Kronika

Liderët ftojnë qytetarët në solidaritet dhe bashkim

lider-euml-t-ftojn-euml-qytetar-euml-t-n-euml-solidaritet-dhe-bashkim_hdUdhëheqës institucionalë, politikë dhe fetarë kanë vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), për fetën e Kurban Bajramit. Ata ua kanë uruar të gjithë besimtarëve myslimanë Kurban Bajramin dhe kanë përçuar mesazhe për tolerancë, solidaritet dhe paqe mes njerëzve.

I pari që vizitoi BIK-un ishte, Hajredin Kuçi, në emër të Qeverisë së Kosovës, i cili uroi gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Kurban Bajramit, duke thënë se feja nënkupton paqe, solidaritet e mirësi.

“Kjo festë natyrisht që na reflekton kuptimin e vlerave që ofron edhe Festa e Kurban Bajramit por edhe feja në tërësi që nënkupton paqe, solidaritet , mirësi, drejtësi po natyrisht edhe sakrificë. Në këtë drejtim sot i respektojmë të gjithë ata që kanë sakrifikuar për ditën tonë, luftëtarët e lirisë ata që kanë rënë , të gjithë ata, natyrisht edhe ata që na mungojnë, të familjeve të të pagjeturve, po njerëzit tonë që janë në kurbet po i quaj apo në mërgim por njëkohësisht reflektojnë si me punu ma shumë për paqen , për tolerancë fetare , për mirëqenie familjare dhe për vendin tonë, për kombin tonë por edhe për paqe njerëzore”, ka thënë ai.

Festën e Kurban Bajramit gjithë besimtarëve mysliman u uroi edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ku siç pohoi ai, duhet të jemi sa më afër me njëri-tjetrin.

“Isha për ta uru Kurban Bajramin, njëkohësisht me shfrytëzu mundësinë me i dërgu një urim gjithë qytetarëve besimtarë, e në të njëjtën kohë me shpreh edhe gatishmërinë tonë që gjithë së bashku edhe institucioni i Bashkësisë Islame edhe gjithë tjerët në këtë vend të jemi më afër, edhe të jemi me njëri tjetrin në nevoja që kanë njerëzit por edhe synimet që kem si vend”, ka thënë Haradinaj, transmeton KP.

Bashkësinë Islame të Kosovës e vizitoi edhe Don Lush Gjergji, nga Kisha Katolike duke uruar gjithë besimtarët mysliman, madje tha se kjo festë është festë e flijimit.

“Kurban Bajrami është festa në të cilën të gjithë jemi të ftuar në flijim, e flijimi pa fe dhe pa dashuri do të ishte edhe i pamundshëm edhe i kotë. Pra, dhashtë Zoti që ndër shqiptar pa dallime fetare të kultivohet gjithnjë e më tepër feja dhe dashuria”, ka thënë ai.

E, Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se kjo ditë është ditë e rëndësishme për gjithë ku me këtë rast uroi të gjithë besimtarët për këtë festë.

“Ne konsiderojmë se është një ditë e rëndësishme për gjithë ne. Është një festë e cila neve na bashkon edhe në pikëpamje fetare edhe pikëpamje njerëzore. Sot ishim këtu t’ju urojmë Bashkësisë Islame dhe jo vetëm atyre por gjithë besimtarëve në Ditën e Bajramit t’ju shprehim përkushtimin tonë që bashkërisht të qojmë proceset përpara sepse Bashkësia Islame ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit, faktor shumë i rëndësishëm i ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe kemi besim të madh që ata edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të jenë të tillë dhe të kontribuojnë në prosperitetin dhe zhvillimin tonë”, ka thënë Mustafa.

Po ashtu Fatmir Limaj, kryetar i NISMA për Kosovën uroi gjithë besimtarët e besimit islam, madje u shpreh se të gjithë duhet ta kenë në mendje dhe në shpirt fjalën e Zotit.

“Gjithë besimtarëve të besimit islam t’ju uroj Kurban Bajramin duke u dëshiruar që të gjithë ta kemi në mendje dhe në shpirt fjalën e Zotit, paqen, mirësinë, solidaritetin dhe këtyre obligimeve para njëri-tjetrit por edhe obligimin ndaj Zotit atë që e kemi të shkruar duke merituar mesazhe paqe dhe bashkëpunimi “, ka thënë Limaj.

Kurse, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Festa e Kurban Bajramit shënon rëndësinë e sakrificës.

“Me këtë rast ua urojmë besimtarëve mysliman dhe të gjithë shqiptarëve në përgjithësi festën e Kurban Bajramit e cila shënon rëndësinë e sakrificës për ideal dhe për të tjerët si dhe vlerën e solidaritetit në bashkësi e për më të varfrit”, ka thënë Kurti.

Mysafirët në BIK i priti Reshat Mexhiti, zëvendës kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës së bashku me zyrtarë tjerë të këtij institucioni.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nuk e vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button