Kryemadhi: Veliaj ka firmosur një koncesion të paligjshëm
Qeveria dhe bashkia kanë pasur garanci që s'do preken
Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi deklaroi se arroganca që ka përdorur qeveria dhe bashkia e Tiranës në skemën e mashtrimit dhe grabitjes së inceneratorëve tregon haptaz që kanë pasur garanci të madhe që nuk do preken.
“Me denoncimet për inceneratorin, thelbi i saj është që paratë që paguhen, 29 euro për ton për një proces që nuk kryhet janë para që i merren taksapaguesve shqiptarë, këto para në vend që të shkojnë për çerdhe për kopshte, për ujë të pijshëm dhe shumë gjëra të tjera.
Arroganca që ka përdorur qeveria dhe bashkia e Tiranës tregon haptaz që kanë garanci të madhe që nuk do preken. I gjithë procesi, mekanizmi, skema, jo vetëm e mashtrimit, por edhe e grabitjes ka ardhur si rezultat i arrogancës që nuk do i hetojë njeri.
Tek inceneratori i Tiranës është një skemë mafioze që ka të bëjë me ‘off shore’ që paratë shkojnë jashtë shtetit dhe ti nuk i gjëmon dot. Sigurisht që drejtësia po të ketë vullneti profesional mund ta zbërthejë”,-tha Kryemadhi në MCN.
Kryemadhi thekson se Veliaj është i përfshirë drejtpërdrejtë në aferën e inceneratorit të Tiranës.
“Pavarësisht se kemi administrim nga Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara, pavarësisht se paratë nuk ikin në ‘off shore’ ne vazhdojmë të paguajmë paratë dhe nuk e dimë se çfarë ndodh me paratë që paguajmë. Nuk e dimë sa e vërtetë është që administratori i caktuar nga agjencia ka dhënë dorëheqjen.
Inceneratori i Tiranës ka drejtpërdrejtë të përfshirë kryetarin e bashkisë së Tiranës. Ai ka pasur dijeni që në 2016. Në 20107 është firma e tij, Veliaj është nga të vetmit drejtues që ka firmosur për një koncesion të paligjshëm, ka devijuar fatin e një koncesioni të paligjshëm që vjen si rezultat i një papërgjegjshmërie politike. Është përforcuar me firmosjen e aneksit numër 9 të kontratës së koncesionarit që garanton pagesat mujore sa i përket këtij koncesionarit të paligjshëm.
Nga ana tjetër, Veliaj ka emëruar dy anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave kur nuk ka pasur përgjegjësi. Me çfarë të drejtë ka emëruar Tushën dhe Simirxhiun, që janë të ndaluar nga SPAK për të qenë anëtarë të vlerësimit të komisionit të ofertave që kanë miratuar një kontratë që është ajo e inceneratorit. Edhe pse nga Ballgjini në procesverbalin e fundit është kërkuar që kjo kontratë të miratohej në Këshillin Bashkiak, përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës nuk e kanë pranuar. Këta përfaqësues me firmën e kujt kanë vajtur në komisionin e vlerësimit të ofertave, sigurisht që kanë shkuar me firmën e Veliajt.
Për të vazhduar pastaj sipas nenit 6 të kontratës, njësia e zbatimit të projekteve e cila nuk u ndërtuar dhe nuk u ngrit asnjëherë se ishte Bashkia e Tiranës që merrte para nga buxheti i shtetit grant dhe këto para i kalonin bashkisë dhe i derdhte në incenerator.
Si mund të paguash mbi 10 milionë euro dhe nuk kontrollon se çfarë ndodh me paratë e tua?” deklaroi Kryemadhi.
Kryemadhi thotë se Këshilli Bashkiak i Tiranës, edhe kur ishte 100% i Veliaj nuk e ka pranuar kurrë projektin e inceneratorin e Tiranës.
“Deri më tani kanë paguar 67 miliardë lekë për inceneratorin e Tiranës dhe njësia e zbatimit të projekteve nuk funksionon, ku ka 2 përfaqësues bashkia e Tiranës, 2 i ka MIE dhe 1 e ka UKT.
Ne nuk shohim një dëshirë dhe vullnet për ta rikuperuar. Veliaj ka firmosur në 28 mars 2017, Po pse nuk e ka mbledhur Këshillin Bashkiak dhe ta miratonte këtë kontratë. Edhe sot Këshilli Bashkiak edhe kur ishte 100% i Veliajt nuk e ka pranuar një kontratë të tillë.
Pse e ka bërë këtë Veliaj, e ka bërë se ndihej sigurtë. Ka menduar se paditë që janë bërë në prokurori kanë ardhur si rezultat i lojërave politike dhe nuk mendonte se do kishte kallëzim penal me të gjitha dokumentet,”- u shpreh Kryemadhi.