Kurti mes Izraelit dhe Turqisë, Shoqata “Vatra”: Miqësia me Amerikën nuk duhet të vihet në pikëpyetje
Kryetari i Shoqatës “Vatra” Elmi Berisha thekson se Kosova nuk ka kohë për të humbur, pasi lidhja dhe miqësia e përhershme me SHBA-të duhet të mbahet shumë afër.
Lidhur me kërkesën e presidenti Turk Erdogan, ku i kërkoi Albin Kurtit para disa ditësh që të tërhiqej nga marrëveshja e arritur në SHBA për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, Berisha tha në një intervistë për Euroneës Albania, se miqësia me Amerikën nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga kërkesat e një shteti tjetër.
“Mendoj që Kosova nuk ka kohë për të humbur, lidhja, qasja dhe miqësia e përhershme me SHBA, duhet të ndërtohet dhe të mbahet shumë afër. Nuk mund të luhet me idetë apo kërkesat e një shteti që nuk krahasohet as për së afërmi me miqësinë që kemi me Shtetet e Bashkuara. Unë mendoj që Albin Kurti është në një presion të lartë, dhe e kuptoj mirë. Ne kërkojmë si “Vatër” që Kosova menjëherë ta realizojë marrëveshjen me Izraelin dhe ta dërgojë ambasadën aty ku e ka vendin.
Ne gjithmonë duhet të mendojmë të jemi aleatë afër një shteti të madh që i shpëtoi shqiptarët dy herë në historinë tonë. Prandaj këto dilema të panevojshme nuk duhet të qëndrojnë. Ne si shqiptaro amerikanë qëndrojmë fuqishëm pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë me kryeministrin e ri z.Kurti dhe gjithmonë do mbrojmë interesin e shqiptarëve, Kosovës, Shqipërisë, por edhe atyre që zgjidhen me votën e lirë të qytetarëve, po gjithmonë ua rikujtojmë liderëve tanë se miqësia me SHBA asnjëherë nuk duhet të vihet në pikëpyetje.”- tha kryetari i Shoqatës “Vatra”.
Vetëm pak ditë më parë presidenti Turk Erdogan i kërkoi Kurtit që të tërhiqet nga marrëveshja, e cila u arrit në SHBA për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin. Ndërsa në të njëjtën ditë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e ftoi kreun e vetëvendosjes në ceremoninë e hapjes së ambasadës në Jeruzalem.
Pas këtyre korrespondencave ka pasur mjaft reagime për zgjedhjen që duhet të bëjë Kurti, i cili në përgjigjet që i dërgoi presidentit Erdogan dhe kryeministrit Netanjahu u tregua i kujdesshëm për të mos mbajtur një qëndrim të prerë.