Kryemadhi në zyrën e Bashës/ Opozita koordinon qëndrimet pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit
Në një reagim të publikuar sot, Basha e konsideroi kryeministrin Rama si “kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare!”
“Është Edi Rama ai që futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhe i bëri deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës. Gjatë regjimit të tij, Shqipëria u kthye në parajsën e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe korrupsionit. Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën”, tha kreu i PD-së.
Po kështu, një reagim mbi çështjen në fjalë pati edhe nga vetë Rama:
“Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!
Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!
Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë.
Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive.” përfundoi kryeministri.