Kur metroja transformohet në një galeri arti
Metroja e Dyseldorfit nuk është e vetmja që ka kombinuar masivisht artin me projektet infrastrukturore në shkallë të gjerë. Paraardhësi i saj më i afërt është metroja e Moskës, që u hap në vitin 1935, e krijuar kur në pushtet ishte Josif Stalini. Në vitin 1950, Stokholmi krijoi metronë e vet të mbushur me punime artistike, së cilës shpesh i referohet si galeria e arteve më e gjatë në botë.
Një ashensor zbret ndërsa muzika e cicërimave të zogjve bëhet më e fortë. Dritaret nisin të hapen për ta bërë më të prekshme hapësirën e jashtme. Një ekran LED mbi kokë, përcjell lëvizjet njerëzore në animacione gjeometrike shumëngjyrëshe.
Po, këto janë punime estetike. Por gjithashtu janë pjesë e linjës më të re të metrosë në Gjermani. Projektuesit e saj synojnë që ta kthejnë stresin e udhëtarëve të saj në një mundësi për t’u njohur dhe për të vlerësuar artin.
Linja është e gjatë 3.2 km dhe u hap dje, pas një pune 15-vjeçare, që kushtoi në total 950 milionë dollarë. Kjo mbajtëse e frymëzimit njerëzor është rezultati i bashkëpunimit të artistëve, inxhinierëve civilë dhe bashkisë së qytetit.
“Normalisht kur bëhet fjalë të krijosh art për publikun, ti ke të bësh me një mur dhe disa lloje pikturash. Dhe ne menduam, jo, nuk mund ta bëjmë kështu këtë gjë. Ne duhet që të hedhim hapin tjetër”, tha Ulla Lux, punonjëse në zyrën e kulturës në Dyseldorf.
Kjo linjë metroje zëvendësoi disa linja të tjera nën tokë në sistemin ndërlidhës transportues të qytetit dhe kthehet në një qendër të lëvizjes. Si dhuratë për pasagjerët, qyteti e ka përcaktuar qartë se linja e re e metrosë nuk do të mbajë tarifë për reklamat.
“Objektivi ynë i parë është cilësia artistike dhe arkitekturore. Kështu, reklamat do të sillnin konflikt me këtë qëndrim”, tha
Oliver Witan i “Netzwerkarchitekten”, një firmë arkitekturore në Darmstadt, bashkë me artistin Heike Klussmann, fituan një konkurs të organizuar me pjesëmarrës nga Bashkimi Europian në vitin 2001, për të mbikëqyrur dizajnin dhe ndërtimin e Wehrhahn-it.
Metroja e Dyseldorfit nuk është e vetmja që ka kombinuar masivisht artin me projektet infrastrukturore në shkallë të gjerë. Paraardhësi i saj më i afërt është metroja e Moskës, që u hap në vitin 1935. E krijuar kur në pushtet ishte Josif Stalini, harqet e saj madhështore, dritat e stilit kinematografik dhe mozaikët që të kënaqin syrin kur i shikon gjithashtu të bëjnë të përjetosh një eksperiencë të madhe artistike. Edhe pse propaganda ishte mjaft e pranishme aty.
Në vitin 1950, Stokholmi krijoi metronë e vet të mbushur me punime artistike, së cilës shpesh i referohet si galeria e arteve më e gjatë në botë.
Elementët ndërveprues dhe dixhitalë të Wehrhahn-it janë provë e më shumë projekteve artistike publike. Si ajo e artistit Rafael Lozano-Hemmer në 2005, puna e të cilit “Under Scan” u shijua në sheshin “Trafalgar” të Londrës. Krijuesi përdori një sistem vëzhgimi dhe pajime projeksioni për të transmetuar imazhe videosh mbi hijet e këmbësorëve.
Në vend që ta konceptonte metronë si një zinxhir stacionesh individuale, Klussmann dhe Netzwerkarchitekten e dizajnuan atë sipas konceptit “subterranean continuum”, pra “vazhdimësi nëntokësore”.
Muret e stacionit janë një matricë e përbërësve kompleksë gjeometrikë betoni, që duket se janë si një zgjatim i vetë tunelit.
Të gjashta stacionet e Wehrhahn-it janë planifikuar që të jenë si 6 prerje të mirëmenduara në vazhdimësinë e tij. Secila prej tyre reflekton vizionin e një artisti. Pesë artistë u përzgjodhën që të krijonin stacionet, kurse Klussmann-i projektoi të gjashtin.
Në “Pempelforter Strasse”, puna e Klussmann-it shfaq shirita të bardhë të cilët janë të lidhur gjeometrikisht përgjatë mureve, tavanit dhe dyshemesë.
“Unë doja që ta hapja plotësisht gjithë hapësirën”, tha Klussmann-i, një artist berlinez. “Shiritat pluskojnë brenda stacionit, të sistemuar nga gjeometria dhe i thyejnë të gjitha qoshet, ashtu siç do të bënte një top bilardoje”.
Thomas Stricker, një skulptor zviceran dhe me profesion elektricist, e dizajnoi ndalesën “Benrather Strasse” që të kihet ndjesia e një stacioni hapësinor. Muret e veshur me hekur janë të ndërthurura me dritare të mëdha panoramike, ekrane multimedialë që tregojnë animacione 3D që lëvizin ngadalë nga hapësira e jashtme.
“Ndoshta ti këtë ndjesi e njeh nga eksperienca kur hipën në një trend dhe ti shikon jashtë dritares e mendon se po lëviz. Por realisht është treni afër teje që ecën”, tha Sticker, i cili kërkoi që të krijonte një përjetim të ngjashëm në stacionin “Benrather Strasse”.
Kurse në ndalesën “Heinrich-Heine-Allee”, Ralfi i transformoi tri hyrjet në performancë audio-vizuale, që do të presin punime me bazë audio nga artistë të ndryshëm.
Ky stacion shfaq një punim të drejtorit të teatrit gjerman, Kevin Rittberger, që ka përshtatur mitin e Orfeusit, që zbret në botën e nëndheshme për të shpëtuar gruan e tij robinë, Erudisen, me muzikë hyjnore.
Në një hyrje tjetër, regjistrime të cicërimave të zogjve janë punuar me kompjuter, në mënyrë që tingulli të duket sikur zhytet nën tokë dhe u sillet vërdallë pasagjerëve, ndërsa ata janë në ashensorë.
“Ajo që më pëlqeu pa masë, është se audienca gjendet në lëvizje. Pastaj është kjo shpejtësia e ashensorit e përcaktuar që mund të punojë si një metronome. Kështu që ti e di në teori se për sa kohë veshi do të duhet që të jetë sa në këtë vend, e pastaj në tjetrin”, u shpreh ideatori, Brog.
Lëvizja gjithashtu ishte pjesë integrale e stacionit “Schadowstrasse”, ku skulptorja dhe artistja e teknologjisë, Ursula Damm, instaloi një ekran LED që pikturon ardhjet dhe ikjet e këmbësorëve në rrugën që lëviz për sipër. Ajo përdori një filtër diferencues për të prodhuar pasqyrime shumëngjyrëshe gjeometrike që më pas përsëriten në xhamin blu të mureve të stacionit. “Kjo është për njerëzit”, tha artistja Damm që ka krijuar punime të tilla artistike ndërvepruese e prodhuese që nga viti 1990. “Ju mund ta shikoni që ata po afrohen me arkitekturën, mund të zënë hapësirat që ata preferojnë”.
Në të njëjtën kohë ata mund të shikojmë se çfarë është duke bërë softueri me informacionet e tyre. Asgjë nuk fshihet. Të gjitha stacionet janë ndërtuar në mënyrë të tillë, që të lejojnë sa më shumë dritë të qe e mundur.
Në shumicën e tyre, nivelet e sipërme dhe të poshtme janë të ndara nga panele xhami të prera, duke krijuar fushëpamje të gjëra dhe një ndjesi hapësire.
Në këtë projekt janë të ndërfutura xhama antizjarr dhe barriera që pozicionohen për të mbrojtur pasagjerët nga tymi. Madje dhe vetë tuneli është i ndriçuar në mënyrë që makinistët të mos shikojnë kurrë errësirë.
“Ne donim ta dizajnonim atë që të kishte orientim të mirë e ti të ndiheshe i sigurt kur ecje. Mund të shikosh njerëzit që vijnë drejt teje shumë shpejt”, tha Markus Schwieger i Netzwerkarchitekten.
Një qasje kaq e detajuar kërkoi koordinim të vazhdueshëm mes arkitektëve, artistëve, planifikuesve urbanë dhe inxhinierëve. E kjo është diçka e zakonshme në mjedisin e projekteve infrastrukturore të mëdha publike.
I tërë projekti kushtoi 843.6 milionë euro, rreth $940 milionë dhe u financua nga qyteti i Dyseldorfit, shteti i North Rhine-Westphalia-s dhe qeveria federale.
Drejtori i çështjeve kulturore të qytetit, Hans-Georg Lohe, i cili luajti në rol të madh në realizimin e projektit, tha se një metro e ndërtuar tradicionalisht në një model të ngjashëm, thjesht do të kishte një kosto më të ulët. Ai e përshkruan përdorimin e saj si diçka unike.
“Ne këto punime artistike na kushtuan vetëm 3 milionë euro më shumë. Pra janë vetëm pak më shumë para të shpenzuara, por tani kjo metro ka plotësisht një tjetër paraqitje. Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një mënyrë transporti të leverdishme dhe të përmirësuar. Kjo do të jetë një përvojë e gjallë artistike për këdo që përdor metronë”.