Opinion

Kryeministri Rama dhe çunat e lagjes

Veton Surroi

Kryeministri Rama mbajti para gati një muaji një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me Kosovën, që për mua kishte tri gjëra për të mbajtur mend. E para ishte gjatësia e fjalimit prej një ore e gjysmë apo dhjetë mijë fjalëve, që për krahasim do të ishte gjysma e “Plakut dhe Detit” të Hemingwayit apo një e treta e “Të huajit” të Camus. E dyta dhe me gjasë lidhur me gjatësinë qe energjia e madhe e mllefit e investuar për të mbajtur qoftë ritmin e fjalimit, qoftë për të shprehur brengën shpirtërore të fjalëmbajtësit. Dhe e treta ishin elementet e një platforme-vizioni të kryeministrit Rama të rolit të ri të Shqipërisë karshi Kosovës.

Ky element i tretë më ngacmoi që, në qetësi e meqë kjo nuk është temë e ditës, të shpreh disa prej vërejtjeve që kam ndaj këtij vizioni-platformë, posaçërisht ngase mund të jenë të dëmshme për Shqipërinë e Kosovën dhe për marrëdhëniet mes tyre. Duke u përpjekur të mos e marr në konsideratë mllefin, ja edhe vërejtjet e përmbledhura:

1. Politikanët kosovarë nuk janë “çunat e lagjes”

Kryeministri Rama shpërfaqi bindjen e vet se udhëheqja politike e Kosovës po bën veprime për interesa zgjedhore duke e “vetëdobësuar pozicionin diplomatik” dhe duke i dhënë dhurata bujare Serbisë në procesin negociator.

Kjo mbase do të mund të pritej në fjalorin e politikës së brendshme të një shteti, por jo në ndërveprim me politikanët e shtetit tjetër. Se çfarë është interesi përcaktues i veprimeve politike të pushtetit a opozitës në Kosovë u përket vetëm atyre dhe zgjedhësve të tyre. Për më tepër, edhe po të ishin interesat zgjedhore ato që shtyjnë një apo tjetër veprim, kjo nuk është çështje që i përket drejtuesit të një shteti tjetër. Siç nuk do t’i kishte hije asnjë drejtuesi të Kosovës të vlerësonte motivet zgjedhore të veprimeve të kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Nuk është edhe gjë e mençur në praktikë: nëse e zhvlerëson partnerin tënd në shtetin tjetër si joparimor ndaj interesave të vendit të tij, si mendon të ndërtosh relacion me të në të ardhmen?

2. Negociatat nuk janë garë talenti

Procesi negociator Kosovë-Serbi është i vështirë dhe kjo nuk është risi, ka qenë i vështirë gjithnjë. Prej zhbërjes së Jugosllavisë, me ndërprerje të kohëpaskohshme, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar negociata mbi 30 vjet . Negociatat kanë një veçori, ato kanë përligjur çlirimin e Kosovës më 1999 dhe pavarësinë e kushtëzuar (2005-2007), por nuk kanë lëvizur nga pozicioni thelbësor, të përligjjes së barazisë së palëve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë tri dhjetëvjetëshve është Serbia, e cila në interpretimin e vet në mënyrë të suksesshme ia ka mohuar barazinë Kosovës.

Negociatat, dhe jo vetëm këto mes Kosovës dhe Serbisë, kanë edhe një veçori universale: ato zhvillohen mes palëve që kanë një hall të përbashkët dhe rëndom palës së tretë (lehtësuesve-ndërmjetësve). Ekziston një logjikë veprimi negociator i palëve (pse pranojnë apo jo ndonjë propozim, pse japin apo jo ndonjë propozim) dhe ekziston një logjikë veprimi negociator i lehtësuesit-ndërmjetësit (pse vë përpara një propozim e jo një tjetër).

Kryeministri Rama ka bërë veprime që i ngjasojnë inkuadrimit në një format gare talenti. Gjatë muajve të kaluar ka dhënë propozim për statutin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe pa ia kërkuar as palët e as ndërmjetësit. Në Kuvend ka akuzuar Kosovën se po e refuzon Marrëveshjen franko-gjermane, pavarësisht faktit se Kosova ka ofruar ta nënshkruajë atë e Serbia po refuzon jo vetëm nënshkrimin, por edhe dakordimin gojor me tërësinë e Marrëveshjes.

Në garë talenti kjo quhet distoni e plotë, në negociata (thënë më së buti) një ndërhyrje e ngathët. Ndërhyrjet e ngathëta bartin më vete efekt potencial destabilizues.

3. Kosova nuk e ka fituar luftën

Kryeministri Rama e përsëriti një formulë e cila tingëllon logjike dhe është përsëritur prej të tjerëve qe gati një çerekshekulli, se Kosova e ka fituar luftën dhe se si nuk po kupton se tash duhet ta fitojë paqen.

Gabimi është faktik. Kosova nuk e ka fituar luftën, e ka fituar NATO-ja për Kosovën. Ushtria e RFJ-së (Serbisë dhe Malit të Zi, asokohe) nënshkroi kapitullimin me NATO-n, jo me autoritetet e Kosovës. UÇK-ja u detyrua të zhveshë uniformat dhe të dorëzojë armët, presidenti Rugova të hyjë nën administrim të UNMIK-ut.

Po ta kishte fituar Kosova luftën, nuk do të kishte pasur nevojë për negociata të gjata, do të përfundonin me vendosje marrëdhëniesh si mes Kroacisë e Serbisë.

Për Serbinë, lufta nuk ka përfunduar, ajo ka vazhduar me mjete të tjera. Sulmi paraushtarak në Banjskë ka qenë vetëm një akt i fundit i kësaj lufte.

Për gati çerekshekulli Kosova dhe Serbia e bashkësia ndërkombëtare me të janë në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe për të arritur paqe të qëndrueshme.

Paqja e qëndrueshme është kur Kosova dhe Serbia të arrijnë të respektojnë njëra-tjetrën si të barabarta. Të dyja palët ende nuk janë afër.

4. Militarizimi nuk është zgjidhje

Reagimi i parë i kryeministrit Rama pas sulmit paraushtarak ishte thirrje për marrje nën kontroll të pjesës veriore të Kosovës nga ana e forcave të KFOR-it, pra NATO-s. Thirrja u përcoll me përshkrim të asaj pjese të Kosovës si “tokë e askujt” (No one’s land) dhe debati u përqendrua në hollësitë e kësaj shprehjeje, por më me rëndësi ishte koncepti. E koncepti ishte, nga aspekti i menaxhimit të krizës, militarizimi i zonës, pra marrja e veriut nën kontroll të forcave ushtarake të NATO-s.

Kjo, për Kosovën, nuk është risi. Ka ndodhur më 1999, ishte një mision sui generis për të menaxhuar një hapësirë, e cila zbrazej nga forca okupatore të sigurisë. Qe një mision, komandanti i të cilit dinte se nuk mund të shërbente si forcë policore dhe se duhej sa më shpejt të kthehej në mision stabilizues që ruan tërësinë tokësore të Kosovës.

Reagimi i duhur mbase duhej të ishte: përkrahje institucioneve të Kosovës me më shumë efektivë të NATO-s për ruajtjen e vijës kufitare Kosovë-Serbi. Dhe, më pak veprim ushtarak, më shumë tranzicion civil.

Mesazhi i tëholluar është më i saktë dhe peshon më shumë.

5. Nëse ndërhyn në një gjyqësor, ndërhyn edhe në tjetrin

Gjykata Speciale (apo Dhomat e Specializuara) për krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së është njëra prej kauzave të kryeministrit Rama. Qe kauzë në Strassbourg, në Këshillin e Evropës dhe me një koincidencë jo të mirë qëlloi që kryeministri Rama të kritikonte Këshillin e Evropës për vendosjen e themeleve të kësaj gjykate ndonjë javë para se Kosova të aplikonte për anëtarësim në të njëjtën organizatë të kritikuar nga KM Rama.

Problemi është tashmë se nuk është fjala për debat politik dhe vlerësim se a janë të mira apo jo themelet e Gjykatës. Tashmë Gjykata ekziston, po vazhdon gjykimi ndaj H.Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë. Ta quash këtë gjykatë “kafkiane” e të përshkruash interpretimin tënd për akuzat e procedurat, siç bën kryeministri Rama në Kuvendin e Shqipërisë, është ndërhyrje në gjyqësor. Ky është një luks që nuk mund ta replikojë Kosova: ndonëse është në Hagë, kjo gjykatë është ligjërisht e Kosovës.

Këtë gjë nuk do të duhej ta bënte as kryeministri i Shqipërisë. I pyetur rreth rasteve gjyqësore në Shqipëri, e me përsëritje se nuk mund të përzihet në pavarësinë e gjyqësorit të vendit të vet, mund t’i përkujtohet se këtë po e bën me gjyqësorin e një vendi fqinj.

Dhe, a do të thotë kjo atëherë se vendet fqinje të Shqipërisë mund të kërkojnë ndërhyrje në gjyqësorin e Shqipërisë?

6. Miqësia duhet të çmojë, jo të përçmojë

Kryeministri Rama ka zhvilluar vitet e fundit një miqësi të ngushtë me Hashim Thaçin, madje aq sa ta konsiderojë vëlla. Emri i mikut-vëllait ka gjetur vend në fjalimin-vizion në Kuvendin e Shqipërisë, në interpretimin e historisë së re të Kosovës që e bëri z.Rama dhe ky interpretim jo domosdoshmërisht mund të gjejë mbështetje në fakte. Dashuria ndaj mikut nuk do të duhej të shndërrohej në pikën strumbullare të vlerësimit të historisë së Kosovës; rezistenca e Kosovës në vitet ’90 ka qenë shumë më e gjerë, sofistikuar dhe e arrirë se ç’mund të kuptohet nga figura e njërit apo tjetrit individ.

Kryeministri Rama, si dhe asnjë kryeministër ndokund, nuk mund të imponojë interpretime të historisë në fjalime parlamentare, aq më pak që me miqësinë që do çmuar të përçmojë të tjerët që nuk i ka miq apo nuk ka zbuluar se i ka miq.

(Kosova e ka ende të vështirë ta vlerësojë historinë e vet. Betejat e së kaluarës, në fakt, ende po zhvillohen, në garën se kush ka pasur më shumë kontribute. Ndërkohë konflikti me Serbinë mbetet i papërfunduar)

7. Kosova nuk është Palestinë

Kryeministri Rama në Kuvend citoi fjalët e porosinë, që tha se ia dha presidenti Clinton gjatë vizitës në Tiranë. Aty përmendi negociatat në Camp David dhe refuzimin e Arafatit që të nënshkruajë propozimin më të mirë të mundshëm që kanë pasur palestinezët.

Nëse ka ndonjë analogji që nuk do të duhej përdorur aty dhe në atë moment, ishte kjo. Kosova nuk ka sot asnjë gjë të përbashkët me Palestinën (e as Serbia me Izraelin) e procesi negociator Camp David asnjë gjë të përbashkët me këtë të Brukselit.

Përse atëherë përmendja e Palestinës? Mbase për të qenë konsistent, sepse ashtu sikurse politikanët kosovarë nuk janë çuna të lagjes, negociatat nuk janë garë talenti, Kosova nuk e ka fituar luftën, militarizimi nuk është zgjidhje, në gjyqësor nuk ndërhyhet, miqësia duhet të çmojë e jo të përçmojë – ashtu në vargun e gafave konceptuale qëndron nevoja logjike të konstatohet se Kosova nuk është Palestinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button