Kosova

Kosova hyn në muajin e katërt të pas zgjedhjeve të parakohshme, që mund të pasohen me të jashtëzakonshme

Prishtina-Foto-ATSH11-525x350Kosova ka hyrë sot në muajin e katërt të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit. Përfshirë 12 shtatorin e vazhdimit të seancës konstituive të 17 korrikut janë edhe vetëm katër ditë madje me kalimin e orëve edhe më pak për mundësi suksesin e seancës, si dhe për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për ndonjë marrëveshje apo bërje të numrave për zgjedhjen e kryeparlamentarit e pastaj edhe të kryeministrit e qeverisë së re.
Nëse koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma do të pranojë kushtet e Vetëvendosjes, që prej takimit të djeshëm quhen edhe parime dhe nënshkruhet marrëveshja për bashkëqeverisje, këto katër subjekte së bashku do të kenë shumicën e 100 deputetëve shqiptarë, po edhe të gjithsej 120 sa janë bashkë me 20 deputetët e komuniteteve pakicë, 10 prej tyre serbë.
LDK me 30, VV me 16, AAK me 11 e Nisma me 6 së bashku do kishin 63 deputetë, mjaftueshëm për të zgjedhur edhe kryeparlamentarin, edhe qeverinë, edhe pa votat e minoriteteve. Është edhe fakti se në 17 korrik në seancën konstituive, në pjesën e anuluar nga Gjykata Kushtetuese, minoritetet votuan për kandidatin e koalicionit paszgjedhor, Isa Mustafa, për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Në anën tjetër është koalicioni parazgjedhor i PDK-së me katër parti të vogla, me gjithësej 37 deputetë, 24 më pak se minimumi i mjaftueshëm prej 61 votash për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë e Kosovës.
Por, për subjektin që fitoi zgjedhjet e 8 qershorit, Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ka shprehur qëndrimin në deklaratë zyrtare, “është e papranueshme qasja e atyre që po tentojnë me çdo mjet dhe në mënyrë kundërkushtetuese, joinstitucionale dhe jodemokratike të tjetërsojnë rezultatin zgjedhor dhe të mbajnë peng shtetin, duke bllokuar themelimin e institucioneve demokratike”.
PDK, “siguron anëtarët dhe simpatizantët e vet, si dhe opinionin e gjerë se në asnjë mënyrë nuk do të heq dorë nga besimi që ka marrë për të qeverisur me vendin, nëpërmjet votës së lirë në zgjedhjet e lira dhe demokratike” dhe paralajmëron se, “shantazhet dhe kërcënimet e liderëve të frustruar të bllokut humbës do ta marrin përgjigjen meritore, politike dhe qytetare në çdo kohë dhe rrethanë”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë të drejtë PDK-së, subjektit fitues të zgjedhjeve, për kandidimin e kryeparlamentarit dhe kryeministrit, ndërsa koalicioni paszgjedhor deklaron se do ta realizojë të drejtën për zgjedhjen e kandidatëve të vetë, duke pritur mosarritjen e numrit të votave të nevojshme nga koalicioni parazgjedhor.
Seanca konstituive e 17 korrikut është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi kryesuesja konstatoi se “nga 120 deputetë, 47 janë të pranishëm”, kur deputetët e koalicionit paszgjedhor e të tjerë ishin larguar nga salla derisa kërkohej të votohej për kandidatin e PDK-së për kryeparlamentar.
Në Aktgjykimin e Kushtetueses thuhet se
, “në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhët të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë ‘për’, ‘kundër’ ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”.
Zhvillimet e seancës deri në përmbyllje nga kryesuesja, të pjesës ku deputetët kishin dhënë betimin pasi kishin miratuar Raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, të cilin fillimisht e kishin zgjedhur, me 117 vota pro, nuk janë anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila në 26 gusht publikoi Aktgjykimin, ndërsa u anuluan vetëm zhvillimet e pas kthimit në sallë të 83 deputetëve, të cilët zgjodhën kryeparlamentar kandidatin e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, Isa Mustafën, me 65 vota pro dhe 18 abstenime, si dhe dy anëtarë të Kryesisë së Kuvendit.
Kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetja më e vjetër Flora Brovina, nga PDK, për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit në 12 shtator ka paralajmëruar dje se “na pret një seancë e vështirë” dhe “tanimë rruga është e hapur për zgjedhje të reja”.
Shtypi në Prishtinë sot nën titullin “Brovina e gatshme ta mbyllë prapë seancën” shkruan se, “kryesuesja e seancës konstituive, deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që pa pajtimin e partisë së saj blloku opozitar LDK-AAK-Nisma ta zgjedhë Isa Mustafën kryetar të Kuvendit të Kosovës më 12 shtator”. Ndërsa, nën titullin “Edhe një herë të flasë sovrani” thekson se, “veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë për tejkalimin e ngërçit politik është mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.
Por, ka edhe opinone të tjera se “zgjedhjet janë varianti më i keq” dhe se “Kosova nuk duhet të humbë në kohë”, derisa vazhdojnë debatet për ngërçin politik dhe institucional të tre muajve të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, që sot ka hyrë në muajin e katërt.
Pikërisht në ditën e tremujorit të zgjedhjeve, Kryeministri kosovar Hashim Thaçi në takim me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, me të cilin bisedoi për zhvillimet më të fundit politike, theksoi se “Kosovën e presin shumë procese të rëndësishme, procesi i integrimeve evropiane, dialogu me Serbinë, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës. Të gjitha këto presin formimin e institucioneve, të dala nga vota e lirë e zgjedhjeve të 8 qershorit”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button