Politika

Kufiri detar me Shqipërinë, ministri grek i Mbrojtjes: Nuk negociojmë sovranitetin

Ministri grek i Mbrojtjes dhe njëkohësisht kreu i partisë së djathtë të koalicionit qeveritar “Grekët e Pavarur”, Panos Kamenos, ka deklaruar gjatë një vizite të tij në disa prej pikave kufitare të Greqisë me Shqipërinë se do të rihapë të gjitha postat ushtarake dhe do të riforcojë ushtrinë përgjatë kufirit shqiptaro-grek.

“Jemi duke bërë një planifikim të ri të zonës, ndërsa ristrukturimi i ushtrisë do të bëhet i ditur së shpejti”, ka deklaruar ai.

“Në verë, në kuadrin e këtij planifikimi që po bëhet dhe në bazë të urdhërave që janë dhënë nga unë dhe nga kreu i përgjithshëm i ushtrisë, do të rritet më tepër numri i rekrutëve në rajon. Do të ketë posta të reja, njësi komando që do të bëjnë lojëra ushtarake në zonë dhe helikopterë që duke vepruar mbi këtë rajon të vendit do t’u japin banorëve ndjenjën e sigurisë”, shtoi Kamenos.

Ai u ka bërë thirrje të rinjve grekë që kanë braktisur këto zona të rikthehen dhe të gjallërojnë sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me pretendimet e ngritura kohët e fundit nga Tirana zyrtare për kufijtë detarë, ai është përgjigjur se, “sovraniteti i vendit nuk negociohet dhe askush nuk mund ta negociojë, edhe nëse bëhet fjalë për kërcënim ekonomik apo kërcënim te jashtëm”.

“Greqia as nuk frikësohet dhe as nuk ka për të dhënë një milimetër të tokës, ajrit dhe detit të saj”, u shpreh Kamenos.

Edhe qeveria e kaluar e kryeministrit Samaras kishte deklaruar një vit e gjysmë më parë se do të hapte shumë prej postave ushtarake dhe pikave të vrojtimit duke monitoruar një vijë prej afro 600 km të kufirit midis dy vendeve, sidomos për të ndaluar trafikantët e lëndëve narkotike, shkatërrimin e pyjeve dhe gjuetinë e jashtëligjshme, por me thellimin e krizës ky ristrukturim nuk u përfundua.

Ministri Kamenos dhe partia e tij e djathtë njihen për pozicionime të kundërta me radikalët me të cilët bashkëqeverisin, përsa u përket çështjeve të emigracionit, por edhe marrëdhënieve me Turqinë dhe fqinjët e tjerë të Greqisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button