“Lufta” kibernetike, Biden: Po i dërgojmë një mesazh Putinit
Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë “të hakmerren” ndaj Rusisë, për shkak të një serie sulmesh kibernetike që kanë shënjestruar Komitetin Kombëtar Demokratik dhe operacione të tjera politike.
“Ne po i dërgojmë një mesazh dhe garantoj se i kemi aftësitë dhe kapacitetet për ta bërë diçka të tillë”, tha Biden në një intervistë për “NBC” të transmetuar të dielën.
“Ai do ta marrë vesh – shtoi më tej Biden, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin. – Kundërpërgjigjja do të jepet në momentin që do të zgjedhim ne, bazuar në rrethana që do të kenë një ndikim tepër të madh”.
Më herët gjatë këtij muaji, komuniteti amerikan i kundërzbulimit ndërmori hapin e paprecedentë të fajësimit publik të qeverisë ruse, për sulmet kibernetike që rezultuan në hedhjen në internet të një sasie të konsiderueshme “e-mail”-esh me përmbajtje politike.
Incidenti ka përkeqësuar edhe më tej marrëdhëniet e tensionuara SHBA-Rusi, si dhe ka shtuar presionin ndaj administratës amerikane për t’u kundërpërgjigjur. Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) raportohet të jetë duke përgatitur opsione për sulme kibernetike kundër Rusisë, në shenjë hakmarrjeje për “inkursionet” e fundit të “hacker”-ave rusë.
Biden, gjithsesi e bëri të qartë se ende nuk është i shqetësuar mbi një ndërhyrje potenciale ndaj rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit, duke thënë se “kapacitetet…për të ndryshuar rrënjësisht zgjedhjet, nuk janë ato për të cilat mendojnë njerëzit”.