Krasniqi: UÇK-ja ishte ndërmarrje e përbashkët çlirimtare. Fjalimi i plotë:
Kjo është seanca e parë ndaj Krasniqit, pasi të njëjtit i është konfirmuar aktakuza më 26 tetor 2020, sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara.
“Po një pjesë e kam marrë me 4 nëntor, kurse pasi kam ardhur në burgun e Hagës e kam marrë një variant të përmirësuar të aktakuzës dhe është në gjuhën shqipe, e kam kuptuar mirë, e kam lexuar mirë”, tha Krasniqi.
Fjalimi i plotë:
Sot nuk është dita për të kontestuar akuzat, por thjeshtë për të pranuar se i keni pranuar akuzat. Keni mundësi të bollshme për të kundërshtuar akuzat, me ndihmën e avokates suaj”.
Unë duhet të them dy- tri çështje dhe do të përpiqem që t’i them gogja shkurtë.
Së pari, dua të them këtu se unë jam arrestuar me 4 nëntor 2020, në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët, unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm, nuk i kam trajtuar njerëzit aq keq, sa më keni trajtuar mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. Theksoj, kurrë në jetën time s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë, sepse s’ka qenë ai, por lufta e gjenocidi në Kosovë.
E ndjej veten më shumë se mirë dhe kurrë s’do të dëshiroja të jem në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli. Jam intelektual, jam njeri që politikisht e kam luftuar Serbinë, kurrë në asnjë deklaratë time nuk e kam drejtuar gishtin nga popullsia civile, prandaj në aktakuzë përpiqeni t’i ndani njerëzit na katolikë e myslimanë. Unë jam shqiptar, as katolik, as myslimanë. Kjo është fyese edhe për mua edhe për vendin tim.
Cilësimi i prokurorit se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët e mi, familjen time, që luftuam gjatë, por edhe për kombin tonë, nuk ka diçka më fyese, pasi në një kohë të gjatë, me rrethana tepër të vështira, jetë a vdekje, u vumë në shërbim të lirisë e shtet- ndërtimit, të cilat i arritëm në bashkëveprim me SHBA-të e BE-në, me NATO-n e OKB-në dhe, të gjithë së bashku, ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese.
Ndërsa ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbët në Serbi, por ishte dhe është koka e saj në Beograd dhe mbështetësit e politikave të Beogradit.
Besoj dhe, besoj shumë, që këtë e di secili qytetar i arsimuar, që së paku është mbi 30 vjet e jeton në vendet e demokracive perëndimore, aty ku janë rritur e edukuar me vlerat e kësaj bote, me vlerat që kanë të bëjnë me liritë e njeriut.
Unë sot s’du ta zgjasë më shumë, por dua t’ju them që unë kam qenë i dënuar nga regjimet kriminale të Jugosllavisë, në vitin 1981-82, e ata më kanë ndaluar pse kam lexuar libra e pse kam folur e kundërshtuar atë regjim, por, besoni, më shumë kanë pasur ata të drejtë atje, sesa sot që gjendem këtu.
Për mua është bërë një padrejtësi e madhe dhe do ta bartë edhe këtë padrejtësi, se populli e ka një fjalë: “Njeriu është më i fortë se guri, e atë që se ban guri e ban njeriu”.
Unë dhe populli im kemi duruar shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasur nevojë për një të tillë padrejtësi. Në seancat e tjera do të them edhe më shumë, veç s’do ta ndjeja veten mirë të isha në shërbim të politikave të krimeve të gjenocidit të Serbisë, për të cilat edhe prokurori serb, këto ditë tha pasi është ngritur aktakuza që ka qenë prokuror nga viti 2003, unë mendoj se adresa e qartë e krejt kësaj maskarade është në Beograd dhe tek mbështetësit e politikave të saj, kudo qofshin ato.