Kryeartikull
Korrupsioni këmbëkryq në parlament
– Nuk është fjala vetëm për Berishën-
Disa muaj para zgjedhjeve të 25 prillit ambasadorja Juri Kim u bëri thirrje partive që të ka bëjnë vetingun për çdo kandidat për deputet. Si përherë partitë tona të korruptuara e mirëpritën atë kërkesë me buzëqeshjen e tyre të ngrirë. Me siguri si Basha, Rama, Kryemadhi, etj. kanë thënë me vete” Fol zonja Juri, fol, po ne do të bëjmë tonën.” Dhe e bënë. Zoti Lulzim Basha caktoi në listën e deputetëve të PD-së Sali Berishën, edhe pse ai bashkë me familjen u shpall ”non grata” nga SHBA për korrupsion . Shumë shpejt harruan precedentin kur amerikanët ngulën këmbë që Tom Doshi, i cili gjithashtu është shpallur ”persona non grata” për korrupsion të mos kandidonte për deputet. Nga ai presion, zoti Doshi veproi drejt dhe nuk kandidoi. Mbase zoti Luli pret çastin që sërish zonja Juri Kim të thotë hapur: ” Jo Berisha në parlament!”, në mënyrë që ai t’i lajë duart si pillati para njeriut që i dhuroi drejtimin e partisë.” Unë të vura në listë, po nuk kam ç’tu bëj amerikanëve që po këmbëngulin të të heqim nga lista.Ti e di më mirë nga unë, doktor, se ne nuk kemi interes të humbasim mbështetjen e tyre.Pa ndihmën e amerikanëve ne nuk mund të vijmë kurrë në pushtet…” Pra, ose me SHBA-në dhe pa Berishën e korruptuar deputet, ose kundër saj. Alternativë tjetër nuk ka për PD-në. Pavarësisht se ç’zgjidhje ka për të patur çështja e Berishës ”non grata”, për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se nga të 140 deputetët nuk është politikan i korruptuar vetëm Berisha. Nga një lexim i shpejtë i asaj liste unë kam nxjerrë mbi 22 deputetë që kanë qenë ose janë ministra , zëvendësministra ose funksionarë të lartë të qeverive të korruptuara PD,PS dhe LSI. Me njëherë m’u fanit Parlamenti si një sallë madhe ku korrupsioni do të shtrohet këmbëkryq. Për të qenë i saktë dhe i qetë me ndërgjegjen nuk kam të drejtë t’i akuzoj ata me emër, sepse nuk kam të dhëna për pasurinë e tyre, po ama deri sa si bota dhe populli e di mirë që qeveritë tona kanë qenë dhe janë të korruptuara, prandaj ata qeveritarë nuk mund t’i pranojmë si figura të pastra pa dokumentuar pasurinë që kanë vënë në vite.Po bie vetëm një shëmbull që shqiptarët e mirëdinë. Deputete zonja Kryemadhi?! O zot i madh, thuaj hapu dhe e futu?! A nuk është ajo bashkëshortja e Ilir Metës, Presidentit të shkarkuar nga Parlamenti? Po është. A nuk është Ilir Meta ai që i kishte kërkuar ministrit Prifti qindramijëra euro rryshfet? Madje të dokumentuar edhe me inçizim, që specialistët amerikanë e vlerësuan si regjistrim origjinal?! A nuk keni dëgjuar që populli e quan atë Ilir floriri?! Nuk e dini se Iliri dhe Monika kanë një super vilë në Lalëz, që nuk mund të bëhej kurrsesi me pagat që kanë marrë si nëpunës të shtetit?! A mund t’i besojë poulli Monikës ta përfaqësojë, pa treguar burimet e pasurimit të tyre marramendës?! Nuk po zgjatem për emra të tjerë. Po kujtoj vetëm një deputet që ishte nga kapot e kontrabandës që bëhej duke i çuar naftë Milosheviçit. Dikush mund të thotë se është kohë e largët. Ashtu është, po ama që nga ajo kohë ata u pasuruan dhe tani kanë guximin të na bëjnë moral?!
Nga sa parashtrova problemi po na del më i koklavitur se çështja e Berishës. Me që nuk është ai i vetmi deputet i korruptuar, po janë afro 7 përqind e Parlamentit me qeveritarë të shtetit fund e krye të korruptuar, ndërsa pjesa tjetër ka dalë nga gjoja vetingu i partive të korruptuara, problemi kërkon zgjidhje urgjente. Politikanët tanë e kanë të vështirë ta zgjidhin atë, sepse në një mënyrë ose tjetër, janë pjesë e sistemit që ka mbjellë korrupsionin. Mbetet që edhe për këtë pikë si SHBA dhe Europa të na vijnë në ndihmë. Do të ishte në të mirë të popullit shqiptar, të qeverisë sonë, të miqësisë me SHBA-në dhe veprim i pritshëm për të hapur negociatat me BE-në, që të kërkojnë veting për të 140 deputetët e 25 prillit 2021. Po jo veting vetëm me juristë shqiptarë. Jo. Drejtimin ta marrë SHBA dhe Europa për të pastruar kështu një herë e përgjithmonë Parlamentin, foltoren e ligjit, nga ata që nuk e meritojnë të jenë të përzgjedhurit e popullit, që nuk e meritojnë atë nder. Shpresojmë shumë te vendosmëria e SHBA-së për të ndihmuar popullin shqiptar kaq proamerikan. Besojmë shumë zonjën Juri Kim. Vetëm nga bashkëpunimi i ngushtë SHBA-BE, nga ngulmimi i tyre i drejtë për ta pastruar politikën shqiptare nga hajdutët dhe maskarenjtë, Shqipëria ka për të marrë frymë lirisht, populli do t’u jetë edhe më shumë mirënjohës. Le të presim deri më shtator, të shpresojmë mos të veprojë vetëm SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, po edhe vetë deputetët e ndershëm të Parlamentit të kërkojnë me ngulm për të kaluar në sitën e vetingut real. Po nuk guxuan ata, le të këmbënguli SHBA dhe BE që ai veting të bëhet sa më parë.