Politika

Kushti për studentët e mjekësisë/ Qeveria merr vendimin, Rama: Për t’u pajisur me diplomë do duhen 5 vjet punë

Qeveria mori vendimin sot se studentët e mjekësisë që nisin këtë vit universitetin, duhet të lidhin kontratë për të ofruar shërbim shëndetësor për 5 vite në vend.

Ndërsa për studentët që janë duke e ndjekur mjekësinë aktualisht, detyrimi mund të jetë më pak vite.

Kryeministri Edi Rama theksoi se populli shqiptar nuk mund të paguajë taksa për mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat e tyre, të ikin që ditën e parë.

Ky projektligj do të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar, sipas ministres së Arsimit, Evis Kushi pasi në muajin gusht të gjithë ata maturantë që duan të studiojnë programin Mjekësi e Përgjithshme, kanë provimin shtesë të digjitalizuar që do të zhvillohet në muajin gusht pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Rama: Dola për të dhënë një mesazh lidhur me një vendim të rëndësishëm të qeverisë sot që ka të bëjë me studentët e mjekësisë dhe me detyrimin për të shërbyer në vend, për një kohë të caktuar. Detajet do t’i shpjegojnë ministret, por thelbi është, besoj unë shumë i qartë për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë që paguan taksa. Shteti e financon universitetin publik, në këtë rast formimin e mjekëve të rinj për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet. Nuk është njësoj si profesionet e tjera, është një profesion i lidhur drejtpërdrejtë me detyrimin e çdo shteti për tu kujdesur për shëndetin e njerëzve dhe me të drejtën e çdo qytetari, çdo familjeje, çdo të moshuari dhe fëmije për të pasur kujdes shëndetësor. Në kushtet kur Gjermania e para dhe vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, me plakjen e popullsisë së tyre, me nevojën gjithmonë e më të madhe për burime njerëzore të freskëta që duhet të vijnë nga jashtë dhe ku janë bërë stacion i ndalesës së fundit për shumë profesionistë, për shumë njerëz të kualifikuar të të gjitha fushave dhe në këtë rast për mjekët, ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap, që është hapi më normal dhe hapi më i lehtë i mundshëm, që do të thotë që çdo student i mjekësisë që do hyjë në Universitetin e Mjekësisë do të duhet paraprakisht të njihet me faktin që mjekësia, studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për tu pajisur me diplomë duhen dhe 5 vjet në shërbim të këtij populli. Ndërkohë që për të gjithë ata që janë në proces, vitet janë më të ulëta, të përshkallëzuara, e thashë detajet do t’i japin ministret, por është absolutisht zgjedhja e tyre, nuk është vetëm një zgjedhje.

Ndërkohë që për ata që do hyjnë në vit të parë ka vetëm një zgjedhje, nuk ka zgjedhje tjetër. Nëse duan të studiojnë mjekësi në universitetin publik, do duhet të pranojnë këtë kusht dhe nuk është një kusht, por është formati i ri i Universitetit të Mjekësisë për sa i përket marrjes së diplomës. Natyrisht nuk ndryshon asgjë në thelb për sa i përket të drejtës dhe mundësisë së ushtrimit të profesionit pasi ajo fillon menjëherë pas 5 viteve, por ama duhet të bëhet këtu sepse për këtë paguan populli shqiptar taksa. Nuk paguan populli shqiptar taksa që mjekët që formohen me tarifa simbolike dhe në universitet që mbahet nga taksat e popullit shqiptar të ikin që ditën e parë. Ama patjetër që nuk u ndalohet e drejta atyre që janë aktualisht në universitet që të largohen në rast se duan të largohen, por në vitin apo në vitet e mbetura do duhet të paguajnë një tarifë tjetër, tarifë e cila do përcaktohet natyrisht nga universiteti sipas ligjit, por e cila mbulon plotësisht kostot dhe nevojën që ka universiteti për të formësuar një student.

Ky projektligj  ka lidhje me mbulimin e nevojave që ka vendi për mjekë, shpërndarjen e tyre më të mirë në të gjithë vendin dhe frenimin e largimit të tyre drejt vendeve të tjera.

Sipas ministres së Arsimit, Evis Kushi ligji konsiston:

Së pari: Studentët e vitit të parë, apo më saktë kandidatët për studentë, përpara regjistrimit, ata që shpallen fitues, përpara regjistrimit në universitet do të nënshkruajnë një marrëveshje me UMT me MAS dhe MSHMS për tu angazhuar që do të qëndrojnë 5 vite për punësim pas diplomimit të tyre në Shqipëri, në institucionet tona shëndetësore dhe diplomën do ta tërheqë pas përmbushjes së këtij detyrimi. Ndërkohë që për studentët që janë aktualisht në sistem, nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, përsëri në fillim të këtij viti akademik do të nënshkruhet një marrëveshje ku angazhohen që do të qëndrojnë përkatësisht: studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë, dy vite, punësim në Shqipëri. Dhe diploma përsëri tërhiqet pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Studentëve që janë aktualisht në sistem, do tu ofrohet edhe mundësia që nëse nuk janë dakord të nënshkruajnë marrëveshjen, të paguajnë sa ç’është kostoja reale e çdo viti akademik, sigurisht për vitet e mbetura akademike, jo për vitet që tashmë kanë kaluar. Pra ky është detyrimi që kanë studentët e vitit të parë nuk kanë të drejtë zgjedhjeje, por do që qëndrojnë për 5 vite. Pra duhet t’i bëj thirrje të gjithë kandidatëve, të gjithë ata që kanë vendosur të studiojnë për programin Mjekësi e Përgjithshme, duhet ta mendojnë që nëse zgjedhin të studiojnë në universitetin shtetërore, duhet të nënshkruajnë këtë marrëveshje dhe kanë detyrimin pesë vite të qëndrojnë të punësohen në Shqipëri. Ndërsa studentët e tjerë mund të zgjedhin mes dy alternativave. Sigurisht që qëllimi ynë është që të gjithë studentët nga viti i parë deri në vitin e gjashtë të qëndrojnë të punojnë, të japin kontribut për vendin, sepse në fund të fundit ky është një detyrim që e kemi për të gjithë, për të plotësuar nevojat që kemi për mjekë.

Për sa i takon specializimeve, këto në rast se janë të pambuluara nga MSHMS, pra nëse specializantët e paguajnë vetë kuotën, tarifën, do të konsiderohet periudhë punësimi, ndërsa në rast se është e mbuluar nga MSHMS, sigurisht që ata nënshkruajnë një marrëveshje me MSHMS përpara specializimit, kështu që kanë detyrimin të përmbushin ato detyrime që tashmë janë në fuqi. Ndërkohë dua të theksoj që nëse për një vit nuk arrihet të plotësohet detyrimi për punësimin e tyre, atëherë të gjithë studentët, të diplomuarit do të lirohen nga ky detyrim dhe do të tërheqin diplomën e tyre. Trajtimi i veçantë konsiston në dy drejtime kryesore. Së pari punësim prioritare në institucionet shëndetësore shqiptare dhe së dyti përfshirje në programet sociale të punësimit. Por e theksoj edhe një herë që nëse nuk do të arrihet, gjë që nuk mund të ndodhë, por gjithsesi kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes, nëse për një vit nuk plotësohet detyrimi për një punësim të sigurt, atëherë këta të diplomuar, mjekë do të lirohen nga detyrimi dhe do të marrin menjëherë diplomën. Dua të theksoj që ky projektligj për shkak të emergjencës do të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar sepse në muajin gusht, siç e dini, të gjithë ata maturantë që duan të studiojnë programin Mjekësi e Përgjithshme, kanë provimin shtesë të digjitalizuar që do të zhvillohet në muajin gusht pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Kështu që ne duhet ta miratojmë brenda korrikut këtë projektligj, në mënyrë që ata përpara se të marrin vendimin dhe përpara se të bëjnë provimin, t’i dinë, t’i njohin të gjitha kushtet që do të kenë për sa i takon këtij programi.

Aktualisht Shqipëria ofron kujdes shëndetësor me 1.9 mjekë për 1 mijë banorë, edhe pse duket e vështirë për shkak të largimit të mjekëve drejt vendeve të BE , brenda vitit 2030 Kryeministri  ka kërkuar  të arrihet në 2,5  mjekë për 1 mijë banorë.

Fenomeni i largimit të mjekëve ka prekur shumë vende në Europë  dhe  një kontratë shtrënguese për mjekët e rinj po përgatit edhe Italia e cila po diskuton që studentët e mjekësisë të ofrojnë shërbim me detyrim në vendin e tyre nga 5 deri 7 vjet pas përfundimit të studimeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button