Ekonomia

Kriza financiare vë në provë monedhën e Euros

Monedha e vetme evropiane, Euro, mendohej se do t’i bashkonte vendet evropiane në një bashkim të fuqishëm monetar. Por e gjithë zona e Euros është tani e dobët, ashtu sikurse hallka më e dobët e saj dhe ky ishte një realitet i pamohueshëm në vitin 2010. Siç njofton Selah Hennessy e Zërit të Amerikës, kriza financiare vuri në provë lidhjet që e bashkojnë Evropën, por në të njëjtën kohë, ka lënë një pikëpyetje për të ardhmen e kontinentit.

Protestuesit nëpër rrugët e Irlandës javët e fundit të 2010-ës, ishin tipike për të treguar se si do të mbahet mend ky vit nga shumë vetë: borxhi qeveritar, shkurtimi i shpenzimeve dhe trazirat sociale.

Paqëndrueshmëria financiare e ka vënë në provë monedhën evropiane, Euron.

Në fillim të vitit, ishte Greqia vendi që u përfshi fillimisht nga kriza. Borxhi masiv buxhetor bëri që tregjet të humbin besimin tek aftësia e vendit për ta paguar borxhin.

Udhëheqësit evropianë u përpoqën shumë për riparimin e kësaj hallke të dobët të një vendi të Bashkimit. Ata dhanë mbi 100 miliardë Euro për ekonominë greke dhe krijuan një fond për të ndihmuar vendet e ardhshme të Eurozonës, në situata të ngjashme financiare. Vetëm 6 muaj më vonë, ishte Irlanda ajo që kishte nevojë të dilte nga kriza dhe paratë për të cilat ky vend pati nevojë, 100 miliardë dollarë, ju dhanë.

Ian Begg i Shkollës Ekonomike të Londrës, thotë se kriza ekonomike dhe financiare po i detyron vendet e Eurozonës ta rishikojnë sistemin e tyre monetar. Ai thotë se evropianët janë duke gjetur dobësitë e sistemit dhe po i çrrënjosin ato, gjë që sipas, tij, po e bën monedhën evropiane më të fortë.

“Kjo është karakteristikë për mënyrën se si operon Evropa-ajo pret derisa diçka nuk funksionon mirë dhe pastaj, në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje, avancon drejt një shkalle më të madhe integriteti, ndërkohë që vazhdon të respektojë të drejtat e vendeve individuale.”

Por edhe ekonomi të fuqishme, si ajo e Francës, kanë borxhe të mëdha. Shkurtimi i shpenzimeve publike ka shkaktuar greva dhe protesta të vazhdueshme. …Dhe në këtë atmosferë të kufizimit të shpenzimeve publike, udhëheqësit evropianë janë përpjekur së tepërmi të balancojnë nevojat ekonomike të ekonomive të tyre me ato të Evropës.

Zoti Begg thotë se nevojat kombëtare mbeten përparësia kryesore.

“Nuk kishte si të bëhej kurrë një Bashkim Shtetesh  Evropiane dhe aq më tepër, një Evropë e Bashkuar shtetesh dhe pikërisht këtë jemi duke parë tani.”

Por kjo është ajo që shpresonin të arrinin dikur shumë evropianë. Pasi dy Luftra Botërore e ndanë kontinentin më dysh, ëndërrimtarët imagjinonin një Evropë në paqe, të bashkuar politikisht dhe ekonomikisht.

Simon Tilford, krye-ekonomist në Qendrën për Reforma Evropiane, thotë se kriza financiare e ka prishur këtë vizion.

“Fatkeqësisht, solidariteti i nevojshëm është prishur nga kriza financiare. Kështu, elektoratet e vendeve më të pasura, të cilëve u është kërkuar të garantojnë huatë  për vendet e tjera, më pak të zhvilluara, janë zemëruar nga ky fakt, sepse ata mendojnë: përse ne duhet ta bëjnë një gjë të tillë? Duket sikur po i shpërblejmë ata për shkeljen e normave. Kjo e vështirëson punën për ato qeveri që duan ta çojnë përpara procesin e evropianizimit.”

Kjo mund të paraqesë një problem të madh vitin e ardhshëm. Edhe ekonomitë e Portugalisë, Italisë dhe Spanjës mund të ndeshen me probleme dhe ato, gjithashtu, mund të kenë nevojë për paketa shpëtimi.

Por në kushtet kur elektoratet e këtyre vendeve e vuajnë mbi vete shkurtimin e pagave dhe rritjen e madhe të taksave, mund të jetë e vështirë për udhëheqësit evropianë që ta bindin elektoratin e tyre të shpenzojnë më tepër nga xhepat e tyre për ta shpëtuar ekonominë e këtyre vendeve.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button