Linja e re hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës përfundon në vitin 2024
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, inspektuan punimet në kantierin e projektit për ndërtimin e linjës së re hekurudhore Tiranë – Rinas – Durrës, ndërkohë që brenda Tiranës, ku do të ketë tre stacione, do të vijë vetëm një trase e trenit elektrik.
Veliaj dhe Balluku ndanë lajmin e mirë se ky projekt pritet të përfundojë në vitin 2024.
“Jemi në Kthesën e Kamzës, ku bashkia dhe ministria ndajnë një pronë, ndajnë dy projekte, por një histori suksesi. Nuk e kisha menduar se do ia mbërrinim kësaj dite, por fakti që çunat kanë bërë një punë të jashtëzakonshme nga Durrësi, deri në portat e Tiranës, është vërtet mbresëlënëse. Ne në Tiranë nuk do të vazhdojmë me të pesta këto platforma dhe trase, por vetëm më një trase të trenit elektrik. Do të kemi edhe tre stacione të tjera, te ‘Josif Pashko’, te ‘Jordan Misja’ dhe në fund të Bulevardit të Ri, ose siç quhen ndryshe ‘city stations’. Për të gjithë ata që kanë një shqetësim nëse do të ketë mallra, i siguroj se jo, nuk do të ketë mallra”, sqaroi Veliaj.
Zv/kryeministrja Balluku tha se, kjo hekurudhë është shumë e rëndësishme sepse lidh Tiranën me Durrësin, por jo vetëm me qytetin e Durrësit, aty ku do të ndërtohet ballina ujore më e rëndësishme e Ballkanit dhe Porti i Jahteve, por do të lidhë edhe Tiranën me portin e ri të Durrësit të ndërtuar në Porto Romano, përmes nyjes së Sukthit.
Kryebashkiaku Veliaj shtoi se, kur qeveria dhe bashkia bëhen bashkë, rezultati janë këto punë të mira që bëhen për qytetin.
“Kur dëgjoj debatet, jo po çfarë na duhet bashkia, çfarë na duhet qeveria, them se bashkia na duhet që të jetë aleat me qeverinë. Ne bashkë bëjmë gjëra që veç e veç e kemi të pamundur. Thirrja për të gjitha bashkitë është që të gjejmë sa më shumë ndihmë, bashkëpunim dhe mbështetje nga qeveria. Kur mendoj se do bëhet për 22 minuta Durrësi dhe për 12 minuta aeroporti, do përfitojë edhe ai që nuk do të udhëtojë, sepse nuk do ketë më trafik që vjen te Njësia 11 apo te Njësia 7, prej kësaj ngarkese të madhe dhe përdorimit të makinës”, u shpreh Veliaj.
Projekti synon të zhvillojë transportin hekurudhor ndërmjet Durrësit dhe Tiranës, duke përmirësuar infrastrukturën dhe operacionet hekurudhore, duke garantuar sigurinë e lëvizjes, si dhe duke ndërtuar një lidhje të re hekurudhore me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.