Kosova

Lunaçek: MSA-ja, faqe e re në historinë e vendit

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek tha në përfundim të vizitës në Prishtinë se Kosova, si shteti më i ri i Evropës, ka hapur një faqe të re të historisë me arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Lunaçek tha në konferencë për media se Kosova tani duhet të punojë më shumë për reforma të thella, ndërsa bëri thirrje për më shumë përkushtim nga të zgjedhurit politik që t’i kryejnë obligimet para qytetarëve.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Lunaçek u shpreh optimiste se Komisioni Evropian do të japë rekomandim për heqjen e vizave.
Ajo përmendi si kërkesë shtesë për Kosovën edhe rivendosjen e pikës së dytë të kontrollit me Shqipërinë. Lunaçek tha se e di që nuk ju vjen mirë qytetarëve shqiptarë për këtë, por është kërkesë që duhet të zbatohet.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian ka folur edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke thënë se dhuna e përdorur në Kuvend nuk i shërben askujt.

Lunaçek ftoi opozitën të lejojë punën e Kuvendit, pasi siç tha ajo, nevojitet miratimi i buxhetit dhe vendime të tjera me rëndësi për qytetarët e Kosovës.

Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Lunaçek tha se BE-ja duhet të kërkojë më shumë nga palët që të zbatojnë marrëveshjet e arritura dhe për këtë tha se do të diskutojë sapo të kthehet në Bruksel edhe me shefen e BE-së për politikë të Jashtme, Federika Mogerini.
Lunaçek tha se fushata e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe deklarimi i kryeministrit serb pas procesit të votimit në UNESCO nuk i shërben fqinjësisë së mirë.

Ajo ka kritikuar edhe disa vende të BE-së që nuk e kanë votuar Kosovën në UNESCO, duke theksuar se në këtë proces BE-ja nuk ishte e unifikuar.

Ndërsa duke folur për marrëveshjen e Asociacionit të Komunave, Lunaçek tha se duhet të pritet dhe respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por qoftë nevoja edhe marrja e një opinioni nga Komisioni i Venecias.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button