Ekonomia

Krifca në Panairin e Bujqësisë në Lushnjë: Faktor në rajon si origjinë e eksporteve të prodhimeve bujqësore

“Ky do të jetë viti i bujqësisë, në drejtim të mbështetjes së shtuar ndaj fermerëve dhe rezultateve pozitive që regjistron ky sektor”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në Panairin Ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2023” në Lushnjë.

“Tremujori i parë i vitit është mbyllur me një shifër rekord në rritje krahasuar me vitin e kaluar, ku patëm 500 milionë dollarë eksporte bujqësore. Ky tremujor është rritur me 7,6 % në sasi dhe mbi 18 % në vlerë”, tha Krifca.

Në fund të kësaj pranvere ministrja bëri të ditur se, agropërpunuesit do të kenë mundësi të aplikojnë në programin IPARD III, i cili do të injektojë 146 milionë euro në bujqësinë shqiptare, me qëllimin e vetëm që fermeri ynë të rrisë sasinë dhe cilësinë e prodhimeve “Made in Albania”.

“I kemi kërkuar Komisionit Evropian që pjesë e programit IPARD III të mund të përfshihet dhe ndërtimi i infrastrukturës, i ambienteve të grumbullimit, të pikave të grumbullimit apo siloseve për grurin dhe misrin. Kemi marrë prej tyre miratimin, në mënyrë që subjektet private, apo investitorë të ndryshëm të mund të investojnë për këtë nevojë që tregu aktualisht ka, meqenëse nuk e kemi këtë lloj infrastrukture, pra dëgjojmë njëri-tjetrin dhe adresojmë problematikat për t’i dhënë zgjidhje”, u shpreh ministrja.

Krifca tha se “Shqipëria tashmë është bërë faktor në rajon si origjinë e eksporteve të prodhimeve bujqësore që ushqejnë konsumatorin europian”.

Ministrja dha lajmin se kësaj herë fermerët fondet e skemës kombëtare do t’i marrin më shpejt se kurrë. Të hënën mbi 2000 fermerë duhet të bëhen gati të tërheqin naftën falas.

“Duke filluar nga java tjetër jemi gati të shpërndajmë subvencionet për ‘Skemën Kombëtare 2023’. Janë 2000 karta nafte të printuara për Skemën e Naftës, kështu do të vijojmë deri sa të shkojmë në fund”, bëri të ditur ministrja.

Nga 27-29 prill mbi 60 subjekte të ndryshme bujqësore  nga vendi dhe Europa do të jenë në Lushnjë për të lidhur marrëveshje të ndryshme tregtare me synim që fermerët të rrisin sipërfaqet e të mbjellave dhe grumbulluesit të shtojnë sasitë e eksporteve bujqësore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button