Kosova drejt UNESCO-së, kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria
Kosova bën hapin e parë drejt anëtarësimit në UNESCO, deklaroi sot Minsitria e Jashtme kosovare në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ku zv/ministri i Jashtëm Petrit Selimi i pyetur nga ATSH tha se Shqipëria kishte një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara.
“Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord në historinë e re të UNESCO-s”, theksoi zv/ministi i Jashtëm kosovar, Selimi.
“Ambasadorja në delegacionin e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare ka luajtur një rol thelbësor. Ekipet tona, imi dhe i saj, kanë qenë të ngjizura, prej tre muajsh kemi kontakt ditor, madje gati çdo orë, sidomos në periudhën e fundit dyjavore, kur për shkak të mosqasjes së Kosovës në UNESCO, Shqipëria ka marrë një rol shumë aktiv të mbledhjes së nënshkrimeve”, tha Selmi.
Më tej në deklaratën për ATSH, numri dy i MPJ-së kosovare për ambasadoren Kadare vlerësoi se është “një diplomate që ka emër, eksperiencë dhe reputacion të mirë, është zëvendëspresidente e Komitetit Ekzekutv dhe si e tillë mund të them se ka luajtur një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara”.
Zv/ministri i Jashtëm Petrit Selimi shpalosi detaje të reja rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën -UNESCO, pas futjes se kërkesës së Kosovës për anëtarësim në axhendë të Bordit Ekzekutiv, të nënshkruar nga një numër rekord i shteteve anëtare.
Zv/ministri Selimu u shpreh se Kosova ka aplikuar për anëtarësim gjatë verës përmes Nju Jorkut, sipas rekomandimeve nga vetë agjencia gjegjëse e Kombeve të Bashkuara.
“OKB-ja në Nju Jork ka autorizuar UNESCO-n me mekanizmat e saj t’i prijë procesit në mënyrë të pavarur”, tha ai. Selmi bëri të ditur se drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova ka përcjellë më tej aplikimin e Kosovës në Boordin Ekzekutiv të UNESCO-s. “Ky zhvillim ka hapur dyert që Kosova të futet në axhendën e Bordit Ekzekutiv”, tha ai.
MPJ kosovare thekon se, Kosova tani ka siguruar votën e deklaruar haptas nga 19 shtete anëtare, e kjo bën një lajm pozitiv marrë parasysh se në Këshillin Ekzekutiv vendit do t’i duhet shumica e thjeshtë për t’u votuar më pas në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s.
Selimi rikujtoi se Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në 3 tetor, ndërsa Asambleja e Përgjithëshme e UNESCO-s pritet të votojë në javën e parë të nëntorit, me ç’rast do të kërkohen 2/3 e votave për pranimin e Kosovës në këtë agjenci të OKB-së