Kosovë, KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakoshme parlamentare të 8 qershorit, të saposhpallura zyrtarisht nga KQZ, konfirmojnë se fituese është Partia Demokratike e Kosovës në koalicion me Partinë e Drejtësisë, Lëvizjen për Bashkim, Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës dhe Partinë Konservatore të Kosovës.
Koalicioni i PDK-së ka 30,38 % të votave – 37 deputetë , ndërsa LDK 25,24 % – 30 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 13,59 % – 16 deputetë, AAK 9,54% – 11 deputetë, Nisma për Kosovën 5,15% – 6 deputetë.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, Lista Srpska (Srpska Lista) ka 5,22% të votave – 9 deputetë, Partia Demokratike Turke e Kosovës (Kosova Demokratik Türk Partisi) 1,02% – 2 deputetë, Koalicioni Vakat i komunitetit boshnjak (Koalicija Vakat) 0,89% – 2 deputetë.
AKR me 4,67 % të votave nuk kalon pragun 5% për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.
Për deputetë të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh garuan gjithsej 30 subjekte politike me 1.235 kandidatë, nga të gjitha komunitetet – 18 parti politike, 7 iniciativa qytetare, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.
Në Kosovë, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, janë ngritur debate se mandatari për formimin e qeverisë së re a do të jetë Hashim Thaçi, i nominuari nga subjekti politik fitues – Partia Demokratike e Kosovës në koalicion parazgjedhor me katër parti të tjera të vogla, apo Ramush Haradinaj, i nominuari nga koalicioni paszgjedhor i dy partive të opozitës – Lidhjes Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjektit të ri politik Nisma për Kosovën.
Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për t’ia hequr dilemat se kë duhet ta propozojë për kryeministër pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nacionale. Sipas burimevetë medias, “Gjykata Kushtetuese aktualisht në bazë të procedurave të rregullta, është duke mbledhur sa më shumë fakte, në mënyrë që ta hartojë interpretimin e kërkuar nga presidentja”.
Në Kosovë, zgjedhjet parlamentare në 8 qershor 2014, të vlerësuara ndërkombëtarisht një hap përpara në konsolidimin e demokracisë, ishin të pestat në liri, të dytat në pavarësi. Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001. Legjislatura e Tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, të njohur deri tash nga 106 shtete anëtare të OKB-së.