Ksera, miku i Dules që ia “drodhi” për Berishën
Spiro Ksera është i pari ishministër i qeverisë Berisha që arrestohet dy vjet e gjysmë pasi e majta ka marrë pushtetin.
Ksera është gjithashtu një nga tre ishministrat që kanë dosje në Prokurori, së bashku me Ridvan Boden dhe Myqerem Tafajn.
Po kush është Spiro Ksera?
Deri në vitin 2009 ka qenë një politikan lokal në Jug të vendit. Ka drejtuar Prefekturën e Gjirokastrës si pjesë e një marrëveshje që
kishte Partia Demokratike me Bashkimin për të Drejtat e Njeriut. Por në pranverën e vitit 2009, Vangjel Dule vendosi të bëjë
koalicion me Edi Ramën dhe të dalë nga koalicioni me PD-në.
Ai i kërkoi Spiro Kserës që ta ndiqte pas, por ky i fundit në krye të një grupi anëtarësh të PBDNJsë, e refuzoi duke u bërë pjesë e
Partisë Demokratike. Si shpërblim i përçarjes së PBDNJsë, Sali Berisha e kandidoi të dytin në qarkun e Gjirokastrës pas Genc
Rulit, dhe ai fitoi mandatin e deputetit.
Berisha ia kishte premtuar Gjirokastrës dy ministra në qeveri dhe e mbajti fjalën. Ai e bëri Kserën ministër të Mirëqenies Sociale,
post të cilin e mbajti për katër vjet. Në 2013 Berisha e kandidoi sërish të dytin në Gjirokastrës, por në atë zonë PDja mori një humbje të thellë dhe vetëm Genc Ruli që ishte i pari i listës fitoi mandatin e deputetit Prej asaj kohe, Spiro Ksera përmendej në publik sa herë që policia arrestonte ishvartësit e tij për shpërdorim fondesh, pa e ditur se mbrëmjen e 29 janarit do të pritej edhe për të një flet arresti.