Ekonomia

Dilemat për ARMO-n në krizë. Bankat e kanë sekuestruar, por nuk e shesin dot

Kriza financiare e ARMO-s ka hapur një debat mes qeverisë dhe kreditorëve të kësaj shoqërie, për ligjshmërine e veprimeve përmbarimore. Aktualisht, një pjesë e pasurive të ARMO-s janë të sekuestruara nga Përmbarimi, për shkak të borxheve të mëdha që kjo shoqëri ka ndaj bankave, por edhe kreditorëve të tjerë.

Madje muajin e kaluar, një prej pasurive më të rëndësishme të saj, rafineria e Fierit u nxor në ankand për t’u shitur. Ankandi dështoi, por tentativat për shitje duket se kanë hapur një debat juridik, i cili lidhet me statusin e shoqërisë.

ARMO është një shoqëri që vepron në sektor strategjik. Në ligjin ekzistues të falimentit, përkatësisht në nenin 12 thuhet se, ndaj pasurive të sektorëve që janë caktuar si strategjikë nuk mund të hapet procedurë falimentimi.

Drejtuesit e grupit të posaçëm ndërministror, që qeveria ka ngritur për të zgjidhur krizën e ARMO-s, pretendojnë se ky nen i ndalon kreditorët, përfshirë dhe bankat që të ndërmarrin veprime, të cilat do të cënonin statusin strategjik të kompanisë. Sipas tyre, shitja e aseteve më të rëndësishme, si rasti i rafinerisë, do ta cënonte këtë status dhe rrjedhimisht do të ngrinte pikëpyetje në lidhje me ligjshmërinë e ankandit.

ARMO është shndërruar në një çështje të nxehtë. Kompania ka aktualisht 470 milionë dollarë borxhe, nga të cilat 220 milionë dollarë ndaj Tatimeve, ndërsa pjesa tjetër ndaj palëve të treta, veçanërisht bankave. Ekspozimi i madh i bankave e bën situatën edhe më delikate.

Për këtë arsye, me urdhër të kryeministrit Rama, dy muaj më parë u ngrit një grup i posaçëm pune me përfaqësues të disa ministrive dhe Avokaturës së Shtetit. Brenda pak ditësh, pritet që ky grup të dërgojë në qeveri një dokument, i cili do të propozojë rrugët për të zgjidhur krizën dhe një nga opsionet më të përfolura është rishtetëzimi kompanisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button