Korridori i VIII në pikëpyetje, vonesa nga kufizimet dhe debatet politike në Maqedoninë e Veriut
Ndërtimi i Korridorit VIII, një projekt paneuropian me rëndësi strategjike, duket se po has vonesa në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se punimet do të shtyhen të paktën deri në korrik, për shkak të kufizimeve në zonat e mbrojtura nga UNESCO pranë liqenit të Ohrit dhe zbulimeve arkeologjike.
Kjo deklaratë ka sjellë reagime të ndryshme, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në rajon, ndërsa vetë faktori politik shqiptar paraqitet i ndarë në qëndrime lidhur me këtë çështje.
“Flitet për UNESCO por askush deri tani nuk ka paraqitur diçka konkrete rreth vërejtjeve të UNESCO-s. Ne jemi që të shqyrtohen vërejtjet e tyre por jo të përdoret UNESCO si një alibi për të ndërprerë një projekt i cili është i interesit strategjik”, u shpreh Faton Pollozhani.
“UNESCO nuk ka pse të jetë pengesë për segmentin Trebenisht-Struge-Qafë Thanë për shkak se nëse shihni trajektoren nga lëviz Korridori i VIII është më së paku 1 km në linjë ajrore nga liqeni”, tha Zijadin Sela, Aleanca për Shqiptarët.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Strugës, Mendi Qyra, shprehet se projekti do të vijojë dhe nuk ka vendim për anulimin e tij.
“Nuk ka asgjë të vërtet në lidhje me vendim të marrë që të mos realizohet. Për momentin nuk realizohet për një kërkesë të UNESCO-s që kërkojnë të gjenden forma optimale për tu realizuar ky projekt”, tha Mendi Qyra, Kryetar i Komunës së Strugës.
Muajt në vijim pritet të tregojnë nëse bëhet fjalë për një vonesë të përkohshme apo për një ngadalësim më të gjatë të këtij projekti.
Gazetare Eftjola Fili
/rtsh.al/
The post Korridori i VIII në pikëpyetje, vonesa nga kufizimet dhe debatet politike në Maqedoninë e Veriut appeared first on RTSH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.