Kryeartikull

Kush paska thënë se me kalimin në opozitë mbyllet libri i llogarive?

Andrea Stefani
Andrea Stefani

Kush vjedh paranë publike është i korruptuar, ndërsa kush nuk e vjedh atë, por edhe nuk lufton të ndëshkohen të korruptuarit, është budalla! Kaq mund të thuhet për një pjesë të fanatikëve të Sali Berishës që mbyllin sytë përballë pasurive të dyshimta të tij ndërsa kërkojnë edhe me qiri korrupsionin në oborrin e shtëpisë së Edi Ramës.

Por mund të thuhet edhe për qeverinë që pretendon të mos jetë e korruptuar ndërkohë që nuk bën gjithçka që të ndëshkohen të korruptuarit. Sepse tolerant me korrupsionin është ose i korruptuari, ose budallai. Por kurrë i ndershmi! Neveria dhe urrejtja e të ndershmit ndaj korrupsionit është organike pra, e pashmangshme.

***

Nuk i përkas kësaj kategorie shkretanësh që e ndajnë korrupsionin në të mirë kur është në kampin e tyre, dhe në të keq kur është në kampin kundërshtar. Prandaj, nuk mendoj se korrupsioni është një poshtërsi tipike vetëm për klanin berishist dhe se e majta është e imunizuar nga ai. Për këtë shkak, vite më parë, kam kundërshtuar korrupsionin e qeverisë së Fatos Nanos dhe kam kërkuar edhe largimin e saj.

Mjerisht, i gjithë ai aksion i shoqërisë civile (me Koalicionin Shqiptar Antikorrupsion dhe Zyrën për Mbrojtjen e Qytetarëve) u shpërdorua sepse në vitin 2005, u rikthye në pushtet Berisha me premtimin se do spastronte korrupsionin e trashëguar nga qeverisjet e socialistëve.

Por askush nuk u ndëshkua. Jo se Berisha ishte budalla, pra nga ata që i lë të tjerët të vjedhin dhe vetë rri me duar në xhepa, por se qe i korruptuar. Dhe huti nuk ja nxjerr sytë hutinit – thotë një shprehje e vjetër shqiptare. Mosndëshkimi i korrupsionit nanoist nuk qe një rastësi. As korrupsioni berishist që e pasoi në 8 vjetët e mëpastajme.

Dhe është sa e frikshme, por edhe dëshpëruese që pas dy vjetësh qeverisje të Rilindjes shohim se korrupsioni i madh berishist nuk është prekur fare. Vërtet mjafton alibia se nuk kemi akoma drejtësi apo prokurori të pavarur? Mos edhe këta rilindësit kanë të njëjtin plan si Berisha në 2005? Apo janë budallenj?

***

Koha do na japë përgjigje për këto dyshime. Por në këtë artikull, do fokusohemi tek dukuria e çuditshme e mbrojtjes së korrupsionit berishist nga tifozët apo fanatikët e tij.

Më konkretisht: “Dita” sapo ka publikuar në dy numrat e fundit disa foto. Në numrin e parë, vilat superluksoze të Farkës ku jetojnë ish-ministra të Berishës, mes tyre edhe i biri i ish-kryeministrit. Disa prej tyre, pallate të vërtetë. Thuhet se Shkëlzen Berisha jeton aty me qira, por dyshohet se qiraja është vetëm teknika për të pastruar prona të tilla, tepër diskredituese për standardet e një vendi kaq të varfër si Shqipëria. Por edhe 2000 euro në muaj qira, do të ishin një tejkalim i dyshimtë i të ardhurave të siguruara pa biznes po me një profesion modest konsulenti.

Shtëpia tjetër, botuar numrin e djeshëm është e kryeministrit Rama. Dukshëm më e vogël dhe brenda formatit të një investimi të realizuar nga jo pak familje shqiptare me punën dhe kursimet e këtyre 25 viteve tranzicion.

***

Ajo që të bën përshtypje nuk është verbëria dhe heshtja e prokurorisë. Tashmë po familjarizohemi me faktin që ajo as nuk shikon as nuk dëgjon. Por të bën përshtypje reagimi i fanatikëve berishistë. Meqenëse atë gjënë e Ramës nuk e shpallin dot monument të korrupsionit e kritikojnë si çmenduri arkitektonike.

Ndërkaq vilave të Farkës, monument përrallor i korrupsionit në raport me gjendjen e ekonomisë shqiptare, u dalin në mbrojtje. Racionalizimet janë të formës: “Ç’keni ju me Shkëlzenin, ai është në opozitë por merruni me Ramën se ai është në pushtet”, ose “jeni xhelozë për pasurinë e tjetrit” “është punë e tij” dhe të tjera banalitete si këto.

***

Po kush paska thënë se me kalimin në opozitë mbyllet libri i llogarive? Po të qe kështu, rotacioni do të qe një lavatriçe shumë e mirë për pastrimin e parave! E kundërta është e vërtetë. Kalimi i një qeverie në opozitë, është rasti më i mirë për të ndëshkuar korrupsionin e saj. Veçanërisht në vende si Shqipëria ku qeveritë i varin për këmbësh institucionet e pavarura duke i bërë të heshtin. Madje i bëjnë të heshtin edhe kur kalojnë në opozitë! Aq helmues është rrezatimi i korrupsionit që ato kanë përhapur.

***

Pra na bën përshtypje ekzistenca e masave, e turmave të fanatikëve pa ndjeshmëri kundër korrupsionit. Si shpjegohet kjo dukuri? Me faktin se edhe ata janë prekur nga rrezatimi kontaminues. Korrupsioni i një qeverie qenka si një shpërthim bërthamor, si një “Hiroshima” që i prek thuajse të gjithë. Mbrojtja që fanatikët i bëjnë qeveritarëve të korruptuar, shpjegohet me vetë korruptimin e moralit të tyre nga qeveritë.

Keqardhja është se, në pjesën më të madhe, këta fanatikë kanë përfituar nga qeveria e korruptuar gjëra krejtësisht normale që një qeveri e ka detyrë t’ua u ofrojë. Për shembull një vend pune. Por në kushtet kur një vend pune mbetet një gjë shumë e rrallë, të pasurit e tij është një “nder” që nuk mund të harrohet, madje që shpërblehet në kthim duke mbrojtur dhe votuar liderin e korruptuar që rron në një pallat.

Ndërkaq, Berisha është kujdesur që devocioni ndaj “nderit” të shkojë më larg se kaq, për t’u bërë i qëndrueshëm për disa breza. Ai ka vepruar me largpamësinë korruptuese të Cezarit që ju falte legjionarëve të kthyer nga lufta tokë, duke i shndërruar në votues besnikë. Enveri bëri reformën agrare në fshat, Berisha bëri reformën “agrare” në qytet. Nuk është rastësi që ai nxiti jo vetëm migrimin e njerëzve nga zona fshatare, duke “liberalizuar” grabitjen prej tyre të tokës dhe ndërtimin e shtëpive pa leje.

***

Nga këto politika, kanë gëluar ato masa që refuzojnë të shohin me neveri korrupsionin e klanit berishist madje, të votojnë edhe rikthimin e tij në pushtet. Pavarësisht pasurive përrallore që ky klan, nuk i fsheh dot më sepse buisin mbi lëkurën e tij (pallate, vila e makina luksoze) si djersa nga poret e një grykësi që nuk ka të ngopur.

E votojnë pavarësisht se pasuria e klanit berishist është vënë duke vjedhur paratë e tyre. E votojnë, pavarësisht se varfëria e tyre i ka rrënjët te pallate si ai që thuhet së banon Shkëlzeni. E votojnë edhe pse varfëria e tyre i ka rrënjët edhe te milionat e Bashës që i premton t’i shpëtojë nga varfëria!

Janë këto viktima që e kanë harruar atë doktor Saliun me kostumin e vjetër që këmbëngulte të jetonte në apartamentin e thjeshtë buzë Brrakës duke refuzuar pallatin presidencial. Tani jo më! Sepse nuk është mëkat që lideri historik të bëhet shumë i pasur edhe pse Shqipëria dhe shqiptarët mbetën përjetësisht të varfër.

Tashmë, kulti i lideri historik është betonuar dhe mbi këtë beton, mund të themelohet çdo pasuri përrallore pa patur frikë se mbështetja e verbër për të do të firojë. Sepse të korruptuarit do kenë aq tifozë, aq votues sa për ta mbajtur shtetin pezull në gjendje konflikti permanent dhe kërcënimi destabilizues.

***

Sepse për fanatikët nuk ka rëndësi që pushteti është i korruptuar. Për ta ka rëndësi vetëm që të jetë një pushtet që ata e quajnë “të tyrin”. Sipas kësaj mendësie, pushteti është i yti jo kur zbaton ligjin njësoj për të gjithë, por kur në shkelje të ligjit të fut ty në punë, duke flakur tjetrin. Prandaj edhe kur mësohet se djali i ish kryeministrit, që 10 vjet më parë premtoi të shfaroste korrupsionin, jeton në një pallat luksoz, s’ka fare problem.

Sepse ata e shohin si pasuri të shtëpisë së tyre politike. Për ta korrupsioni është i rrezikshëm vetëm kur shfaqet në qeverinë tjetër, atë armiken. Atij i kundërvihen me të gjitha forcat, madje kur nuk ekziston, e shpikin. E shpikin që ta rrëzojnë qeverinë e pakorruptuar vetëm që të vijë qeveria e tyre, edhe pse është e korruptuar. Kjo është ajo psikologji e pervertuar që i bën këta të shkretë që një shtëpi të kryeministrit Rama në fshatin Surel t’i duket si pallat, ndërsa pallati në Farkë ku Shkëlzeni nuk e mohoi se banon, t’ju duhet si kasolle. Që shtëpia e Ramës t’ju duket si mëkat, ndërsa ajo ku banon Shkëlzeni, si virtyt që ngjall jo neveri, por xhelozi!

***

Do duhet shumë kohë që Shqipëria të shpëtojë nga ky korruptim masiv i mendjes dhe moralit, arritur me sukses nga liderët historikë me teknikën perverse të zgjidhjes abuzive të halleve të masës (me anë të tolerimit të vjedhjes së tokave, ndërtimeve pa leje, kultivimit të drogës, mospagimit të energjisë) që ata vetë i kanë krijuar. Dhe rruga e vetme e shpëtimit është goditja e korrupsionit në shkallë të gjerë. Antikorrupsioni është sot jetik për shtetin. Reforma në drejtësi është me rëndësi kardinale por ndërkaq, a duhet pritur me duar lidhur sa të përfundojë ajo?

Prandaj qeveria e sotme, që premtoi antikorrupsionin, më e pakta që duhet të bëjë, është thellimi i transparencës mbi pasuritë e qeveritarëve të djeshëm edhe të sotëm. Inspektoriati i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive duhet të pushojë se qenuri një agjenci e degraduar në lavatriçe të pastrimit të pasurive së politikanëve të korruptuar.

Të gjithë duhet t’i faktojnë publikut se apartamentet, vilat, pallatet, makinat i kanë vënë me para të pastra. Mjaft më me deklarata mashtruese ndërkohë që pasuri mëkatare demonstrohen rrugëve gjithë arrogancë! Transparenca do t’i pakësonte edhe shanset e të korruptuarve si Berisha e Basha që, ndërsa s’dinë ku të fshehin milionat dhe pasuritë e tyre, akuzojnë qeverinë për korrupsione të shpikura me “jaguar”-ë.

Dhe heshtja, mjerisht e pritshme, e sistemit të kapur të drejtësisë ndaj rezultateve të kësaj transparence, do ta bënte edhe më evidente, më urgjente nevojën e reformës në drejtësi. Një reformë që mbështetet nga qeveria e Rilindjes të cilën, Berisha dhe Basha, prandaj nguten më kot ta rrëzojnë me “revolucion paqësor”.

Jo për të shpëtuar Shqipërinë, por veten. Sepse i vetmi revolucion paqësor që mund ta shpëtojë Shqipërinë është revolucioni antikorrupsion në drejtësi dhe në shtet.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button