Opinion

Kufijtë e fjalës janë shkallmuar në Shqipëri?!

Nga BEN ANDONI

Shkëmbimi i opinioneve ofendues të deputetëve Braçe-Zhupa në parlament, pak ditë më pas, janë harruar. Në media ka pasur të tjerë protagonistë, kurse në jetën e përditshme deri në mediumet e zakonshme edhe më shumë akoma.

Po pse vallë koncepti i fjalës së urrejtjes merr kaq shumë lajm tek ne?! Ajo që ngjan më e dukshme është se zyrtarët tanë, por edhe njerëzit mediatikë, pak shqetësohen për institucionin. Protagonizmi bosh dhe klikimet e mbushin tërësisht jetën tonë. Të derdhësh atë urrejtje dhe ofendim ndaj SPAK-ut, disi më “të moderuar” ndaj presidentit, ndaj individit politik dhe social dhe, të vazhdosh me leksikun ofendues të politikës atëherë është vërtetë keqardhëse. Më shqetësues është fakti se lidhur me kufijtë e fjalës së lirë në Shqipëri tashmë nuk ka më limite dhe, një pjesë e individëve që marrin për ta trajtuar: thjesht e fryjnë në formën më të egër. Individi shqiptar gjendet përballë një fjalori të tërë fyes dhe nuk kupton më fare kufijtë, që i lejohen për të mos ofenduar dhe pranuar tjetrin.

Është i vështirë debati në shoqërinë tonë, paçka se pretendohet që është rritur kultura politike, pasi nuk merremi më me idetë apo më sfidat e mëdha që na presin, por merremi me individin dhe e relativizojmë keqazi institucionin. Për fat të keq, problemet e sigurisë së jetës, fëmijëve në shkolla, e debatit parlamentar, e zgjedhjeve, identitetit, seksualitetit, etj., duken si bomba për shoqërinë tonë, që edhe pas 34 viteve regjimi demokratik mbetet thellësisht e papjekur. Një nga shqetësimet më të mëdha vjen nga pushteti kryesor i vendit, ai legjislativ, ku duhet sqaruar se: niveli i tij mbetet gati në nivele mediokre. Mbetet modeli më i keq për sjelljen publike. Vazhdon me gjuhën e individëve që ftohen në studio dhe përcillet me të tjerë, që kanë tagër publik. Për të ardhur keq është se: kjo gjuhë është familjare si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt. Në pjesën e Estradës ose show bizit “nuk ka më limite”, si leksiku ofendues ashtu edhe budallallëku.

Vërtetë ekziston vetëm një vijë e imët ndarëse mes provokimit, përballjes së ashpër dhe ofendimit. Por, duke e nisur nga kjo e fundi, qysh në tingujt e parë që mvishet fjala ofenduese merr fund diskutimi i ideve dhe në vend të kësaj përballemi me sulmin ndaj disa aspekteve të identitetit tonë. Një pjesë arrin e mbrohet dhe me kulturë mundohet të minimizojë qysh në gjenezë ofendimin, por një pjesë e shton dozën për ta ekuilibruar. Këtu plasin debatet e zakonshme të politikës sonë. Ajo që i mbetet një individi është që të caktojë disa viza të kuqe dhe përtej kësaj, ofendimin ta lërë përballë gjuhës së ashpër të cinikut\es. Por insistimi ofendues e ka dhe një cak, para tij ekziston vetëm pushteti, që ai e lexon se vetëm ai\ajo, që ‘e posedon atë’ ka të drejta.

Tolerimi me argument është rast i rrallë i vendit tonë ndaj ofendimit dhe fatkeqësisht, sa më afër jemi drejt zgjedhjeve të përgjithshme, aq më shumë përballemi me këtë gjuhë, që e ka relativizuar gjithçka dhe ku vlera ka mbetur në minoritet. Mbi të gjitha, sfida ndaj ligjit, që duhet të kufizojë një mëndje të çoroditur është ajo që i bën jo pak bashkëkombas, që ta ndjejnë veten mbi ligjin dhe gjithçka tjetër. Tek ne flitet për presidentin, kryeministrin, shefin e opozitës, drejtësinë, sikur janë subjekte anonime!!!  Tek “Politika” e Aristotelit (përkthyer edhe në shqip), thuhet dikund se: “Kur shtetet qeverisen në mënyrë demokratike sipas ligjit, nuk ka demagogë dhe qytetarët më të mirë janë të sigurt në hulli; por ku ligjet nuk janë sovrane, aty gjen demagogë. Populli bëhet monark… njerëz të tillë, në rolin e tyre si monarkë, duke mos u kontrolluar me ligj, synojnë pushtetin e vetëm dhe bëhen si mjeshtër”. Në demokraci shqiptari në shumë momente është “mbi ligjin” dhe e identifikon veten me të vërtetën. (Javanews)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button