Opinion
kur kryeministri zgjedh përplasjen në vend të reformës
Nëse reforma në drejtësi ka probleme ligjore, maxhoranca i ka votat për t’i rregulluar. Përplasja publike me institucionet tregon se problemi nuk është ligji, por kontrolli.

Prej shumë kohësh në fakt, jo vetëm retorika publike e Kryeministrit Edi Rama ndaj institucioneve të drejtësisë ka marrë një ton gjithnjë e më konfrontues. Prej një gjuhe me tendencë të dukshme denoncimi dhe diskreditimi publik individual ndaj disa gjyqtarëve apo prokurorëve të veçantë, duke e pretenduar me forcë të drejtën gjithmonë në anën e vet, deklaratat kritike, ironia publike dhe, edhe akuzat e drejtpërdrejta tani janë drejtuar kundër institucioneve të drejtësisë, kundër vetë sistemit.
Kësisoj, delegjitimimi i veprimeve të drejtësisë e ka zhvendosur vëmendjen nga debati mbi përmirësimin e reformës, drejt një përplasjeje politike që nxjerr në pah shqetësime serioze për raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe shtetit të së drejtës.
Reforma në drejtësi u projektua dhe u realizua me synimin që të çlironte sistemin nga ndërhyrjet politike dhe që të garantonte barazinë e të gjithëve apo të gjithsecilit para ligjit. Ndaj, ajo u paraqit dhe u përdor edhe si një arritje madhore e maxhorancës dhe si një standard model i ri institucional për Shqipërinë. Pikërisht për këtë arsye, përplasja e vazhdueshme e Kryeministrit me drejtësinë përbën një paradoks politik: sa më shumë drejtësia tenton të funksionojë e pavarur, aq më e ashpër bëhet kritika ndaj saj.
Në gjithë sa ka thënë e vazhdon të thotë publikisht, Kryeministri ka lënë të kuptohet se drejtësia e re vuan nga probleme konceptuale e ligjore, procedurale, të strukturës apo edhe të interpretimit në zbatimin e ligjit.
Nuk na është thënë se është bërë ndonjë analizë serioze dhe e detajuar mbi reformën në drejtësi, arritjet apo problemet e saj. Por, nëse këto probleme që ngre dhe për të cilat këmbëngul Kryeministri janë reale dhe strukturore, atëherë lind një pyetje thelbësore: pse ato adresohen përmes presionit publik dhe jo përmes korrigjimit ligjor? Maxhoranca qeverisëse e ka shumicën parlamentare dhe, rrjedhimisht, i ka edhe të gjitha instrumentet kushtetuese për të rishikuar, përmirësuar apo saktësuar kuadrin ligjor të reformës në drejtësi.
Reforma nuk është produkt i institucioneve të drejtësisë, por i vendimmarrjes politike. Ligjet që rregullojnë funksionimin e saj janë hartuar dhe miratuar nga Kuvendi, nën drejtimin e maxhorancës së Kryeministrit. Institucionet e drejtësisë nuk bëjnë asgjë tjetër veçse zbatojnë këtë kuadër normativ. T’i fajësosh ato për pasojat e një ligji të miratuar nga vetë Kryeministri (ai thotë se reformën në drejtësi e bëri Partia Socialiste!), është në thelb, shmangie e përgjegjësisë institucionale.
Në vend që të zhvillohet një debat parimor dhe profesional mbi përmirësimin e reformës, po ndërtohet një narrativë konflikti. E sidomos kur kritika vjen nga Kryeministri, ajo nuk mbetet thjesht opinion politik, por shndërrohet në presion ndaj një pushteti tjetër të pavarur.
Nga një këndvështrim më i gjerë, kjo sjellje cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe dobëson balancat demokratike.
Edhe më shqetësues bëhet problemi kur kjo përplasje soditet apo shoqërohet me heshtjen e zakonshme të botës akademike dhe universitare, të atyre që paradoksalisht jemi mësuar të na i prezantojnë si intelektualët e drejtësisë. Fakultetet e shumtë të drejtësisë, shefa departamentesh e dekanë me grada e tituj gjithëfarësh, profesorët e së drejtës kushtetuese dhe ekspertët që kanë dijen dhe autoritetin për të analizuar këto zhvillime, kanë zgjedhur në masë të madhe indiferencën. Kjo heshtje nuk mund të justifikohet as si paanësi dhe as si maturi intelektuale apo akademike. Ajo është shenjë e një dështim moral dhe institucional.
Në momente kur parimi i ndarjes së pushteteve vihet në pikëpyetje, heshtja intelektuale nuk është neutralitet, por shërbim në normalizimin e presionit politik mbi drejtësinë dhe në varfërimin e debatit publik.
Një drejtësi e pavarur nuk matet nga sa e rehatshme është për pushtetin, por nga aftësia e saj për të vepruar edhe kur vendimet e saj janë politikisht të papëlqyeshme. Në momentin që drejtësia shndërrohet në problem sapo prek interesat e pushtetit, reforma e humbet kuptimin e saj dhe rrezikon të shndërrohet në instrument selektiv.
Nëse Kryeministri Edi Rama është realisht i bindur se reforma në drejtësi ka dështime ligjore (në vlerësimin tim reforma është një dështim i plotë), përgjegjësia e tij institucionale është e qartë: t’i adresojë ato përmes Kuvendit, në mënyrë transparente dhe kushtetuese. Përplasja me drejtësinë nuk e përmirëson reformën, por vetëm sa minon besimin e publikut te institucionet.
Konflikti mes Kryeministrit dhe drejtësisë nuk prodhon reformë. Ai prodhon pasiguri institucionale dhe forcon bindjen se drejtësia pranohet vetëm për aq kohë sa nuk sfidon pushtetin. Dhe kjo është pikërisht ajo që reforma në drejtësi premtoi se do ta ndryshonte.



