Kosova

Kosova para 25 viteve u shpall Republikë me Kushtetutë

Firmëtarët e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të 2 Korrikut 1990, të shpallur në Prishtinë, rimblidhen sot pasdite në qytetin jugor të Kaçanikut, në ditën e orën ku po para 25 viteve në 7 Shtator miratuan Kushtetutën e Kosovës të saposhpallur Republikë, në seancën që u pasua edhe me Referendumin e deklarimit për Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur para 24 vitesh, në shtator 1991, të mbajtur me vendimin e Kuvendit, në marrëveshje me subjektet politike kosovare.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federatës.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli për ATSH-në.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, shprehet Ilaz Ramajli.Kuvendi-Kosove-7-shtator-1990-Kushtetuta-Kacanik-2

Deklarata e Pavarësisë e 2 Korrikut u pasua me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim. Në Referendum dolën 914.802 veta – 87,01 për qind e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

Referendumi u pasua me zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, të 24 majit 1992. Raportimet me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë. Raportimet bëheshin nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës ishte korrespondenti atëherë dhe tash në Kosovë i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.

Në 2 Korrik, këtë vit, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës u mbajt seancë solemne dhe u vendos e shkruar në mermer Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës, pranë Deklaratës së Pavarësisë të 17 Shkurtit 2008 të Kosovës shtet i njohur deri sot nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së.

Gjatë seancës solemne u shfaq filmi dokumentar i seancës së Kuvendit të Kosovës të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në 2 Korrik 1990 dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button