Kukës, reshjet dhe erërat e forta dëmtojnë më shumë se 40 shtylla tensioni
Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës, ndërkohë që problemet kanë qenë të shumta në drejtim të furnizimit të banorëve me energji elektrike, apo edhe qarkullimit të automjeteve, kryesisht në zonat e thella malore.
Trashësia e borës në qytetet e Kukësit, Krumës dhe Bajram Currit ka arritur në 10 – 20 cëntimetër e në lartësitë mbi 500 – 700 metër, varion nga 30 – 60 cëntimetër.
Rruga e Kombit është e qarkullueshme pa zinxhirë, ndonëse trashësia e borës ka arritur në 45 cëntimetër në afërsi të tunelit të Kalimashit. Në këtë rrugë kanë punuar 6 mjete borëpastruese, për të larguar borën e rënë.
Ndërkohë, një ditë më parë, në kilometrin e 7-të, nga Kukësi, ka patur rrëshqitje të skarpatës anësore të rrugës, duke shkaktuar bllokimin e 3 korsive të rrugës së Kombit. Pas ndërhyrjes së mjeteve të kompanisë së mirëmbajtjes së rrugës, ajo është e qarkullueshme, me përjashtim të njërës korsi të të njëjtit sens të autostradës.
Situata në akset e tjera rrugore është:Domaj-Drajreç e qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë. Trashësia e borës 30 cm. Punojnë 2 mjete,1 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Domaj-Bushtricë e qarkullueshme pa zinxhirë. Ka punuar e po punon 1 borëpastruese dhe 1 eskavator. Trashësia e borës 30 cm.
Kukës-Ura e Zapodit e qarkullueshme pa zinxhirë. Ka punuar e po punon 1 mjet borëpastruese. Trashësia e borës 25 cm.
Ura e Shtrezës-Shishtavec i bllokuar.
Kukës-Qafë Shllak pjesërisht me zinxhirë. Kanë punuar e po punon 1 borëpastruese dhe 1 eskavator. Trashësia e borës deri në 60 cm.
Kukës-Krumë e qarkullueshme pa zinxhirë. Punon 1 mjet borëpastruese.Trashësia e borës 25 cm.
Plepa-Kam e qarkullueshme pa zinxhirë. Ka punuar e po punon 1 borëpastruese dhe 1 eskavator. Trashësia e borës 30 cm.
B.Curri-Valbonë e qarkullueshme pa zinxhirë. Kanë punuar e punojnë 1 borëpastruese dhe 1 eskavator. Trashësia e borës 40-50 cm.
Aksi B.Curri-Qafë Morinë, lartësia e borës 25 cm, qarkullimi pa zinxhirë.Ka punuar e po punon 1 borëpastruese.
Aksi B.Curri-Kam e qarkullueshme pa zinxhirë. Kanë punuar e po punonjë 2 mjete: 1 borëpastruese dhe 1 fadromë.Lartësia e borës 30 cm.
Qëndrat e komunave të lartësive si: Grykë-Çajë, Kalis, Arrën, Surroj, Zapod dhe Shishtavec janë të bllokuara.
Në orët e para të mëngjesit, ka patur probleme në furnizimin me energji elektrike, pasi nga reshjet dhe erërat e forta janë dëmtuar më shumë se 40 shtylla të tensionit të mesëm. Pas punës së realizuar nga grupet e shpërndara në terren, është mundësuar rikthimi i energjisë në rrethin e Kukësit dhe Hasit.