Ekonomia

“KURUM” kërkon falimentin, gjykata nis procedurat

Në raportin zyrtar të vitit 2014, grupi “KURUM” e cilësonte Shqipërinë si pikën më strategjike për investimet e tij jashtë Turqisë.

“Rëndësia strategjike dhe tregtare e Shqipërisë, si një treg i synuar nga KURUM për investimet e huaja në Europën Juglindore, vazhdon të rritet”.

Vetëm 8 muaj pas kësaj deklarate, kompania dorëzoi në gjykatë kërkesën për shpalljen e falimentit dhe riorganizimin e saj. Vendimi ka qenë i papritur, jo vetëm për punonjësit, por edhe vet autoritetet.

“KURUM” është një nga shoqëritë më të mëdha në Shqipëri. Në vitin 2014, kompania deklaroi 195 milionë euro të ardhura, duke qenë prodhuesi më i madh i çelikut në Ballkan dhe nga eksportuesit më të mëdhenj në Shqipëri. Por vitin e kaluar, veçanërisht në gjashtëmujorin e dytë, “KURUM” nisi të shkurtonte staf me ritme të shpejta dhe, nga 700 punonjës, e reduktoi organikën në më pak se 200 vetë.

Kërkesa për shpallje falimenti dhe riorganizim, përveç se një goditje për industrinë metalurgjike dhe eksportet, prek edhe sektorin financiar. Në bilancin e vitit 2014, kompania raporton se ka mbi 110 milionë euro kredi në banka. Ndonëse pjesa më e madhe e tyre janë kredi të marra nga bankat ndërkombëtare të zhvillimit, si BERZH apo IFC, një pjesë tjetër vjen nga bankat vendase.

Gjykata e Tiranës ka nisur shqyrtimin e kërkesës së “KURUM” për faliment dhe riorganizim. Vendimi pritet gjatë ditëve në vijim, por e sigurtë është se Shqipëria nuk do të jetë më prodhuesi kryesor i çelikut në rajon. Shkak është konkurrenca e ashpër nga Kina, e cila prodhon çelik me kosto më të ulët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button