Lufta që vazhdon brenda tyre: Trauma e gazetarëve që raportuan nga zonat e luftës në Kosovë
“I thash vetes: “E kam shtyrë jashtëzakonisht shumë ballafaqimin me të vërtetën edhe atë se çka kam pa para 26 vjetëve”. Vendosa me shku te kompleksi i Jasharëve. Mbërrita aty. Nuk e gjeja forcën me dalë prej veturës, nuk gjeja forcë, edhe shpërtheva me qajtë me të madhe sepse i pash skenat”.
Kështu e kujton tentimin për t’u ballafaquar me traumën e raportimeve gjatë kohës së luftës Ilire Zajmi derisa lotët vazhdojnë ende t’i rrëshqasin nëpër faqe dhe ndalet për pak sekonda për ta rimarrë veten e për të vazhduar rrëfimin e saj.
Gjatë luftës në Kosovë, gazetarët ishin ndër dëshmitarët e parë të dhunës, shpërnguljeve dhe pasojave njerëzore të konfliktit. Përderisa dokumentonin ngjarjet në terren dhe informonin opinionin publik, shumë prej tyre u ekspozuan vazhdimisht ndaj situatave traumatike që lanë pasoja edhe pas përfundimit të luftës.
Megjithatë, ndikimi i kësaj përvoje në shëndetin mendor të gazetarëve ka mbetur një temë pak e trajtuar, shpesh e heshtur nga paragjykimet sociale dhe mungesa e diskutimit publik për traumat psikologjike.
Ilire Zajmi në vitin 1999 ishte 28-vjeçare dhe punonte si gazetare për media në Kosovë dhe media ndërkombëtare.
Një gazetare e re në moshë, e papërgatitur për atë se çka po e priste në terren, Ilire Zajmi, bashkë me kolegë të tjerë gazetarë, nisi udhëtimet drejt zonave të ndryshme të Kosovës për të dokumentuar dhe raportuar për masakrat, vrasjet, dëbimet dhe djegien e fshatrave nga forcat serbe të sigurisë.
Për herë të parë ajo kishte dalë në terren gjatë luftimeve në Drenicë, në vitin 1998.
“Në disa fshatra të Drenicës, kishim dëgjuar që ka luftime. E kujtoj për herë të parë që kam fillu me u dridhë. M’u duk se si diçka, i thash vetes: “O Zot, a jam mirë unë, pse erdha? Aty e kam pasë përvojën time të parë traumatike kur i kam dëgju rafalet e armëve dhe luftimet” – thotë Zajmi.
Përvojat që Ilirja i përjetoi gjatë raportimit të luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 thot se edhe sot i kujtohen dhe pasojat vazhdon t’i vuajë ende.
“Ndër pasojat më të mëdha që edhe sot e kam është kur shkuam në Prekaz, ende sot e vuaj. Shkuam në Prekaz dhe pamë që gjithë aparati serb po i nxirrte viktimat e familjes Jashari nga një gropë e madhe ku i kishin futur” – shpjegon Zajmi momentin kur po shihte trupat e familjes Jashari nga një perimetër prej rreth 100 metrash.
Siç edhe tregon, Ilires i janë dashur ditë të tëra për ta përceptuar dhe për ta kaluar atë që kishte parë.
“Sa herë provojsha me flejtë, ato skena domethënë vazhdimisht më janë përsëritë në kokë” – kujton Ilire Zajmi, derisa tregon se në atë kohë në vendin e ngjarjes ishte bashkë me një kolege nga revista “Kosovarja” dhe një gazetar italian nga “La Repubblica”.
Përveç asaj që kishte parë te familja Jashari, Ilire Zajmi kujton edhe masakrën në Rogovë të Hasit.
“Policia u kishte hyrë në 6 të mëngjesit, kishte marrë njerëzit nga dhomat e gjumit, i kishte vrarë, masakruar dhe i kishin veshur me uniformat e UÇK-së, u kishin vendosur armë, pra e kishin inskenuar gjithë skenën” – thot Zajmi.
Ilire Zajmi thekson se ato që pa para 27 vitesh i ka ende kujtime të freskëta dhe se kohë pas kohe i rikthehen në mendje.
Të gjitha këto kujtime, trauma dhe ndjenja që kishte nga raportimet gjatë luftës, Zajmi thot se i ka diskutuar me kolegë të saj, por nuk ka marrë ndonjëherë trajtim profesional psikologjik.
Musa Kurhasku, në atë kohë gazetar që raportonte për Radio Televizionin Shqiptar, gjatë luftës, përveç raportimeve për masakrat dhe vrasjet që ndodhën në zonën e Dukagjinit, raportoi edhe për familjarë e të afërm të tij.
Kurhasku, në kohën e luftës, në vitin 1999, nuk kishte raportuar vetë për vëllanë e tij të vrarë nga forcat serbe.
“E kam urdhëru një koleg timin, shokun tim, nuk e kam raportuar unë, jo se nuk e përballoja por thjesht më dukej e pabesueshme, nuk i besojsha edhe vetvetes prandaj, sepse e kemi pasë një lidhje shumë të ngushtë” – rrëfen Kurhaskaj.
Ai kujton edhe vitet paraprake para bombardimeve të NATO-s, për të cilat thot se kishte shumë situata që ende sot nuk i largohen nga mendja.
“Deri në ditën kur ka përfundu lufta dhe pas luftës kemi raportu, sepse ka pasur edhe shumë gjëra që kanë ndodhur dhe i kemi parë edhe pas luftës. Më ka ra me qenë në masakrën e Loxhës, të them të vërtetën për 2 apo 3 muaj më kujtohet që nuk m’u ka largu era e të vdekurve, e kufomave” – rrëfen Kurhaskaj.
Ndonëse kanë kaluar 27 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, Kurhasku thotë se përjetimet vazhdojnë ta ndjekin.
“Ato përjetime i ke edhe kur ballafaqohesh me familjet e viktimave të të vrarëve. Sa herë shkoj në përvjetore të masakrave i përjetoj sërish, i kujtoj ato çka kemi pa dhe raportuar në kohë të luftës” – shpjegon ai.
Ridvan Slivova është fotoreporter, i cili dokumentoi përmes fotografive dhunën dhe sistemin represiv të regjimit serb në Kosovë. Ai e kishte nisur punën me fotografim si i ri, fillimisht me pamje artistike.
Në vitin 1990 ai realizoi fotografitë e para profesionale në aspektin gazetaresk, kur deputetët e asaj kohe shpallën Kosovën Republikë.
Ai kujton se kishte parë vazhdimisht situata të dhimbshme, por fotografia e parë me një viktimë mbetet ndër më të rëndat.
“Kur erdhi ushtria në atë kohë dhe sollën lajmin unë dola menjëherë, ajo ka qenë fotografia e parë me kufomë që kam realizuar. Fotografia ime ishte publikuar në disa gazeta edhe në Slloveni dhe kur ishte botuar pas 80 ditësh ma dërguan gazetën ku ishte botuar dhe atëherë kuptova se ajo çka po bëja ishte dokumentim historik” – shpjegon Slivova.
Pas kësaj, ai kishte raportuar nga fshatrat e Drenicës: Prekaz, Polac, Klinë dhe Qirez.
“Kishim shpesh raste tepër të rrezikshme ku as vet s’e dija nëse të nesërmen do të dilja në terren” – thot ai.
Në mendjen e tij ende mbetet kolona e Gollakut.
“Ishte kolonë e viktimave të Gollakut në Prishtinë. Unë edhe sot i kam vizituar 90 për qind të vendeve prej ku kam fotografuar. Më kthehen kujtimet menjëherë, por tani është më ndryshe e ndjej vetëm erën e lirisë, kur e shoh aparatin që mbaj lirshëm e kujtoj këtë, sepse në kohë lufte ne duhej ta fshihnim aparatin që të mos zbuloheshim para policisë serbe” – shton ai.
Slivova thot se menjëherë pas luftës kishte kërkuar ndihmë psikologjike te një mik i tij.
“I kisha mbledhur rreth 200 fotografi nga masakrat, përndjekjet. Gjatë bisedave të gjata u mundova të trajtoj traumat bashkë me të (shokun psikolog)” – thot ai.
Gresa Miftari është psikologe klinike. Ajo përjetimet e gazetarëve që raportojnë nga zonat e konfliktit dhe luftës i lidh me stresin post-traumatik (PTSD), ankthin, depresionin, traumën sekondare.
Miftari shpjegon edhe arsyet pse pas luftës nuk kishte fokus në trajtimin e shëndetit mendor, përfshirë edhe për gazetarët.
“Pas luftës, si shoqëri jemi fokusuar më shumë te rindërtimi ekonomik dhe institucional, kurse shëndeti mendor nuk ka qenë temë që diskutohej shumë publikisht. Mandej nuk kemi pasur edhe shërbime që kanë qenë të mirëthemeluara për të bërë trajtim dhe as ndërgjegjësim. Profesionistët e parë të trauma-terapisë i kemi pasur tek në fundin e të 2000-tave, kur kishin kaluar vite të tëra që njerëzit, përfshirë gazetarë/e, po jetonin me dhimbje të heshtur” – shpjegon ajo.
Sipas saj, mbështetja për trajtimin e shëndetit mendor, si në të kaluarën ashtu edhe sot, është ofruar më shumë nga organizatat joqeveritare dhe iniciativat individuale.
“Kjo sigurisht lidhet edhe me resurset më të vogla që kemi pasur si shtet në transformim si dhe me mungesën e njohurive dhe qasjeve të duhura” – thekson Miftari./Kallxo.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.