Opinion

Ku ka si Tirona, lale!…

Kiço Blushi
Kiço Blushi

Ka jo pak që ankohen dhe e shajnë nën zë kryeqytetin. Nuk ka punë, thonë, ka pisllëk gjithandej; ajri është më i ndoturi në Evropë;rrugët janë rrëmbushur me plehra, gropa, kabllo e tela që qëndrojnë mbi kokë si merimanga; ka më shumë katundari se qytetari, jo vetëm nëpër rrugë, po edhe nëpër zyra e institucione; kaosi i trafikut ia kalon edhe Stambollit; aksidentet, harbutëria, ryshfeti, tritoli dhe krimi mund të bëjnë hatanë në çdo çast…

E megjithatë: Ku ka si Tirona, lale!

E vërteta është se ne jemi popull i lumtur! Të gjithë të rinjtë që kanë shkuar për punë a për studime jashtë mezi presin, sa të vijë vera, të kthehen në Tironë. Thuhet se qejfi në Tironë bëhet më i ububushëm e me më pak shpenzime se kudo tjetër… Jo pak biznesmenë të huaj, amerikanë, grekë dhe italianë, madje dhe ish-diplomatët i këput malli për Tironën. Se, pasi njihen e lezetohen me Bllokun, pasi provojnë gatimet, pasi intimojnë nëpër motelet e pabet e Tironës, me sa duket këtu u gjen karar shpirti më shumë se në vendet e origjinës… Anarkia ka shije më të këndelltë se liria me vija të bardha e semaforë, me kufizime, rregulla e ligje. Thuhet se edhe në Prishtinë ndodh po njëlloj. Jeta e natës në të dyja kryeqytetet është më e përndezur se e ditës. Modën e fundit dhe sfilatat, minifundet dhe firmatot, veturat e shtrenjta dhe lakuriqësinë, tallavatë dhe Madonat i gjen jo vetëm sipër, por edhe poshtë betonizimit, nëpër bodrume… Mundësinë për qejfe e dafrunga me sa duket e merr badihava, më lirë e më kollaj se në Paris, Athinë apo në Romë… Jo më kot Rama, kur kandidoi për kryebashkiak, u shfaq me një këngë provokative, repiste, për Tironën, e cila asokohe bëri bujë, duke i dhënë jo pak vota, meqë ishte i ndryshëm nga klishetë e së kaluarës. “Zhurmë, shumë zhurmë”!

Iku Rama, erdhi Basha, por zhurmat, rrëmuja e rrëmeti, nuk u pakësuan. Përkundrazi, u shtuan edhe nëpër rrugë, edhe në politikë, edhe në familje. Nuk u pakësuan as qejfet, as orekset, as tarbiatet e snobizmit e të konsumizmit pa derdhur pikë mundi e djerse. Tirona aktualisht është kryeqyteti më i lulëzuar i kontrastit dhe i vanitetit, i pazareve nën dorë e nëpër trotuare, i kafeneve luksoze e çudibërëse, i kazanëve të plehrave ku nuk rreshtin së rrëmuari skamnorët e papunë për të ricikluar hedhurinat plastike në këmbim të mbijetesës…

Në Tironë mund të gjesh biznesmenë e deputetë me disa diploma në xhep, por që nuk dinë të lexojnë e shkruajnë as emrin e vet. Milionerët tanë pas një apo dy dhjetëvjeçarësh kanë pasur një rritje vetjake ekonomike të pashembullt në botë: nga misërnikja dhe dhalla, kapërcyen te “Ferrari” dhe “Roleksi”. E ku mund të bëhesh ministër e kryeministër pa të thënë kush ‘punë e mbarë’? Ku tjetër mund të krijohen partira familjare, si kompani fiktive, të cilat prodhojnë me shumicë influencë, pasuri e katandi, edhe pse në zgjedhje nuk marrin as votat e fisit? Në cilin kryeqytet të botës, fraza më e ëmbël, më magjike, i vetmi çelës kopil që hap dyert e ngjall shpresë për të zgjidhur ndonjë hall a problem është ftesa: “A e pijmë një kafe, shef/zonjë/zotëri?”… Të gjithë e dimë ç’fshihet pas fjalës “kafe” dhe si ka evoluar nga viti në vit kjo fjalë e bekuar, e mirëseardhur prej Anadollit. Leku nuk ka pasur inflacion sa dhe si ftesa “për kafe”. Pas një “kafeje” mund të fshihen miliona, ndere e favore, por edhe porosira për vrasje, për tendera, për t’u bërë deputet, kryebashkiak, etj. etj., sigurisht në raport të drejtë me çmimin e “kafes”.

Ku ka si Tirona, lale!

Kafenetë e Tironës janë të rrëmbushura plot e përplot me kotanakë e të papunë të lumtur, me zyrtarë të lartë të kollarisur, të cilët edhe punët e shtetit i zgjidhin në to. Ambasadori i parë turk i ardhur në Tiranë ka shkruar në kujtimet e veta se në kafenetë e Tiranës, nga thashethemet që qarkullojnë mund të mësohej e vërteta më shumë e më kollaj se nga shtypi apo nga kontaktet me zyrtarët e lartë të qeverisë së Zogut… Kjo traditë e mrekullueshme që e bën jetën tonë dinamike dhe interesante vazhdon. Kafenetë janë mjediset më pluraliste e më demokratike të shoqërisë ku monotonia dhe letargjia ballkanike marrin shije e kuptim. Njeriu modern sillet ndryshe në kafene, ndryshe në rrugë, ndryshe në zyrë, ndryshe në familje. Kjo do të thotë se brenda qenies së një njeriu mund të pikasësh pesë apo më tepër karaktere të ndryshëm. Ky mund të quhet pluralizëm autentik, jo ai që gëlon në parlament.

Tanimë nëpër kafenera e restorante nuk bëhen vetëm thashetheme, lidhjet dashurore mes të rinjve, por edhe ato të biznesit, të allishverishit, të politikës, të trafiqeve e tarafeve. Aty filmohen tinëz edhe video për t’u përdorur një ditë si mjete shantazhi për kundërshtarin. Debatet dhe vendimmarrjet nëpër kafenera e restorante janë më frytdhënëse se ato të Kuvendit, në forume apo në zyra partish. Çështja “Doshi” ishte më e fundit që e provoi këtë dukuri. Pa kafenetë luksoze të kryeqytetit do të kishin dështuar paparacët e VIP-ave, por edhe trafiqet e drogës e të prostitucionit, superfitimet e kazinove e të llotosporteve… Nëpër kafenetë e Tironës mund të zbulosh sekretet e shtetit, lidhjet, miqësitë, preferencat dhe dobësitë e shtetarëve. Aty ngjizen ose prishen aleancat e krerëve të partive, aty mund të futesh në listën e kryetarëve, aty bëhen lidhjet e krimit me njerëzit e Drejtësisë… Ah, sikur të ishin edhe zyrat e punës të Velisë si kafenetë e Tironës!

Ku ka si Tirona, lale!

Bileta në Teatrin Kombëtar qenka bërë 150 lekë, sa një biletë për në Baldushk, por ama shfaqjet e Estradës me humor të zi në Kuvend i sheh pa paguar asnjë qindarkë! E po të jesh ca më i squt, po të shkosh në ndonjë miting partie, jo vetëm që siguron një vend pune, por fiton edhe një 500-lekësh, ndonjëherë edhe një 1000, plus një hamburger e një shishe ujë falas. Por ama quhesh se je qytetar i lirë në një ekonomi fare të lirë! Zgjidh e merr! Qytetar i denjë i ekonomisë së lirë të tregut, ku një shishe qumësht shitet sa një shishe ujë!

E për të vazhduar më tej: në Tironë, si në asnjë kryeqytet të Evropës ndodh që, po qe deputet i akuzuar për shpifje a për vrasje, vetëm një natë mund të flesh në dhomën VIP të policisë, se të nesërmen, me vendim të Gjykatës së Lartë shkon e fle në shtëpi… Lum kush ka mbrojtje partie! Edhe Mark Frrokut i doli në mbrojtje partia e tij, njëlloj si Mziut të Kamzës. “I qenka cenuar dinjiteti!”, deklaroi partia e tij… Ndaj sot mund të thuhet: Më mirë një parti-çiflig, se një kompani apo hotel. Por edhe të gjitha në një dorë s’është fort keq, apo jo? Ama po të kesh vjedhur një celular, ca më zi po të jesh një Durim Bami nga Fushë-Kruja, edhe kur akuzohesh me të njëjtën akuzë si deputetët, do të ngordhësh në qeli… Në Tironë paret bëjnë hatanë, me to mund të blihet gjithçka, influenca dhe lavdia, seksi dhe pijet, por jo siguria. Vetëm të pasigurtët dhe të vdekurit janë të barabartë. Më të barabartë se para ligjit. Barazia në pasiguri nuk bën dallim as për ata që kanë badigardë, as për kalimtarët paqësorë e indiferentë. Çmimi i jetës së njeriut sa vjen e pëson erozion, më shumë se tokat bujqësore.

Barazia për të sharë e për të shpifur është një tjetër mrekulli që nuk e has kund. Kushdo mund të quajë tjetrin vrasës, kriminel, hajdut, që nga presidenti e kryeministri e deri te polici i lagjes. Sa më shumë të shahesh e poshtërohesh në publik, aq më i shquar, i pëlqyer dhe i prirur je për të bërë karrierë. Nuk i hyn gjemb në këmbë asnjë sharësi e shpifësi profesionist. Askush nuk jep llogari. Askush nuk skuqet e turpërohet. Gënjeshtra quhet vlerë, politikë, aftësi, talent. Askush nuk jep dorëheqje. Askush nuk i humb zgjedhjet edhe kur popullin e çon në greminë, si në vitin 1997! Në Tironë paska mbi dyzet mijë ndërtime pa lejë, jo vetëm nga privatët, por edhe nga shteti, madje edhe nga ALUIZNI vetë! Në Tironën tonë të shtrenjtë u privatizuan edhe banjat publike e në vend të tyre, për qëllime urinore përdoret ngrehina përkujtimore e Pavarësisë te “Tajvani”… Në Tironë je i lirë të pshurrësh rehat-rehat edhe nëpër monumente të tjera, që nga rilindasit e deri te dëshmorët!…

Është rrëmbushur Tirona me lavazhe, por nuk ka punishte zejtarësh; ka mijëra hotele dhe motele, por më pak shkolla e kopshte; ka dhjetëra universitete, por rinia e vret kohën nëpër pabe e lloto, në Bllok e jo në bibliotekë… Kemi edhe Universitet të Arteve, që nuk kishte as edhe një piano të vetme. Pianoja më në fund u ble me ndihma e donacione, u soll nga Gjermania, por… por ja që nuk u gjend kush ta akordonte e kush do të paguante zhdoganimin!

E ku ka si Tirona, lale!

Tash në Tironë u harrua e nuk përdoret më thirrja që shembi diktaturën “Liri-Demokraci!”, se mrekullinë e bëjnë krerët fuqiplotë e të pazëvendësueshëm të partive! Bëhen përnjimend zgjedhje, përherë ato dalin, sipas ndërkombëtarëve, më të mira se të mëparshmet… Vetëm se në të vërtetë nuk zgjedhim ne, zgjedhin kryetarët me dorën e në emrin tonë. Në Tironë ndodh që njëri kryeministër i mburret qejfliut plak Berluskon: Ejani në Tironë, se tek ne gjen vajza të bukura me bollëk. Kurse tjetri deklaron para zëvendësit të tij, Renci, se tek ne, në Tironë nuk ka sindikata, fuqia punëtore është thuajse falas, kurse taksat janë më të ulëta për ju, investitorët e dashur italianë…

Edhe në Tironën e sotme Faja kërcen nëpër dasma e zijafete, por nuk bie më nga fiku, as nga caraci, se pemë të tilla nuk ka më. Nuk gjen kurrkund shtëpi me plitharë, por shumëkatëshe, qiellgërvishtëse, të cilave kanë frikë t’u afrohen e të bëjnë fole zogjtë, lejlekët, gushkuqët dhe kumuritë… Ndoshta prandaj zogjtë janë firuar në qiell! Si çdo kryeqytet, edhe Tirona kishte një kopësht zoologjik, por aty demi i çau barkun kalit, një çudi kjo që nuk ka bërë vaki as nëpër pyje e shkretëtira, madje as nuk është dëgjuar në historinë e kafshëve. Ndoshta demi dëshironte t’u ngjante njerëzve të sotëm e të bënte si ata, por kjo hë për hë nuk mund të vërtetohet as nga akademikët e ish-Akademisë të Shkencave…

Por ama në Tironë nuk ndjehet kriza botërore, sa kohë, edhe duke qenë i papunë, mund të gjesh ca domate, një grusht gjizë e një vezë për të bërë një fërgesë… Prandaj në kryeqytetin tonë fakirfukarenjtë e Bathores e të Paskuqanit janë të djathtë, ndërsa miliarderët të majtë!

Është e vërtetë: Tirona u lidh me Durrësin, po macja nuk do të kalojë tjegull mbi tjegull, si pat parashikuar një i moçëm tirons. U lidhën qytetet me një autostradë të mbjellë me palma, ku sheh qen e mace të ekzekutuara nga makinat, po edhe “të mbjella” me lule artificiale në kujtim të kalimtarëve e vozitësve të vrarë në aksident… I moçmi tirons ka gabuar edhe kur ka thënë “Haka do të shkojë te i zoti”, se sot haka dhe prona ka vajtur, edhe me legalizim, te më i forti. Sot për sot Tirona nuk ka më jabaxhinj, ndaj nuk mund të mburret më me mikpritjen e vet, pasi tani jemi bërë të gjithë jabaxhinj. Të panjohur e tëhuajtëzuar me njëri-tjetrin. Nuk e njeh jo më qeni të zotnë, por as komshiun përballë. Banojmë në Tironë, por nuk jetojmë në Tironë!

Zhurmë, shumë zhurmë!

E ku ka si Tirona, lale!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button