Ku po shkojnë anijet luftarake amerikane?
Krerët e Departamentit të Mbrojtjes kanë sqaruar të mërkurën vendndodhjen e anijeve luftarake për të cilat presidenti Donald Trump gaboi javën e kaluar kur tha se po lundronin drejt Koresë së Veriut.
Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis ka deklaruar se anija “USS Carl Vinson” aktualisht po lëviz drejt Paqësorit perëndimor.
Anija në fjalë është pjesë e një grupi që presidenti Trump e quajti “armatë” që po i kundërvihej Koresë së Veriut për shkak të planeve të saj bërthamore.
Por anijet, sipas të dhënave të fundit, janë drejtuar për në Australi për një stërvitje të përbashkët me marinën e këtij vendi.
Në përpjekje për të sheshuar ngatërresat që ishin krijuar, Mattis tha: “Po bëjmë atë që thamë se do të bënim. Anija është rrugës”.
“Dhe unë do të vendos kur ajo të mbërrijë atje dhe ku do të veprojë. “Vinson” do të jetë pjesë e garancisë tonë për sigurinë e aleatëve tanë në veri-perëndim të Paqësorit”, tha Mattis.
Ngatërresa u verifikua më 9 prill, kur Marina Amerikane deklaroi se, flota luftarake “Carl Vinson” po udhëtonte nga Singapori për në perëndim të Paqësorit.
Dy ditë më vonë, presidenti Trump tha në një intervistë për Fox Business se, “po dërgojmë një armatë shumë të fuqishme” drejt gadishullit korean.