Kosova merr masa mbrojtëse ndaj disa kompanive serbe
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e Kosovës ka marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidumping ndaj disa produkteve të importuara nga Serbia.
Ministrja e MTI-së, Rozeta Hajdari nëpërmjet një konference për media sot tha se vendimi lidhet me importin e koncentratit për shpezë dhe kafshë si dhe importit të bllokave standard.
Ajo tha se vendimi për koncentratin për shpezë dhe kafshë është marrë pas kërkesës së prodhuesve vendor dhe propozimit të Komisionit për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, Departamenti i Tregtisë, të cilët kanë hetuar importin nga Serbia dhe të shitjes në tregun e Kosovës të koncentratit, hetim i cili është kryer në përputhje me Ligjin për masat anti-dumping dhe masat kundër-balancuese.
“Të dy vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën dhe masat anti-damping. Masa anti-damping në importin e bllokave është marrë ndaj importit të bllokave për kompaninë e përmendur në vendim, kurse për koncentratin ndaj disa kompanive”, tha Hajdari e cila shtoi se sot është dita e 61 e hetimeve për këtë çështje.
Gjithashtu edhe për vendimin për bllokat e importuar nga Serbia ministrja Hajdari tha se është bërë pas kërkesës së Shoqatës së Prodhuesve së Materialit Ndërtimor nga Argjila dhe propozimit të Komisionit për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe.
Ministrja Hajdari foli edhe për mundësinë e reciprocitetit të plotë me Serbinë. Ajo tha se përpos dokumentimit te barrierave tregtare nga Serbia po sigurohen edhe në ngritjen e kapaciteteve institucionale ndërsa theksoi se po vijojnë me punë “në mbrojtje të ndërmarrësisë dhe tregtisë në vend”.
Ministrja Hajdari tha se pas këtyre vendimeve, janë kujdesur që prodhuesit vendorë të mos rrisin çmimin për konsumatorët.
Ajo shtoi se efekti i kësaj mase do të jetë në uljen e importit nga Serbia ndërsa nuk do ta afektojë konsumatorin vendës.
Në gusht të këtij viti, Dogana e Kosovës lajmëroi se është rritur importi i mallrave nga Serbia megjithëse “disa produkte kanë humbur tregun në Kosovë”.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Serbia kishte pjesëmarrjen më të madhe të importeve në tregun e Kosovës gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 sa i përket shteteve që janë pjesë e CEFTA-s e cila përfshinë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.