishëm: Rusinë. Nga frika e një Ukraine demokratike, Kremlini ka cytur një luftë në Evropë. Ai do që të pengojë me çdo kusht, që Ukraina të bëhet një vend evropian, i cili t’u mundësojë qytetarëve të saj një jetë në demokraci, mirëqënie dhe para së gjithash paqe.
Për muaj të tërë demonstruan qindra mijëra vetë në Ukrainë kundër sistemit autoritar të Viktor Janukovicit dhe kundër një pushtet shtetëror, i cili reagonte në mënyrë gjithnjë e më brutale. Dhe kthesa erdhi. Pushtetmbajtësit kapitulluan dhe u arratisën në Rusi, e cila i quan protestat deri më sot gabimisht si grusht shteti. Por në të vërtetë sistemi pësoi kolaps nga brenda. Në fund ishin madje edhe forcat e sigurisë që nuk pranuan ta ndjekin Janukoviçin. I frikësuar autokrati morri arratinë. Me një puç nuk patëm të bënim. Vetëm pasi Janukoviçi kishte kohë që ishte larguar, parlamenti e shpalli atë të rrëzuar.
Zemërim për luftën dhe dhunën
Moska reagoi për ngjarjet në Ukrainë me agresion dhe me dhunë. Kundër rregullave të së drejtës ndërkombëtare ajo aneksoi Krimenë dhe provokoi pastaj një luftë në Ukrainën Lindore. Pas Janukoviçit tani është Rusia ajo që kërkon t’u marrë ukrainasve të drejtën për vetëvendosje dhe për dinjitet. Në këtë kuadër, ukrainasit i kujtuan tani me krenari dhe me pjesëmarrje të madhe personalitetesh ndërkombëtare protestat në Maidan në Kiev para një viti. Atje u hap dera e lirisë, por u hapën edhe plagë të reja. I madh është dëshpërimi para së gjithash për rreth 100 vetët, të cilët u vranë nga protestat në Kiev nga snajperët. Por me dëshpërimin përzihet edhe zemërimi. Dhe ai është i drejtuar në radhë të parë kundër qeverisë ukrainase. Sepse deri sot nuk është sqaruar se kush ka shtirë atëherë kundër demonstruesve dhe policëve. Kush ishin dorasit? Kush ua dha atyre urdhrat për masakrën në Maidan? Të afërmit e viktimave ende presin përgjigje. Drejtësia e Ukrainës ka dështuar deri tani në sqarimin e këtyre krimeve. Plagët janë të hapura.
Lufta për dinjitetin nuk është fituar
Por i madh është ndërkohë hidhërimi për mijëra vetët, të cilët i ka kërkuar deri tani lufta në Ukrainën Lindore. Mbi një milion njerëz janë kthyer në refugjatë në Ukrainë dhe jetojnë sot atje në strehime provizore. Atdheu i tyre është kthyer në një tokë të shkretuar. Qeveria e Ukrainës dhe Presidenti Petro Poroshenko ndodhen nën presionin në rritje të publikut. Në luftën kundër separatistëve të drejtuar nga Moska, ushtria e Ukrainës ka shënuar disfatë pas disfate. Dhe askush nuk e di nëse tani do të ketë vërtet armëpushim dhe tërheqje të armëve të rënda.
Fuqia e Ukrainës konsiston në atë, që njerëzit treguan në Maidan se janë në gjendje të vetëorganizohen dhe të ngrihen kundër gënjeshtrave politike. Është ky guxim i njerëzve ai që duhet t’i fusë frikën Rusisë. Sepse shoqëria civile është një forcë e madhe, e cila një ditë do të veprojë jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Rusi.
Në Ukrainë, shumë kërkesa të Maidanit ende nuk janë vënë në jetë. Krahas reformave në ekonomi, bëhet fjalë para së gjithash për krijimin e një drejtësie të pavarur dhe për t’i dhënë fund korrupsionit në vend. Një vit pas kryengritjes popullore ukrainasit nuk e kanë fituar ende luftën.