Lufta ndaj kanabisit e krimit, Rama: FBI bën vettingun e policisë
Vettingu në radhët e Policisë, me ndihmën e ekspertëve të FBI-së dhe atyre gjermanë, do të rikthejë besimin e cënuar të Policisë së Shtetit. Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Xhafaj prezantuan me drejtues të policisë strategjinë për finalizimin e luftës ndaj krimit dhe kanabisit. Rama tha se do të shpërblehen edhe qytetarët që ndihmojnë në kapjen e kokave të krimit.
Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj u bënë me dije drejtuesve të Policisë së Shtetit se, me ardhjen e ekspertëve të FBI-së dhe atyre të qeverisë federale gjermane në fillim të nëntorit, asnjë punonjës apo drejtues i policisë, që nuk do të kalojë testet, nuk do të jetë më pjesë e uniformave blu.
Kreu i qeverisë kërkoi rezultate.
“Nuk kishte gjë më degraduese nga pikëpamja e perceptimit për Policinë e Shtetit, sesa ajo video që doli dhe u pa nga Elbasani. Nuk do të punojë asnjë punonjës policie që ka punuar të gjithë jetën në polici, e që ka pasuri të pajustifikueshme. S’ka si shpëton. Vettingu në Policinë e Shtetit është për të ndarë të njomët nga të thatët”, tha kryeministri Rama.
Ndërkohë që u fol për cënimin e besueshmërisë së qytetarëve ndaj policisë, kreu i qeverisë njoftoi një propozim që do t’i bëjë Këshillit të Ministrave. Sipas tij, shumë shpejt do të shpërblehet me parà, çdo qytetar që ndihmon në kapjen e kriminelëve.
“Kush e denoncon dhe mundëson duke denoncuar, kapjen e tij, ai do të paguhet. Në të gjithë territorin e Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Ndërkohë, pa praninë e medieve, kreu i qeverisë dhe ministri i Brendshëm, me drejtuesit e policisë diskutuan planin me 10 prioritete të finalizimit të luftës ndaj kanabisit, si dhe goditjen e krimit dhe aseteve të tij.