Kosova

Kuvendi i Kosovës nesër seancë festive për 12 qershorin, Ditën e Paqes

Në kuadër të shënimit të 12 Qershorit, Ditës së Paqes, Kuvendi i Republikës së Kosovës mban nesër seancë festive, me fillim në orën 11:00.

Filharmonia e Kosovës , në sallën e Kuvendit, do të ekzekutojë vepra muzikore të kompozitorëve të njohur kombëtarë dhe botërorë.

Koncerti i Filharmonisë së Kosovës organizohet nën patronazhin e Kuvendit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës.

Në 12 qershorin historik 1999, që festohet edhe si Dita e Lirisë, në Kosovë nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe.

Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës përcakton: “5.5 Ditët memoriale janë: a) 28 Nëntori, dita e shqiptareve; b) 12 Qershori, dita e paqes; c) 6 Marsi, dita e Përkujtimit dhe e Respektit për Veteranet; 3 d) 23 Prilli, dita e turqve; e) 8 Prilli, dita e romeve; f) 15 Shkurti, dita e ashkalinjëve; g) 28 Shtatori, dita e boshnjakeve; h) 6 Maji, dita e goranëve. Ditët tjera memoriale përcaktohen nga Qeveria e Republikës se Kosovës në konsultim me Presidentin e Republikës së Kosovës, nga të cilat dy ditë në konsultim me komunitetin serb të Kosovës”.

Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës është miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, kurse është shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit 2008.

Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 7 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button