Kryeartikull

LSI-ja, me PD-në shanse të humbura, me PS-në sherrnajë vizionare

Flitet shumë se si do veprojë LSI-ja për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Përsonalisht, po të kisha të drejtë vote në lidershipin e saj, do të votoja pa asnjë hezitim për një koalicion të ri me PS-në, fillimisht për në zgjedhjet vendore 2019. Natyrisht me rregulla, këtë rradhë shumë strikte, dhe krejt publike. E jo si 18 maji 2017 i Lulzim Bashës.

E them këtë pasi, si vëzhgues i jashtëm, vërej se koalicioni me PD-në po e bjerr forcën e LSI, si e vetmja forcë politike, e cila që nga krijimi i saj njeh vetëm rritje elektorati. Faktet kështu tregojnë. Natyrisht që nuk jam aspak dakort për mënyrën arrogante se si qeveris Edi Rama, por të ndodhur mes një PD-je gjithnjë në përgjumje e në përçarje dhe një PS-je që qeveris disi dhunshëm, LSI-ja do të bënte mirë, pa e ulur kokën dhe pa prekur pikat kryesore të programit të saj elektoral, të fillonte bisedimet me PS-në. Aq me tepër që selia rozë po kërkon kanale komunikimi me selinë e LSI. Edhe gjuha e kryeministrit këto javë ka qenë e kujdesshme jo vetëm në raport me LSI, por edhe e dashur me presidencën. Po kështu Monika Kryemadhi daljet në media i ka patur, sipas meje, të përllogaritura mjaft mirë; nuk është tërhequr nga asnjë çështje madhore sipas LSI në raport me kryeministrin, porse ka qenë luajale kur flitet për interesat madhore të shqiptarëve. Aq me tepër që PD-ja dhe Basha atëhere kur bëjnë sikur sulmojnë kryeministrin, pikërisht ato ditë dërgojnë misionarët me biznesmenë për një “marrëveshje të re” me Edi Ramën. Dhe “argumenti” publik i Bashës do jetë se “na e kërkojnë amerikanët”! Nuk do jetë më një Yee, por mund të gjendet një Hu-hu-ha-hi!

PS-ja dihet që është Edi Rama. PS-ja ndonëse ka 74 vota solide, në mos 78 me gjithë Tom Doshin dhe tre deputetët “çam”, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me Çamerinë; përsëri mazhoranca nuk ndjehet aspak e sigurtë në zgjedhjet vendore. Sidomos në Tiranë, ndonëse Erion Veliaj drejton në mënyrën më të mundshme, krejt mirë bashkinë. Por në Bashkinë e Tiranës, LSI është forcë përcaktuese në fitoren e PS apo të PD. Ku do të shkojë LSI-ja, do jetë fitorja e koalicionit në Tiranë. Të mos harrojmë se Bashkia e Tiranës është gjysma e Shqipërisë si potencial votash. E jo vetëm votash. Ndaj Erion Veliaj dhe krejt PS-ja pro Erion mbetet e interesuar për një koalicion PS-LSI. Nuk flas për pjesën e PS-së pro Saimir Tahirit, e cila dihet se nuk do të votojë aspak Erion Veliaj. Flasim me fakte e jo me hamëndje. Pra PS-ja ka nevojë urgjente për LSI-në në Tiranë.

Dikush, si çdokush që kërkon të gjejë veringa, mund të thotë se LSI dhe PS kanë shkuar larg në sherret mes tyre. Epo punë e madhe! Pse a nuk ishte duke plasur lufta mes Ramës dhe Bashës te çadra para kryeministrisë? A nuk kishte thënë Lulzim Basha se “vdes, por nuk dal nga çadra pa rrëzuar kriminelin Edi Rama”? A nuk na tha Lulzim Basha në hotel Rogner në muajin prill 2017, pikërisht mua, Blendi Fevziut, Andi Bushatit, Baton Haxhiut dhe Andi Bejtjes, pasi e ngacmoi Bushati, se “unë nuk dal nga çadra dhe nuk futem në zgjedhje me Edi Ramën”. Dhe kur e pyeti prapë Andi Bushati, ai pra Lulzim Basha, na deklaroi prerë se “nëse ndodh që të futem në zgjedhje me Edi Ramën, atëhere më varni mu në Bulevard!”. Lulzim Basha doli nga çadra, shkoi dhe u mbyll në zyrë tek për tek me Edi Ramën dhe hyri në zgjedhje me kryeministër Edi Ramën! Lulzim Bashën as nuk e varem dot me Bushatin, siç na e kërkoi, por veçse e kemi prapë kryetar të PD-së. Një parti tradicionale e cila kur drejtohej nga Sali Berisha, ndonëse drejtim autoritar dhe disa herë i dhunshëm, por ama kishin shpresë njërëzit se ka një opozitë e cila mund ti bëjë ballë pushtetit. Berisha i bënte marrëveshjet, por nuk shkelte mbi disa parime strikte të djathta.

Ndërsa kjo PD-ja, e sotmja, ndonëse nuk mund të akuzoj Bashën si pjesë e krimit, por kjo parti nuk ngjall besim. Pra jo vetëm nuk sjell shpresë si forcë politike për njëmijë arësye në të cilat ajo gjëndet dhe nuk është vendi në këtë shkrim për analizë, por PD-ja mund të shkas prapë në pazare të paprincipta direkt me Edi Ramën.

E pse u dashka LSI të rrijë strikte e disa parimeve se gjoja PS dhe Rama na kanë sulmuar si “pjesë e tepsisë”? Po pse a nuk mori, jo pjesë tepsie, por krejt tepsinë vetë PD-ja dhe Basha në maj 2017, kur në vend që të kërkonte në qeverinë e përbashkët me PS, drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit për të garantuar votat dhe mos implikimin e krimit të organizuar në zgjedhje, selia blu mori OSHEE, Hipotekat, etj të cilat prodhonin tenderime, para, korrupsion.

LSI është parti e majtë, bile më e majtë se vetë PS-ja e sotme e cila është thjesht një Rilindje. Por ama ka pushtetin qendror, PS-ja. Dhe kërkon pushtetin vendor në zgjedhjet e vitit 2019. Nuk e ka të sigurtë Edi Rama nëse i fiton i vetëm zgjedhjet vendore, pasi sinjalet e selizë rozë ndaj LSI, këto javë, nuk do të ishin ndezur.

Politika njeh edhe pragmatizmin, bile është konvertuar vetëm në pragmatiste në Shqipëri qëkur Fatos Nano ëndërronte të bëhej President Republike me votat e Sali Berishës në vitin 2002.

Pa e zgjatur, mendoj se LSI bën gabim taktik, edhe strategjik, nëse refuzon ofertat e PS-së, të cilat janë hedhur nëpër kanale komunikimi. Ajo ka shansin të vendosë disa kushte të pranueshme për PS-në në raport me qeverisjen qendrore, pa u përfshirë në qeveri, me kushtin e një historie të re bashkëpunimi e cila rifillon me zgjedhjet vendore 2019. Dhe një kontratë të re publike e jo skutave e skuthazi siç bëri Basha me 18 maj 2017.

Nëse nuk e bën LSI, nuk është çudi kur të dëgjojmë në këtë fundviti apo në 6-mujorin e parë të ardhshëm, që PS dhe PD firmosin koalicion “në të mirë të vendit” dhe Edi Rama dorëzon Bashkinë e Tiranës një emri demokrat me kushtin që të mos i preket pushteti qëndror deri në vitin 2021. Dhe pas vitit 2021. PD-ja merr prapë OSHEE, Hipotekat, tenderimet e zonave rurale, etj.

Kurse LSI rri e ruan parimet e deklaruara, duke parë se si Rama dhe Basha qeverisin; njeri prapë kryeministër dhe tjetri zv/kryeministër.

Ndaj LSI duhet të jetë praktike, përderisa është në thelb e majtë dhe PS-ja akoma ruan një sigël zyrtare si e majtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button