Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ndryshon masat kufizuese: Mbeten në fuqi edhe për 2 javët e ardhshme
Rakacolli: Mendojmë që masat e propozuara nga Komiteti kanë qenë efikase dhe i gjithë ky rezultat vjen si bashkëpunim i një pjese të qytetarëve të atyre masave që nuk jemi lodhur asnjëherë së përmenduri. Një nga arritjet më të mëdha ka qenë fushata e vaksinimit, pra zhvillimi me sukses i vaksinimit masiv. Doja të theksoja që Shqipëria në 10 ditëshin e fundit ka zënë vendin e parë në rajon sa i përket ritmit të vaksinimit.
Megjithatë, pavarësisht arritjeve situata nuk është aty ku ne duhet të jemi dhe mendohet që masat të mbeten në të njëjtin nivel si më parë. Pra asnjë ndryshim masash.
-Do të mbetet në fuqi ora policore. Dalja do të jetë deri nga ora 20:00 deri në 06:00, me përjashtim të atyre që kanë arsye shëndetësore.
-Baret dhe restorantet do të punojnë deri në orën 20:00 dhe më pas mund të vazhdojnë shërbimin ‘delivery’.
-Do të kemi vazhdimësinë të mësimit online të universiteteve dhe shkollave të mesme, me përjashtim të maturave të cilët do të vazhdojnë mësimin nëpër klasa.
-Po ashtu, fluturimet me Britaninë edhe këtë dy javësh mbeten të pezulluara.
-Rekomandohet mos grumbullimi i më tepër se 10 vetave.
Ndërsa Albana Fico theksoi se duhet të vijojnë të respektohen masat ndaj Covid-19 pavarësisht vaksinimeve që janë kryer dhe rënieve të rasteve të reja gjatë dy javëve të fundit.
Fico: Kjo javë përcjell edhe një punë të jashtëzakonshme në raport me vaksinimet të cilat deri tani është 221 680 raste por ajo që është më e rëndësishme është që përfundimi i grupit të mjekëve, puna me arsimtarët, gazetarët, farmacistë e stomatologë vijon derisa të përmbyllet duke mos harruar që në trajtë paralele kemi punuar me fashat 70 dhe 80+. Shpërndarja e vaksinës bëhet sipas kushteve.
Është momenti për të kërkuar ndihmën e qytetarëve që të mbajnë distancën, maskën, të higjenizojnë ambientet dhe masat nga ekspertët e shëndetit është e domosdoshme për të qenë të kujdesshëm ndaj sëmundjes Covid-19.
Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se ka pasur raste të Covid-19 edhe në zonat e largëta, ndaj duhet të jemi më të kujdesshëm. Ndërsa Mira Kola tha se ka pasur ulje të rasteve të reja dhe shtrimeve në spital të fëmijëve.
Brataj: Vihet re se numri i vizitave për Covid ka rënë por me një ndryshim të vogël ku numri i vizitave për Covid në banesë në Tiranë dhe qarqet e tjera thuajse është barazuar. Tani kemi një rritje të vogël në qytete të tjera. Edhe numri i shtrirjeve është më i ulët. Listës së qyteteve i janë shtuar 3-4 fshatra të tjera. Përhapja tregon se edhe zonat e largëta po preken nga Covidi. Ndonëse indikatorët janë në rënie, na tregon se duhet të jemi më të kujdesshëm. Të gjitha partitë politike të kenë parasysh zbatimin e rregullave.
Kola: Në moshat pediatrike janë raste që na bëjnë të sjellim informacione mjaft pozitive dhe optimiste. Trend ii rasteve po ulet nga dita në ditë, të shtruarit në spital janë zvogëluar dhe në rastet e moshës fëminore nuk kemi komplikacione dhe fatalitete. Urojmë të vazhdojë ky trend.