Kushtet që duhet të plotësojë një aplikant për astronaut
NASA ka hapur aplikimet për astronautë në misionet e ardhshme, ndërsa fluksi i personave që do të kandidojnë, pritet të jetë i madh. Përkundër miteve, kërkesat nga NASA janë më të thjeshta.
Mendoni se keni atë që duhet për t’u bërë një astronaut? NASA ka çelur aplikimet për pranimin e të rinjve deri më 10 shkurt. Astronautët e ardhshëm mund të ulen një ditë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar dhe të drejtojnë anijen kozmike për në Mars.
Ky grup i përzgjedhur pritet që një ditë të ndihmojë në “çarjen e rrugës” për në Mars.
Ata që aplikojnë duhet të jenë së pari shtetas amerikanë me një diplomë “bachelor” në shkenca ekzakte; matematikë ose inxhinieri, bashkë me të paktën tre vite punësim profesional, ose minimumi 1000 orë si pilot kryesorë në një avion.
Kandidatët për astronautë gjithashtu duhet të kalojnë provat fizike të udhëtimit, të cilat do t’ia kryejë NASA.
“Disa njerëz befasohen kur mësojnë se mund të kenë atë që duhet”, thotë Brian Kelly, drejtori i operacioneve të fluturimit në Qendrën Hapësinore Johnson.
“Ne duam dhe kemi nevojë për një përzierje mikse të individëve për të siguruar se kemi astronautët më të mirë të mundshëm”.
Aplikantët e përzgjedhur do të duhet të zhvendosen në Hjuston, Teksas dhe do të paguhen nga 66,000 deri në 145,000 dollarë në vit.
Agjencia po kërkon të rrisë numrin e stafit aktual prej 47 astronautësh. Megjithatë, konkurrenca nuk do të jetë e lehtë; në vitin 2013, kur NASA mbajti për herë të fundit një orë mësimore për t’u bërë astronaut, më shumë se 6000 persona aplikuan dhe vetëm tetë u zgjodhën.
Në vitin 2000, në pikun e periudhës së anijeve kozmike, pati 149 të përzgjedhur.
Anija hapësinore amerikane nuk do të rikthehet për fluturim deri në vitin 2017 – ku katër astronautë veteranë janë zgjedhur tashmë për udhëtimet e para të anijeve të reja Boeing.
Anija e pagëzuar si CST-100 Starliner, do të niset në vitin 2017 dhe kapsula e ekuipazhit “SpaceX’s Dragondo” të niset menjëherë pas saj.
“Do të duhet më shumë ekuipazh për misionet e ardhshme në stacionin hapësinor”, tha NASA në një deklaratë.
NASA dhe kompanitë private të hapësirës po përgatiten për misione të reja për të shkuar më thellë në hapësirë, përfshirë eksplorimin e një asteroidi dhe Marsit në vitin 2030.
Pesë mitet rreth të qenët astronaut
Miti: Të gjithë astronautët kanë eksperiencë në pilotim
Në fakt, nuk ke nevojë të jesh një pilot për të qenë një astronaut. Eksperienca në fluturim nuk është një kërkesë, por do të përbënte përparësi.
Miti: Të gjithë astronautët kanë shikim perfekt
Shikimi është një nga kërkesat e domosdoshme, por që prej shtatorit 2007 me ndërhyrjet kirurgjikale në sy, tani lejohet të kryhet operacion deri një vit përpara procedurave të aplikimit.
Miti: Të gjithë astronautët kanë një diplomë të avancuar
Ndërsa pasja e një diplome “bachelor” nga një universitet i akredituar është një domosdoshmëri, një diplomë më e përparuar, nuk kërkohet për t’u bërë astronaut.
Miti: Astronautët duhet të kenë eksperiencë ushtarake
Fakti është se eksperienca ushtarake nuk është e nevojshme për t’u bërë një astronaut.
Miti: Moshë e caktuar për të qenë një astronaut
Fakti është se mosha nuk është një kufizim. Kandidatët për astronautë, përzgjidhen nga mosha 26 deri në 46 vjeç, ku mesatarja është 34 vjeç.
Pozicionet
Komandat ose pilot astronaut
Duhet të keni një diplomë “bachelor” nga një institucion i akredituar në inxhinieri, shkenca biologjike, shkenca fizike ose matematikë. Të paktën 1000 orë pilotimi të një avioni. Eksperiencë në testet e fluturimeve, është shumë e dëshirueshme. Po ashtu, duhet të kaloni testet fizike të NASA-s, përfshirë edhe disa kushte si shikim në raportet 20/100, ose të pakorrektueshme ose të korrektueshme 20/20 në secilin sy. Presioni i gjakut duhet të jetë 140/90 në pozicionin ulur. Gjatësia 172 deri në 190 centimetra.
Specialist misioni
Një diplomë “bachelor” nga një institucion i akredituar në inxhinieri, shkenca biologjike, shkenca fizike ose matematikë. Diploma duhet të pasohet nga tre vite eksperiencë. Të kalojë testet fizike të NASA-s. Të ketë shikueshmëri 20/200 ose të pakorrigjuar, ose të korrigjueshme 20/20 në secilin sy. Presioni i gjakut duhet të jetë 140/90 në pozicionin ulur. Gjatësia nga 150 deri në 193 centimetra.
Burimi: Daily Mail