“Ksamili është transformuar”, ministri Gonxhja: Dikur nuk bëhej dot plazh nga motorët e ujit
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja i ftuar këtë të premte në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka folur lidhur me turizmin në vendin tonë.
Ministri gjatë fjalës së tij theksoi turizmi në vendin tonë po rritur. Lidhur me Ksamilin ai u shpreh se ka një organizim dhe menaxhim më të mirë krahasuar me vitet e kaluara.
Sa i përket çmimeve, ai u shpreh se Bashkia e Sarandës ka caktuar çmime reference tavan për kategori të ndryshme plazhesh për të shmangur abuzimet.
Sipas tij, janë vënë në dispozicion zona publike ku ofrohen çadra e ulëse falas nga bashkia, si dhe është përmirësuar sinjalistika dhe pastrimi i mbeturinave.
Ndryshe nga më parë kur mjetet e ujit rrezikonin pushuesit buzë bregut, ai theksoi se tani janë organizuar molet, pikat e ankorimit dhe janë vendosur bova sigurie për të parandaluar aksidentet.
“Termat: “Ksamili bosh”, nuk e perceptoj dot kështu. Ksamili është më i normalizuar në gjithë shtrirjen e vetë. Ka një përmirësim, duhet t’i themi dhe gjërat që janë për mirë. Këtu nuk ka punë vetëm të qeverisë, është edhe një kontribut i subjekteve.
Në radhë të parë ka një mirëkuptim nga ana tyre për skemën e re, se sivjet u rregullua pjesa e menaxhimit të stacioneve të plazhit. Nuk ka qenë e lehtë, ka qenë shumë e vështirë.
Unë dua dhe ta ngacmoj bisedën edhe ta provokojmë bisedën. Pati dhe një, të themi, një pretendim apo një akuzë ndaj kryeministrit apo ndaj nesh që nuk e mbajtët fjalën, nuk i bëtë të gjitha plazhet publike e të tjerë. Pra është folur vjet.
Natyrisht që nuk fshehim asgjë, nuk i ikim asnjë përgjegjësie. Është folur për të bërë çështje e mundur që të kishte një menaxhim sa më të, të themi, të organizuar dhe sa më të kontrolluar në kuptimin e çmimeve.
Kishte një normalizim të çmimeve në Ksamil. Për këtë arsye Bashkia e Sarandës duhet vlerësuar. Bëri një vendim jo të lehtë që bëri çmim reference tavan për kategori të ndryshme plazhesh. Kuptohet, nuk mund të jetë kudo njësoj dhe brenda një plazhi radhët nuk janë njësoj, pra më pranë detit apo më larg detit.
Jemi në monitorim. Dhe ka një zbatim, të paktën në një nivel që të themi është i kënaqshëm, që çmimet e referencës të bashkisë janë respektuar dhe nga privatët. Nuk është një gjë e lehtë, është një gjë shumë e vështirë, është thuajse duke e menaxhuar bashkia në kuptimin e tarifave dhe të, po themi, të përballueshmërisë së këtyre plazheve, dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.