Ekonomia

Kreditë e buta, si mund të aplikohet dhe sa duhet të jenë të ardhurat

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar ditën e djeshme udhëzimin e ri se si do të bëhet aplikimi për kreditë e buta. Ky udhëzim parashikon që çdo familje që ka aplikuar, apo do të aplikojë, do të mund të marrë kredi me interes të ulët prej 3%. Sipas udhëzimit kanë rëndësi të ardhurat minimale dhe maksimale, numri i personave në një familje, fëmijët por edhe nëse kanë në pronësi banesa të tjera.

Çdo person që ka mbushur 18 vjeç mund të aplikojë për kredi të butë. Por që të aplikohet ka dhe një sistem pikëzimi.

Ky sistem iu jep pikë për nivelin e të ardhurave, për kushtet në të cilat jetoni etj. Pasi bëhet grumbullimi i pikëve vendoset se kujt do ti jepet kredia e buta. Do të jenë rreth 1 mijë familje të cilat do të marrin kredi të butë me interes 3%.

Por cilat do të jenë kriteret  pikëzimit dhe sa pikë vlerësohet secila prej tyre? Në total janë 100 pikë, mes të cilave edhe: Nuk disponon  apartament në pronësi, 3 pikë. Banon në banesë në rrezik shembje, 2 pikë. Banojnë në banesa të mbipopulluara, 2 pikë. Kanë ngelur të pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore, 5 pikë. Familje të shpronësuara të pastreha, 8 pikë. Familje një prindërore që kanë në ngarkim një fëmijë, 5 pikë.

Përbëhen nga familje të reja që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuara apo persona në pension, 3 pikë. Familje me më shumë se 3 fëmijë, 5 pikë. Familjet e reja ku çifti i bashkëshortëve e ka moshën deri në 70 vjeç, 15 pikë. Persona me aftësi të kufizuar, 5 pikë. Persona me statusin e jetimit, 5 pikë. Emigrant i kthyer, 2 pikë. Familjet e policëve të rënë në detyrë, 3 pikë. Viktimat e dhunës në familje, 5 pikë. Komuniteti rom, 2 pikë. Të ardhura nën 80% të të ardhurave mesatare, 15 pikë. Të ardhura 80-100% të të ardhurave mesatare, 10 pikë .Të ardhurat 100-120% të të ardhurave mesatare, 5 pikë.

Për garsoniere, që e përfitojnë 1-3 persona, të ardhurat minimale duhet të jenë 39.500 lekë të reja, ndërkohë që të ardhurat maksimale  65.900 lekë. Për  familjet 3-4 anëtarë (1+1) të ardhurat minimale duhet të jenë 47.400 lekë, ndërkohë që të ardhurat maksimale  79 mijë lekë.  Për 4-6 (2+1) persona në një familje, të ardhurat minimale duhet të jenë 63 mijë  lekë, ndërsa të ardhurat maksimale 105 mijë lekë. Ndërkohë për familjet me më shumë se 5 anëtarë të cilat dëshirojnë të përfitojnë apartament 3+1 duhet të kenë të ardhura minimale 79 mijë lekë dhe të ardhura maksimale 131 mijë lekë.

 

Të gjitha familjet të cilat kanë aplikuar para 2016-së do t’ju merren parasysh aplikimet. Vendimi i ri i bashkisë parashikon njohjen e këtyre aplikimeve. Kjo është konfirmuar edhe pak ditë më parë nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Në këtë mënyrë familjet të cilat kanë aplikuar për kredi të butë interesi i të cilave është rreth 3%, nuk duhet të ridorëzojnë dokumentat, pasi dosja merret parasysh.

Përfituesit potencialë të programit do të jenë individë/familje me përbërje çiftet e reja. Programi do të ketë një kohëzgjatje 1-vjeçare dhe numri i përgjithshëm i përfituesve të cilët do të mbështeten financiarisht nuk do t’i tejkalojë 1.000 familjet. Koha që kanë në dispozicion qytetarët për të aplikuar është një vit, pasi angazhimi financiar i Bashkisë së Tiranës në zbatim të këtij projekti do të ketë një kohëzgjatje 15-20 vjeçare, në varësi të kredive hipotekore të akredituara për secilin përfitues’– thuhet në vendimin e Bashkisë së Tiranës.

Të gjitha dokumentet që duhen

  1. Formulari i Strehimit i plotësuar pranë njësisë administrative në të cilën aplikanti ka vendbanimin.

2.Certifikata e lindjes e aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.

3.Vërtetimi i vendbanimit në bashkinë ku kërkohet vendstrehimi ose leje banimi për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.

4.Vërtetimi i të ardhurave neto të familjes/individit.

5.Dokumenti përkatës nga punëdhënësi(vërtetim punësimi), për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit dhe të personave të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune.

6.Dokumenti nga organet tatimore dhe nga sigurimet shoqërore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë anëtarët e punësuar në familje.

7.Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.

8.Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.

9.Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.

10.Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.

11.Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë.

12.Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi për strehim.

13.Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.

14.Vendimi i Gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.

15.Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.

16.Vërtetimi nga Komisioni Mjekësor për përcaktimin e Aftësisë së Kufizuar, për individë me aftësi të kufizuar.

17.Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.

18.Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve etj.

19.Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje. Urdhri i Mbrojtjes i lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin).Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.

20.Deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari që shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në Formularin e Strehimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button