Kosova

Ligji për Arsimin e Lartë shtyhet për shkak të Srpskës

Qeveria e Kosovës ka shtyrë miratimin e Projektligjit për Arsimin e Lartë, pas kërkesës së ministrit Lubomir Mariç që vjen nga lista Serbe.

Sipas tij ende nuk janë bërë konsultime për përfshirjen e Universitetit të Mitrovicës Veriore në këtë projektligj.
Mirëpo, ministri i Arsimit Arsim Bajrami e ka vlerësuar si të panevojshëm shtyrjen e këtij projektligji, sepse plotësimet dhe ndryshimet mund të bëhen gjatë dy leximeve në Kuvendin e Kosovës.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe projektligjin për liritë fetare, si dhe ka emëruar anëtarët bordeve në INFRAKOS, Aeroportin e Gjakovës dhe Postën e Kosovës.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Lubomir Mariç kërkoi nga kryeministri Isa Mustafa që të shtyhet Ligji për Arsimin e Lartë, pasi nuk janë bërë konsultime përkatëse me ta.

“Pra, ne nuk kemi pasur fare mundësinë të njiheshim me këtë ligj, prandaj rekomandimi ynë është që të na jepet mundësia që edhe një herë ta rishikojmë bashkë, para se ky ligj të vihet në rend dite për miratim. Dua të tërheq vërejtjen se në veri të Mitrovicës kemi një universitet dhe unë nuk jam i sigurt nëse janë bërë konsultime me drejtuesit e këtij universiteti lidhur me këtë ligj për Arsimin e Lartë”, tha Mariç.

Kërkesën e ministrit serb për shtyrjen e këtij projektligji e ka mbështetur edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, duke thënë se mund të shtyhet për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Por, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami e ka quajtur të panevojshëm shtyrjen e miratimit të projektligjit për Arsimin e lartë, pasi është gjetur zgjidhje shumë e mirë për Universitetin e Mitrovicës Veriore për integrim në hapësirën kombëtare të arsimit të lartë.

“Mendoj që nuk kemi arsye të madhe për shtyrjen e ligjit sepse ligji është diskutuar sa i p ërket Universitetit të Mitrovicës Veriore është gjetur një zgjidhje shumë e mirë me faktorin ndërkombëtar, një zgjidhje shumë pozitive. Sepse është hapur rruga e integrimit të këtij universiteti brenda hapësirës kombëtare të arsimit të lartë. Por në qoftë se ju kryeministër vlerësoni ne mund të lëmë një afat më së shumti dy javë”, tha Bajrami.

Bajrami tha se Ligji ka kaluar edhe ekspertizat ndërkombëtare dhe është një parakusht për lejimin e kredisë së Bankës Botërore më 23 shtator të këtij viti, për shkak se brenda kësaj kredie është edhe një fond për implementimin e këtij ligji. Bajrami ka kërkuar nga Lista Serbe që t’u ndihmojë që të vejnë kontakte me udhëheqësit e Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe projektligjin për liritë fetare në Kosovë, ku gjashtë bashkësitë fetare në Kosovë me këtë projektligj fitojnë statusin e personave juridik.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Kulturës Kujtim Shala gjatë prezantimit të projektligjit tha se në Kosovë ekzistojnë gjashtë bashkësi fetare të cilat përbëjnë edhe trashëgimin historike dhe sociale të vendit. Ato janë Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse serbe, bashkësia e besimit hebrej,kKisha protestante ungjillore e Kosovës dhe bashkësia e tarikateve të Kosovës, të cilat me këtë projektligj fitojnë statusin e personit juridik.

“Sipas këtij projektligji bashkësitë fetare ekzistuese dhe ato që regjistrohen si të reja kanë statusin e personave juridik dhe kanë të drejtën e themelimit të institucioneve të ndryshme brenda tyre me karakter humanitar, fetar, edukativ apo karakter tjetër të ngjashëm që edhe vet mund ta fitojnë statusin e personit juri dik”, tha Shala.
Ndërsa, ministri për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtic ka kërkuar që Kisha Ortodokse Serbe të jetë e dyta në Kosovë, pas Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Ligji është analizuar nga ana e përfaqësuesve të kishës serbe dhe është vlerësuar si shumë i mirë dhe kanë ardhur në përfundim që pas Bashkësisë Islame të Kosovës, Kisha Ortodokse serbe të jetë e dyta në Kosovë, e tretja katolike, e katërta bashkësia e tarikateve e tjera pasi janë në përputhje me numrin e besimtarëve”, theksoi Jevtic.

Ndaj këtyre reagoi ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi i cili tha se duhet të krijohet një kulturë që të mos kërkohet shtyrja dhe ndryshimi i ligjeve në momentin e fundit, por kjo të bëhet më herët.

Qeveria e Kosovës ka emëruar anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike Postës së Kos ovës, Aeroportit të Gjakovës dhe Hekurudhave të Kosovës, Infrakos.
Anëtarët e rinj të bordit të Postës janë emëruar Halit Isufi, Mejdi Gjokli, Hysen Fazliu, Branisllav Nikolic, Metije Jashari dhe Rushan Ceka.
Anëtarët e bordit të Aeroportit të Gjakovës janë emëruar Naser Ranolli, Brikena Kryeziu, Nora Gola, Nuri Bahtijari, Zenun Shala, dhe një pozitë mbetet që të plotësohet nga komunitetet. Anëtarët e rinj të bordit të Infrakosit janë emëruar Njazi Selmanaj, Enver Aruqaj, Fëllënza Xhelili, Millosh Dimiq, Milazim Bytyçi dhe Nexhat Dedija.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button