Kori i Teatrit të Operës dhe Baletit këndon shqip në Festivalin e Koreve “Sergio Chiarlo” në Itali
Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin e Koreve “Sergio Chiarlo”, që do të zhvillohet në Savigliano, Piemonte, Itali. Në këtë festival, ku marrin pjesë kore nga shtete të ndryshme të botës, Kori i TKOB-së do të interpretojë një repertor shqiptar, duke sjellë për publikun italian tingujt, traditën dhe shpirtin e pasur të muzikës korale shqiptare. Pjesëmarrja e Korit të TKOB-së në këtë festival ka rëndësi të veçantë, sepse promovon kulturën shqiptare në skenën ndërkombëtare, ku do të jetë një tjetër prezantim i trupave artistike të këtij teatri në Itali.
Pas suksesit të baletit “Carmen” në Bolonjë, këtë herë është Kori i TKOB-së që do të përfaqësojë Shqipërinë në një festival në Itali. Aulon Naçi drejtor i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shprehet se është një pjesëmarrje e rëndësishme, sepse Kori i TKOB-së nuk po shkon thjesht në një koncert, por në një festival, ku do të krahasohet dhe do të performojë përkrah koreve të njohura nga qytete të mëdha italiane si Milano, Roma apo dhe Torino. “Është një ngjarje shumë e rëndësishme për vetë faktin, që vetëm Kori i TKOB do të shkojë në një festival të tillë dhe është një ballafaqim edhe me koret, të cilat vijnë nga qytete të rëndësishme italiane”, shprehet Aulon Naçi drejtor i TKOBAP. Edicioni i 36-të i Festivalit Ndërkombëtar të Kantos Korale “Sergio Chiarlo” do të zhvillohet nga data 5 deri më 7 qershor dhe që do të kulmojë me interpretimin e përbashkët të momenteve nga opera “Nabucco”, ku të gjitha koret pjesëmarrëse do të bashkojnë zërat në një mbrëmje të veçantë muzikore.
Kori i TKOB program me autorë të rëndësishëm të historisë së muzikës shqiptare
Repertori i korit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është i pasur dhe i larmishëm, ku në këtë festival do të prezantojë një program të përzgjedhur me krijime nga autorë shqiptarë. Aulon Naçi drejtor i TKOBAP ndërsa vlerëson këtë pjesëmarrje në festivalin në Itali, gjithashtu thekson dhe rëndësinë e programit shqiptar. “Në programin shqiptar janë autorë të rëndësishëm të historisë së muzikës shqiptare si Çesk Zadeja, Rafet Rudi, i cili është dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të panoramës kulturore në Kosovë dhe më tej, po ashtu në program do të ketë edhe krijime nga Milto Vako dhe Avni Mula. Por pas një kohe shumë të gjatë, Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit prezantohet i vetëm në një festival koral që është i rëndësishëm, dhe më pas do të kemi edhe dalje të tjera të trupave artistike”, shprehet ai. Ndërsa për Dritan Lumshin, që është dhe dirigjent i Korit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit është një kënaqësi, që ata do të ndajnë krijimtarinë shqiptare me publikun italian, duke shpresuar që ajo të impresionojë dhe të ketë një ndikim pozitiv. “Është një kënaqësi e veçantë të përcjellim përtej Adriatikut motivet e muzikës shqiptare, të cilat besoj se do të bëjnë përshtypje dhe do të kenë një ndikim shumë pozitiv te publiku italian”, shprehet Lumshi.
Pjesëmarrja e trupave artistike në aktivitete ndërkombëtare
Festivali Ndërkombëtar i Kantos Korale “Sergio Chiarlo” është dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës korale në Europë. Në këtë skenë ndërkombëtare, Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka një pjesëmarrje me peshë të veçantë, duke përfaqësuar denjësisht kulturën shqiptare. Aulon Naçi drejtori i TKOBAP-së thotë që daljet e trupave artistike jashtë vendit janë shumë të rëndësishme, sepse ndihmojnë në ballafaqimin me kulturën evropiane. Ai thotë se të gjitha trupat e TKOBAP-së (orkestra, kori, baleti, ansambli) po marrin pjesë në festivale dhe aktivitete të rëndësishme jashtë vendit, duke bashkëpunuar me artistë të njohur dhe duke shfaqur vlerat e kulturës shqiptare. Drejtori i TKOBAP-së thekson se kjo është një arritje e madhe për promovimin e kulturës shqiptare në arenën evropiane.
“Nëse do flisnim për teatrin përpara shumë vitesh, i cili me të vërtetë ka pasur cilësi, kontribute dhe të tjera, por ka qenë më i mbyllur për sa i përket ballafaqimit me realitete të ndryshme evropiane. Sot, me mundësitë që janë, është shumë e lehtë për të shkuar, por edhe e vështirë për të realizuar. Kështu që jam shumë i lumtur që brenda një viti, qoftë orkestra, e cila e nisi rrugëtimin e saj me gjithë trupën, e cila ishte për më shumë se 70 persona në festivalin “Respighi Bologna 2025” në Teatro Manzoni, duke luajtur me një nga violinistët më të mirë italianë, Giuseppe Gibboni në tetor të vitit të kaluar, dhe rikthehemi po ashtu në Teatrin Komunal të Bolonjës me baletin “Carmen” dhe pas dy javësh, vetëm kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit shkon në Torino, ku pas dy javësh të tjera do të kemi Korin e Ansamblit, i cili do të udhëtojë po ashtu në një festival tjetër dhe pas dy javësh të tjera do të shkojë Ansambli në një festival për herë të parë në një nga shtetet më të rëndësishme evropiane.
Dhe me një intensitet kaq të mirë për të përcjellë dhe për të treguar të gjitha vlerat dhe të gjithë komponentët e TKOB-së, mund të them që është një arritje për kulturën shqiptare”, shprehet Aulon Naçi drejtor i TKOBAP-së. Pjesëmarrja e TKOBAP-së në festivale të tilla ndërkombëtare dëshmon rritjen e dukshme të pranisë së artit shqiptar në skenat europiane. Përmes këtyre pjesëmarrjeve, trupat artistike po promovojnë gjithnjë e më shumë vlerat kulturore të vendit. Ndërsa sa i takon dhe sezonit artistik në TKOBAP po vijon me një program të pasur, me shfaqje dhe me koncerte të ndryshme, ku një pjesë e rëndësishme e programit muzikor janë dhe veprat premierë për publikun.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.