SHBA – Trump tërhiqet nga premtimi për prodhimin e raketave “Patriot” në Ukrainë
UASHINGTON, 31 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zbutur qëndrimin e tij lidhur me mundësinë që Ukraina të marrë licencë për të prodhuar raketat mbrojtëse “Patriot”, duke deklaruar se ende nuk është arritur asnjë marrëveshje, pavarësisht pretendimeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, presidenti Trump tha se çështja është ende në diskutim, por theksoi se transferimi i një teknologjie kaq të ndjeshme është një vendim shumë i vështirë.
“Ne nuk kemi rënë dakord për këtë. Po e diskutojmë, por është e vështirë të japësh një teknologji të tillë. Nuk mendoj se kjo do të ndodhë ndonjëherë”, u shpreh Trump.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë të kujdesshme, pasi teknologjia e avancuar ushtarake mund të përdoret një ditë edhe kundër interesave amerikane.
Në fillim të korrikut, gjatë samitit të NATO-s në Ankara, Trump kishte lënë të kuptohej se SHBA-ja mund t’i jepte Ukrainës një licencë për prodhimin e raketave “Patriot”.
Megjithatë, pas një takimi të fundit në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky deklaroi për ”Fox News” se Trump i kishte premtuar dhënien e licencave.
Forcat e armatosura ukrainase vazhdojnë të kërkojnë më shumë raketa për sistemet “Patriot”, të cilat konsiderohen mbrojtja më efektive kundër raketave balistike ruse.
SHBA-ja dhe aleatët e saj janë nën presion për të shtuar mbështetjen ndaj Ukrainës në këtë fushë./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.